E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droboniku dhe një dasëm e Kastriotëve

Gorica, lagjja e njohur e Beratit, vezullon, krejt e larë nga shiu i janarit që porsa ka pushuar. Shtëpitë e bardha feksin edhe më teksa i bëjnë karshillëk Osumit, i cili është bërë krejt i kafenjtë nga balta e madhe që ka marrë rrugës. Pasi kalojmë një shpat të pyllëzuar me pisha i futemi një rruge të vjetër. Është rruga e ndërtuar dikur nga italianët. Ajo lidh Beratin me Këlcyrën. Nuk do të udhëtojmë shumë mbi këtë rrugë, vetëm 6 kilometra. Kaq është distanca që lidh qytetin e moçëm me fshatin drejt të cilit jemi nisur, me Drobonikun. Bashkë me ne udhëton edhe një i moshuar vendas, Neshat Talla, 75-vjeçar. Xha Neshati tani banon në Berat, por pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në fshatin e tij të lindjes. Në Drobonik ka ende shtëpinë e tij të vjetër dhe të afërmit. Pakkush e përmend këtë fshat ndër libra të vjetër. Duket sikur asgjë nuk ka ndodhur ndonjëherë në këtë fshat që ka përballë Osumin, Tomorrin dhe Beratin. Vetëm shkatërrimi i ullishtës së vjetër gjatë luftës italo-greke të 1940 është shumë pak për të shënuar. Dhe mbase pikërisht nga kjo, nga heshtja që e ka mbuluar fshatin që prej kohësh, vendasit përsërisin gjithnjë me plot bindje të njëjtën histori: "Në fshatin tonë është martuar një nga motrat e Skënderbeut". Këtë histori, Xha Neshati na e ka treguar që poshtë në Berat dhe na e përsërit disa herë gjatë rrugës që, ndonëse e shkurtër vërtet, ka nisur të bëhet ca e vështirë nga gurët dhe nga balta.

Mes filmit, legjendës dhe Nolit

Droboniku është një fshat goxha i shtrirë. Të 200 banorët e tij jetojnë në shpatin e një kodre krejt paralel me Tomorrin e mbuluar nga dëbora. Ullinjtë dhe qershitë janë prodhimet tradicionale të këtij fshati. Ai ka një pamje të bukur me shtëpitë e mbajtura relativisht mirë, të strukura nën pemët e shumta. Dikur beratasit e shfrytëzonin ajrin e tij të pastër për piknikë verorë. Njerëzit janë të qetë dhe kanë namin e punëtorëve të mirë.

Kemi mbërritur në qendër të fshatit, këtu është shkolla. Jemi pikërisht në kohën e pushimit të madh dhe një tufë me goca i gëzohen diellit të vakët duke kërcyer me litar. Krejt mbrapa shkollës është një kishë e vjetër. "Ja, kjo është kisha e Shën Mitrit - bën me dorë xha Neshati - këtu ka vënë kurorë njëra nga motrat e Skënderbeut". Ne i sillemi një copë herë rrotull kishës së heshtur. Porta e saj është e mbyllur. Është një ngrehinë e thjeshtë, njënefëshe. Duket që muret e saj kanë kaluar disa faza ndërtimi dhe riparimesh, porse nuk na duket si ato të vjetrat fare, si në Kalanë e Beratit, apo në Perondi. Mbi derën e kishës duket qartë vendi i një pllake që është marrë që andej me kohë. Mbase ndonjë e dhënë e saj do të na ndihte më tepër. Xha Neshati këmbëngul te legjenda. "Ja, këtu ku jemi ka qënë një lis i madh - këmbëngul sikur të dojë të shtojë provat për legjendën që qarkullon në fshat - ai ishte shumëshekullor. Këtu mblidhej njerëzia njëherë e një kohë. Këtu është xhiruar edhe një nga skenat e dasmës në filmin Skënderbeu". Tani sikur po nisim të kuptojmë diçka. "Mos vallë kjo historia e dasmës iu ka shkrepur në kokë qëkurse u xhirua filmi këtu?", e pyesim xha Neshatin. Plaku tund kokën: "Është krejt e kundërta. Skena u xhirua këtu, sepse këtu kishte ndodhur vërtet. Neve historinë e dasmës, të parët na e kishin rrëfyer që shumë kohë para filmit". Me pak fjalë, kjo historia e dasmës na rezulton një punë fort e ngatërruar. Na duhet të pyesim edhe më dhe të hapim ndonjë libër para se të marrim vesh se ç‘ka ndodhur vërtet në oborrin e kishës së vjetër.

Në qendër të fshatit ka vetëm një lokal. Në hyrje të tij shkruhet "berber", por në të shiten pak nga të gjitha. Në disa tavolina të vogla shërbehet edhe kafe turke dhe raki. Këtu takohemi me dy të moshuar të tjerë, me xha Muhametin, që është vëllai i madh i Neshatit, dhe me xha Qazon, mik i tyre i vjetër. Edhe ata besojnë verbërisht në historinë e dasmës së motrës së Skënderbeut. "Kështu është - thotë Muhameti - madje thonë se ka qenë edhe vetë Skënderbeu atje te kisha. Na e kanë thënë pleqtë. Nuk kishin përse ta thonin kot". "Po cila nga motrat, me kë u martua, në ç‘vit, a ka ndonjë dokument?", këmbëngulim ne. "Ah, more djema. Ne kaq dimë. Kaq na kanë thënë e kaq po ju themi", e mbyll muhabetin njëri nga pleqtë. Ne përfitojmë nga qetësia e vendosur për të hedhur sytë mbi shënimet që kemi me vete.

Krushqitë e Skënderbeut ndër libra

Studiuesit e vjetër dhe të rinj tashmë e kanë bërë të qartë: motrat e Skënderbeut ishin martuar me fisnikë nga dyert e Crnojeviqit, Aranit Komnenit, Balshajve dhe Topiajve. Angjelina, motra e Skënderbeut, ishte martuar me Vladin Golemin, djalin e Aranitit. Nga kjo martesë lindi Muzaka, i quajturi "Muzaka i Angjelinës". Ky ishte ndër nipërit më të dashur dhe më besnikë të Skënderbeut. U rrop i gjallë në një shesh të Stambollit në 1464. Nga martesa mes Vlaicës, një tjetër motër e Gjergj Kastriotit, dhe Stefan Balshës, lindi Gjon Balsha, ky u muar më shumë me tregtinë me Raguzën. I vëllai, Gjergj Stres Balsha, ishte në krah të dajës në fushatën italiane të viteve 1461-1462.

Më e famshmja nga të gjitha krushqitë e Skënderbeut është martesa e motrës së tij Mamica me Muzakë Topinë, zotin e Petrelës. Nga kjo martesë lindi Reposhi. Historia e dasmës është përshkruar me ngjyrat e një romani kalorësiak nga Noli. Më 26 janar 1445, në një vend të quajtur Muzakinë - "diku mes Krujës dhe Durrësit" - thotë Noli - krerët shqiptarë u mblodhën në dasmën e motrës së Skënderbeut. Noli, ngjarjet, që u zhvilluan këtu, i cilëson "beteja homerike e Muzakinës". Si kudo e si përherë, sebepi i një sherri të përgjakshëm u bë një bukuroshe, Jerina, e bija e Lekë Dushmanit, një nga princat e Zadrimës. Lekë Dukagjini energjik dhe Lekë Zaharia i Dejës e kërkuan për martesë në të njëjtën kohë. Jerina e bukur zgjodhi Lekë Zaharinë që, me sa duket, ka qenë asokohe më i ri dhe më i përkorë se sa Leka kokëfortë. Lekë Dukagjinit nuk i mbetej zgjidhje tjetër veçse ta ftonte rivalin e tij në duel. Kështu nisi përgjakja, sepse duelin e pasoi lufta mes eskortave të të dy rivalëve. Noli - mbase duke e ekzagjeruar ca - shkruan se në këtë dyluftim mbetën 105 të vrarë dhe 200 të plagosur. Lufta ka vazhduar gjatë deri sa Vladan Gjurica dhe Kont Urani, edhe këta të dy mbetën të plagosur, ndërhynë për të qetësuar gjakrat. Lekë Dukagjini u tërhoq. Jerina mund të martohej me rivalin e tij. Por pak kohë më vonë, Lekë Dukagjini i zuri pritë ish-rivalit të tij dhe e vrau. Meqenëse Lekë Zahari nuk la pas trashëgimtarë, atëherë nëna e tij, Boza, e la Dejën në dorë të venedikasve. Të paktën kështu pat shkruar Noli duke u mbështetur te Biemmi, një prift mesjetar. Ky i fundit nuk është fort i vlerësuar nga historianët e sotëm. Por tek e fundit, sado "falsifikator i historisë", përse duhej të përdorte termin Muzakianë dhe jo ndonjë tjetër? A mos vallë Mamica dhe Muzakë Topia kanë lidhur kurorë pranë Beratit, në vendin ku vetë dhëndri do të vritej në disfatën e vetme të Skënderbeut në 1455? Vetë Berati, kryeqendra e Myzeqesë, ishte pushtuar nga osmanët, por territori rreth e rrotull binte hera-herës në duart e aleatëve të Skënderbeut. Muzakiana (Myzeqeja e sotme) nuk është veçse pak orë me kalë nga Droboniku. Vetë Skënderbeu kishte lidhur kurorë në Manastirin ortodoks të Ardenicës, jo edhe shumë larg Beratit. Ai vetë i ushtronte, sipas rasteve, ritet e të dyja kulteve të krishtera, si katolike, ashtu edhe ortodokse. A mos vallë kemi të bëjmë me kërkimin e kishave të ritit bizantin, të cilat asokohe në afërsi të Krujës duhet të kenë qenë të pakta, ose nuk ekzistonin fare? Mos vallë pleqtë e Drobonikut kanë të drejtë? Po megjithatë, përse në kishën jo fort të njohur të Drobonikut dhe jo, fjala bie, në manastiret e famshme të Perhondisë, Ardenicës, Pojanit…?

Nuk kemi ndërmend t‘i pyesim për këto gjëra miqtë tanë të moshuar. E vërteta e kësaj legjende përzihet diku mes skenës së filmit që është xhiruar këtu, mes legjendës së treguar dikur nga ndonjë i moshuar, mes asgjësë së përhershme me të cilin ka jetuar ky fshat, me hallakatjen që vjen nga dokumentet e vjetër… Mbase është më mirë që t‘i lemë fshatarët ta besojnë atë që kanë në kokë. Do të jetë njësoj si ato historitë me kalin e Skënderbeut që linte gjurmët e tij të gdhendura në shkëmb.

"Me" Obamën në fshat

"Mbaruat me këto historitë e vjetra?", pyesin të paduruar, thuajse në një gojë Muhameti dhe Qazo. "Fshati ynë i ka disa probleme që nuk po zgjidhen prej kohësh - thotë Xha Muhameti- më e para nga të gjitha është rruga që na lidh me Beratin. Është turp i Zotit që për pak kilometra të mbetemi në këtë derexhe. I hedhin nga një herë nga një dorë çakull, pastaj zënë shirat dhe çakulli rrëshket poshtë. Pastaj me ujin e pijshëm kemi plot probleme. Të mos kishin hapur puse njerëzia vetë, pisk do ta kishim punën. Kur të dilni në fshat do të shihni një tjetër hall që tani nuk ndjehet edhe aq shumë, por në verë do të bëhet një rrezik i paparë. Ujërat e zeza kanë plasur kudo nëpër rrugët e fshatit dhe askush nuk vë dorë. U bënë ca punime kohët e fundit, por tubat u vunë aq të hollë sa nuk mbajtën dhe tani kemi një fshat që rrezikohet nga epidemitë". Përballë ujërave të zeza, ajo historia e vjetër e dasmës së motrës së Skënderbeut tashmë duket si e harruar. Teksa Muhameti vazhdon të protestojë, Xha Qazua pëshpërit sikur flet me vete: "Po populli bagëti është, po çobani çfarë bën ama?!".

Pastaj tema e bisedës ka ndryshuar thellësisht. Duke folur më shumë me njëri-tjetrin se sa me ne, pleqtë nisin një muhabet për shtatë palë qejfe për Obamën, i cili një ditë më parë kishte bërë betimin. "Ky do ta ndryshojë se s‘bën politikën. Ai Bushi e teproi ca me atë punën e luftërave. Pastaj qysh i mban njerëzit ti pa i dënuar në burg?! Kjo nuk është demokraci!". Xha Qazo vazhdon të tundë kokën. "Dale, dale, prisni një herë se është shpejt për të folur", u thotë miqve. Pas pak në kafenë-dyqan të Drobonikut dëgjohet vetëm trokitja e kokrrave të tespijave të tre pleqve. Nga Skënderbeu tek Obama, goxha të përpjetë kemi ngjitur.

Nëpër rrugicat e vjetra

"Te ky kroi këtu mblidheshin dikur burrat e krishterë dhe bënin muhabet me njëri-tjetrin", Xha Neshati bën me dorë nga një krua ku një nuse e re dhe një vajzë e vogël po mbushin ujë. Fshati tani është krejt mysliman, por dikur familjet e krishtera kanë qenë në numër të konsiderueshëm. Një pjesë banorë të hershëm të fshatit, të krishterët duhet të jenë shtuar pas 1769, kur thuajse e gjithë popullsia e Voskopojës vërshoi drejt Beratit dhe Myzeqesë. Por të krishterët, pak nga pak, janë shpërngulur për në qytet. Xha Neshati na thotë se dy familjet e fundit kanë ikur nga Droboniku aty nga vitet ‘60 të shekullit të kaluar. "Pasardhësit e njërës prej atyre familjeve janë duke u kujdesur tani për kishën e Shën Mitrit.

Droboniku (sllavisht: thysë, pjesë) në fakt, është një fshat i vjetër. Emri i tij del në regjistrimin që osmanët bënë që në 1432. Asokohe ishte një timar me 20 shtëpi. Pastaj duket sikur ritmi i jetës në këtë vend përballë Tomorrit ka vazhduar pa ndryshuar prej shekujsh të tërë. Duke u ruajtur të mos shkelë mbi rrëkenë e ujërave të zeza që zbret teposhtë, xha Neshati na tregon disa nga shtëpitë e vjetra që mbahen ende në këmbë. "Kjo është shtëpia e filan fisi, kjo tjetra e kushërinjve tanë, kjo këtu… Kurse kjo ku jemi është shtëpia ime. Tani është e mbyllur. Vjen nganjëherë djali të mbledhë ndonjë ulli apo në kohën e qershive, pjesën tjetër të kohës është bosh". Mësimi ka mbaruar, fshati është bërë edhe më i heshtur seç ishte në fillim. Vetëm ndonjë shtëpiake shpejton të mbledhë teshat në oborr, e frikësuar nga ca re të zeza që kanë nisur të grumbullohen mbi shtëpitë e Drobonikut. Ne kthejmë edhe një herë pranë kishës. Të jetë e vërtetë ajo puna e dasmës së 564 vjetëve më parë? A thua pikërisht ky shesh të jetë arena e asaj gjakosjeje homerike në një ditë të janarit 1445? Kot e vrasim mendjen. Ka shumë gjasë që e vërteta e saj të mos merret vesh asnjëherë. Shumë ujë ka rrjedhur që atëherë.

Dyshimet e Kristo Frashërit

"… Nuk ka dyshim se tregimi i Biemmi-t është fund e krye një përrallë ‘tërheqëse‘, ndonëse tragjike dhe me disa pikëpyetje. Për shembull, nuk kuptohet përse Biemmi dasmën nuk e vendos as në Krujë (në shtëpinë e nuses), as në Petrelë (në shtëpinë e dhëndrit), por në Muzakianë (Myzeqe), një fushë e cila, nuk ndodhet, siç thotë Noli, midis Krujës dhe Durrësit, por shumë larg tyre. Kush i njeh zakonet shqiptare (madje jo vetëm shqiptare) pyet: si është e mundur që Skënderbeu, siç thotë Biemmi, nuk ndodhej në dasmën e motrës së vogël, kur dihet se pas vdekjes së Gjon Kastriotit ai ishte për Mamicën jo vetëm vëlla, por edhe prind? Më tej lind pyetja tjetër: si është e mundur që përballë degjenerimit të dasmës së motrës së vet në një tragjedi, në një fushë të mbushur me qindra të vrarë, me dasmorë që ua mbathin këmbëve të lebetitur, me gra që ulërijnë nga tmerri i përleshjes, Skënderbeu as kur e mori vesh gjëmën nuk reagoi ndaj shkaktarëve të tragjedisë? Nëse u shton këtyre dobësive edhe faktin se deri sot nuk ka dalë në dritë asnjë indikacion dokumentar që të flasë qoftë edhe tërthorazi për tragjedinë e Muzakinës, lind pyetja: përse F. Noli e ka pranuar këtë pjellë të fantazisë së priftit italian si preludin e luftës së shqiptarëve kundër venedikasve?

Me këtë rast duhet thënë se dhe gojëdhëna që qarkullon sipas së cilës dasma e Mamicës është bërë në kalanë e Prezës nuk ka mbështetje dokumentare.

Në lidhje me këtë çështje M. Barleti është më historian se G. Biemmi. Ai nuk e zë fare në gojë këtë ngjarje tragjike. Madje, edhe martesën e Mamica Kastriotit e kalon vetëm me një rresht. Humanisti shkodran thotë se Lekë Zakaria u vra në pusi me të padrejtë nga Lekë Dukagjini, në kohën kur shqiptarët me Skënderbeun në krye qenë të angazhuar në luftën kundër ushtrive turke të kryesuara nga Mustafa Pasha (shtator 1446). Pastaj ai vazhdon: "Unë shoh si arsye të grindjes dhe si shkak të pusisë se nuk ka qenë gjë tjetër veçse lakmia e prapë për të mbretëruar, ves ky i ëmbël që e kanë në gjak. Këta ishin dy princër fqinj ndërmjet tyre, por Dukagjini, duke parë se Zakaria ishte pa fëmijë, pra pa asnjë shpresë për trashëgimtar legjitim, e zhduku atë nga kjo botë dhe njëkohësisht bëri për vete shpejt e shpejt me mënyra të kobshme pjesën më të madhe të mbretërisë së tij, duke menduar se ai që do ta pushtonte këtë i pari, kishte për t‘u bërë kollaj zot i saj". Por, sipas Barletit, banorët e Danjës e kundërshtuan synimin e Lekë Dukagjinit. Ata mbajtën anën e Bozës (D.Farlati, Illyricum Sacrum, VII, 240 e quan Roza), nënës së Lekë Zakarisë, e cila ua dorëzoi zotërimin e të birit venedikasve të Shkodrës. "Kështu - përfundon Barleti - venedikasit morën përsipër përgjegjësinë e rëndë të luftës kundër princërve shqiptarë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›