Vdekja e Trebickës

Ekspertët shqiptarë plotësojnë boshllëqet e raportit Teter
KORÇË - Ekspertët shqiptarë të çështjes “Trebicka” pas një jave do të dalin në përfundimet e asaj që ka ndodhur ditën e vdekjes së biznesmenit të njohur Kosta Trebicka. Por ajo që duket se është më kryesorja në këtë akt kontrolli të kryer nga ekspertët shqiptarë dhe amerikanë, do të ketë përfundime për pika mjaft të rëndësishme që nuk dihet pse nuk janë përfshirë në raportin përfundimtar të ekspertit të ardhur posaçërisht nga SHBA për këtë ekspertizë. Dosja “Trebicka” është përfshirë nga kolapsi i ekspertizës autoteknike të ekspertëve shqiptarë. Do të jenë këta të fundit, që bashkë me shpejtësinë, por edhe elemente të tjerë do të plotësojnë të gjithë boshllëqet apo të pathënat e amerikanit Kevin Teter. Më pas, aktet do të ballafaqohen me njëra-tjetrën për të dhënë dhe dinamikën sa më reale të lëvizjes së automjetit në momentin e fundit para vdekjes. Pas ekspertizës autoteknike që ka mbërritur gjatë javës së kaluar nga SHBA, në Prokurorinë e Korçës duket se mjaft pikëpyetje kanë mbetur të pazbardhura për ekspertët shqiptarë. Sipas burimeve të mirinformuara pranë organit të akuzës në juglindje, mësohet se eksperti amerikan ndonëse pretendon në bazë të përllogaritjeve të tij se makina ka bërë një kthesë të fortë të papritur, nuk jepen elemente të mjaftueshëm dhe të bindshëm për atë se çfarë e ka detyruar drejtuesin e mjetit tip “Nissan Patrol” me targë TR 8843 J të bëjë këtë veprim nga e majta, ndërkohë që ka mbetur gjithashtu e hapur edhe çështja se pse makina ka qenë e ndezur dhe në afolio. Kjo është një nga pikat më të nxehta dhe më të diskutueshme gjithashtu të çështjes “Trebcika” pas aktit të kontrollit të mbërritur nga SHBA-të nga eksperti amerikan KevinTeter. Madje, ai nuk jep detaje edhe për sa i përket shpejtësisë me të cilën lëvizte makina gjatë momentit të aksidentit, ndonëse përllogaritje për këtë ai i ka kryer, ndërsa nga momenti i parë i ekspertizës, burime të kësaj prokurorie kanë bërë të ditur për gazetën se mjeti lëvizte me më pak se 40 km/orë. Nuk dihet pse Teter u përpoq të anashkalonte shpejtësinë, gjë që është thelbësore në një ekspertim të këtij lloji, teksa do të jenë shqiptarët, ata që do të bëjnë këtë gjë. Kështu, dosja në fjalë ka mbetur ende e hapur dhe prokuroria është në pritje të tabulateve telefonike, që duket se janë vonuar së tepërmi nga kompania celulare AMC. Më pas do të jetë edhe ky ekspertim i specialistëve shqiptarë për aksidentet automobilistike, të cilët do të japin me detaje dinamizmin e aksidentit, por dhe duke iu përgjigjur të paktën pyetjeve përse mjeti pas aksidentit, nëse ka pasur saltot e tij dhe disa rrotullime, ka dalë në afolio dhe jo në marsh, siç ndodh rëndom në çdo aksident, dhe ajo që duket se është më e rëndësishmja, çfarë e ka detyruar viktimën Kosta Trebicka të kryente një lëvizje të tillë të timonit të menjëhershëm majtas, kur rruga ka qenë e hapur dhe nuk ka pasur pengesa që nuk vihen re. Gjithsesi, ekspertët duket se do të kenë në dispozicion edhe këtë javë për të përpiluar aktin e tyre përfundimtar autoteknik, ndërsa kanë kryer matjet e tyre gjatë ekspertizës së përbashkët me ekspertët amerikanë, por duke punuar secili për llogari të vet. Kështu, akti i kontrollit të Kevin Teter duket se është me mjaft mangësi, të cilat ndonëse dalin në konkluzionin se në aksidentin automobilistik nuk mund të përligjen detaje të tilla, si mosllogaritja e shpejtësisë me të cilën lëvizte mjeti gjatë aksidentit etj. Sipas të njëjtit burim, në prokurorinë e juglindjes ekspertët i kanë ndarë punët e tyre, duke punuar në dy drejtime, ndërsa më pas, kur të kenë hartuar aktin përfundimtar, do të ketë një ballafaqim me atë të ekspertit amerikan, porse do të jetë më i detajuar në pika të ndryshme të tij, ndryshe nga sa është shprehur Kevin Teter. Gjithsesi, vdekja e Kosta Trebickës pak pas mesditës të 12 shtatorit të këtij viti duket se është edhe çështja më e rëndësishme që Prokuroria e Korçës ka në dorë përgjatë vitit 2008.