E Diel, 1 Nëntor 2026

FRIKA NGA TURPI

1.

Sapo përfundoi betimin për President të SHBA-ve, para se ta mbante fjalimin inaugurues dhe para se ta dorëzonte celularin e tij "Blackberry", Barack Obama dërgoi mesazhin e tij të fundit SMS, ashtu siç kishte bërë si qytetar i thjeshtë.

Mesazhi iu drejtua Martin Luther Kingut, në Parajsë.

Ishte i thuktë:

"Bac , u kry!".

(Barsoletë që filloi të qarkullojë në Prishtinë, të mërkurën, më 22 janar, një ditë pas inaugurimit të Presidentit Obama)

2.

Shakaxhiu anonim kosovar hiperbolizoi, siç është edhe vetë natyra e shakasë, një ndjenjë që pamë që të gjithë, në rruzullin tokësor me rastin e inaugurimit të Presidentit të ri amerikan, e që i përafrohej asaj të çlirimit, të çlirimit kolektiv.

Të çlirimit nga turpi, do të thoshte Coetzee.

Dikund në Australi, në izolimin e tij të thellë (nuk pi, nuk ha mish, e kalon tërë darkën, si i ftuar, pa folur një fjalë, nget biçikletën me dhjetëra kilometra për të mbajtur kondicionin) do të ketë ndarë ndenjën e çlirimit nobelisti australian (ish-jug-afrikan) JM Coetzee. Më 2007 do të botonte romanin e tij mjeshtëror "Ditari i një viti të keq" (Vintage, Londër), një vepër krejtësisht e pazakontë, me faqe të ndara me vijë në tri pjesë, çdonjëra me logjikën e vet narrative. Në të parën do të zhvillohej një ese e gjatë e një shkrimtari të vjetër australian, dërguar një botuesi gjerman. Në të dytën, narracioni i sekretareshës së tij tipografike, një vajze joshëse filipino-australiane, e cila e impresionoi fillimisht me mënyrën se si i ngjiteshin për trupi pantallonat. Në të tretën, narracioni i marrëdhënies mes sekretareshës dhe dashnorit të saj, një spekulant financiar.

Në njërën prej eseve, shkrimtari merret me torturën. "Një artikull i ‘New Yorker‘ bën krejtësisht të qartë se administrata amerikane, me rolin prijës të Richard Cheney, jo vetëm lejon torturën ndaj robërve të zënë në të ashtuquajturën luftë kundër terrorit, por është aktive në çdo mënyrë për të zhvlerësuar ligjet dhe konventat që ndalojnë torturën".

Pafytyrësia e administratës, e cila është e zgjedhur legalisht por e vendos veten mbi ligjin, thotë shkrimtari, është fare e pazakontë, dhe pastaj duke cituar Demostenin, thotë: "Ndërsa skllavi i frikohet vetëm dhembjes, asaj që i frikohet më së shumti njeriu i lirë është turpi. Nëse e pranojmë si të vërtetë atë që thotë ‘New Yorker‘, atëherë çështja për individin amerikan bëhet morale: si të sillem, nën dritën e turpit, të cilit i jam nënshtruar?

Si ta shpëtoj nderin tim?".

3.

Nëse një pjesë e euforisë popullore, e manifestuar me inaugurimin e Obamës, ishte në kontekstin e romanit të Coetzees, "shpëtim nderi" nga turpi i administratës së kaluar, një pjesë tjetër e rëndësishme e euforisë kishte të bënte edhe me ngjyrën e lëkurës së Presidentit të ri. I zgjedhur në një vend, ku siç tha në fjalimin e tij inaugurues, babait të tij para gjashtëdhjetë vjetësh nuk iu lejua hyrja në një kafeteri, për shkak të ngjyrës së lëkurës, Obama personifikon, edhe vizualisht, bashkimin racor, Amerikën e re, e cila ka tejkaluar ndarjet e veta të dhimbshme, diskriminimin.

Për autorin e romanit, të lindur e të rritur në Afrikën e Jugut, ekziston "pesha e çnderimit", mbi supet e gjeneratave që trashëguan diskriminimin, ekziston edhe trashëgimia e çnderimit. Jo vetëm për ata që u çnderuan, pra zezakët, por edhe ata që kryen çnderimin, të bardhët.

"Historia nuk ka jetë, nëse nuk i jep strehë në vetëdijen tënde: është një barrë, e cila nuk mund t‘i imponohet njeriut të lirë", shkruan eseisti në roman.

Miliona njerëz të lirë kremtuan në Uashington heqjen e barrës historike të çnderimit.

4.

Inaugurimi i Obamës u shndërrua, kështu në një akt moral, madje një akt moral kolektiv. Dhe Presidenti i ri nuk e fshehu këtë në fjalimin e tij, duke ripërsëritur disa herë nocionin e politikës, e cila ndërtohet mbi vlera që e themeluan shtetin amerikan, vlera të lirisë, që siç tha ai, nuk duhet t‘u nënshtrohen nevojave imediate, gjegjësisht nuk mund të shndërrohen në dilemën artificiale mes idealeve dhe sigurisë.

Këtë dilemë që përshkruan Obama, Coetzee e kishte përshkruar dy vjet më herët, në esenë për Machiavellin. "Bota sundohet nga nevoja, thotë njeriu në rrugë, jo ndonjë kod abstrakt moral. Ne duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë". Dhe, shkrimtari, ashtu siç do të bëjë Presidenti dy vjet më vonë, mendon se nuk duhet adresuar kundërthënia (artificiale, thotë Obama, mes idealeve dhe sigurisë), por duhet adresuar çështja thelbësore, nevoja. E, këtë, pra nevojën, Obama po përpiqet ta definojë në kontekst të sigurisë globale, partneriteteve globale, vlerave për të cilat Amerika ende identifikohet si vend prijës, me fjalët e themeluesve të shtetit, vend i njerëzve që janë të lirë për të "ndjekur rrugën e lumturisë".

5.

Kur përfundoi fjalimi i Obamës, një mik më dërgoi një SMS zhgënjimi. Ishte aq i entuziazmuar me fjalimin e tij, sa që kishte hyrë në depresion të thellë kur e kishte krahasuar me fjalorin politik të Prishtinës. E kishte goditur banaliteti i përditshmërisë politike kosovare, ndërsa dëgjonte fjalimin e mbështetur në ide dhe vlera të mëdha intelektuale.

Në esetë e romanit të Coetzes u përpoqa të gjej një kaptinë për banalitetin. Nuk ishte.

Një kaptinë e tillë do të më ndihmonte, mendoja, që prej kësaj perspektive të përshkruaj për mikun tim gjendjen e tij, individuale dhe kolektive, ashtu siç kishte përshkruar për amerikanët, problemin e tyre në "vitin e keq".

Në vend të një kaptine të tillë, gjeta një mendim të eseistit në roman: "Pse është kaq vështirë të thuash gjithçka rreth politikës nga jashtë politika? Pse nuk mund të ketë diskurs politik që nuk është vetvetiu politik? Për Aristotelin, përgjigjja është se politika është e ndërtuar brenda natyrës njerëzore, pra është pjesë e fatit tonë, siç është monarki fati i bletëve. Të përpiqesh për një diskurs sistematik mbipolitik për politikën është e kotë".

Porosi jo shumë konvencionale e autorit, që shkroi një roman me përmbajte esesh politike, por dosido porosi që e përcollën me instinkt amerikanët, të cilët e ndryshuan vendin e tyre, duke kuptuar se këtë duhej ta bënin me natyrën aristoteliane njerëzore, me politikë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›