Droga, Shullazi rrezikon 18 vjet burg
TIRANË - Emiliano Shullazi, një personazh i njohur i botës së krimit, rrezikon dënimin me 18 vjet heqje lirie nëse shpallet fajtor për krijimin dhe organizimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Dolorez Musabelliu, prokurore e Krimeve të Rënda, zbërtheu para gjykatës gjithë skemën e trafikut të heroinës, që të pandehurit Emiliano Shullazi dhe Ergys Ferhati drejtonin nga Shqipëria. Skema e trafikut sipas prokurorisë nisi në Turqi rreth vitit 2004, kur një furnitor turk me emrin Mehmet dërgon për llogari të Shullazit një sasi të konsiderueshme heroine, e cila kishte si destinacion përfundimtar Italinë. Sipas prokurorisë, përgjatë viteve 2007-2005, anëtarët e rrjetit shqiptar të trafikut të drogës kanë dërguar nga Turqia në Itali një sasi prej 150 kilogramësh heroinë dhe përzierës. Në këtë rrjet janë evidentuar edhe disa korrierë kroatë, të cilët janë prangosur në Milano për llogari të drejtësisë italiane. Ishte pikërisht Antidroga e shtetit fqinj, që vuri në dispozicion të prokurorisë shqiptare një sërë provash të rëndësishme, mes të cilave edhe 72 përgjime telefonike, nga të cilat del se Emiliano Shullazi, i prezantuar si Anton Nikolli dhe Ervin Ferhati, i njohur si Ergys Ferhati, janë personat që drejtojnë organizatën kriminale. Episodet e trafikut të heroinës për të cilat akuzohen dy të pandehurit Shullazi dhe Ferhati sipas organit të akuzës nisin më 10 qershor 2004, kur Lutfi Shabani (Ben Çami, tashmë i arrestuar) në bashkëpunim me Shqiptar Gubetinin kanë furnizuar me 100 kg substancë përzierës organizatën e drejtuar nga Erges Ymeraj. Episodi i dytë është regjistruar në periudhën kohore 16-18 gusht të vitit 2004, kur Erges Ymeraj, Landi Baçi dhe Ervin Ferhati, në bashkëpunim me furnitorin turk me emrin Mehmet, si dhe me korrierin Nevzdet Haziri (i arrestuar në Itali), kanë trafikuar 10 kg heroinë. Droga është furnizuar nga Turqia dhe përmes Shqipërisë është eksportuar në Milano të Italisë. Më datë 18 shtator 2004, gjatë kontrollit të ushtruar në autoveturën me targë kroate ZG2879 K, me të cilën ka qenë duke udhëtuar korrieri Nevzdet Haziri, janë gjetur dhe sekuestruar 20 pako me peshë totale 10 kg. Lënda narkotike ishte e destinuar për të pandehurit Ervin Ferhati dhe Emiliano Shullazi. Të gjithë këto ngarkesa heroine dhe përzierësi sipas prokurorisë janë transportuar në rrjetin Turqi-Shqipëri-Itali nëpërmjet korrierëve të arrestuar nga italianët Branko Govedarovich, Strago Zagoi dhe kosovarit Nevzdet Haziri. Korrierët e heroinës drejtoheshin me telefon nga të pandehurit Shullazi dhe Ferhati dhe kryenin dorëzimin e mallit kryesisht me makina me targa kroate, por edhe biçikleta. Kështu, Prokuroria për Krime të Rënda pas një viti e gjysmë procesi gjyqësor zbardh gjithë skemën e trafikut për të cilin akuzohen dy të pandehurit e organizatës kriminale. Për akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe krijimin e drejtimin e organizatës kriminale, prokuroria kërkoi dënimin me nga 18 vjet heqje lirie për Emiliano Shullazin dhe Ergys Ferhatin, të arrestuar në kuadër të operacionit “Identikit”.