Si lindën dhe u shitën bizneset fantazmë të Fazliçit në Shqipëri

Perandoria e bizneseve të Damir Fazliç, shtetasit boshnjak të ndaluar për disa orë në fundjavë nga policia boshnjake, mund të konsiderohet gjithsesi një perandori në hije.
Perandoria e bizneseve të Damir Fazliç, shtetasit boshnjak të ndaluar për disa orë në fundjavë nga policia boshnjake, mund të konsiderohet gjithsesi një perandori në hije. Kjo, pasi asnjë lloj informacioni nuk ekziston për aktivitetin e firmave që ai ka krijuar, megjithëse njëra prej tyre, “Crown Acquisitions”, është shitur mjaft shtrenjtë një tjetër firme, po ashtu fantazmë, me qendër në Qipro. Historia e lidhjeve të Fazliçit me Shqipërinë dhe po ashtu e firmave të tij këtu, nis njëkohësisht me rikthimin e Berishës në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005. Megjithëse lidhja e boshnjakut me liderin e opozitës së asaj kohe ishte pak më e hershme, pasi ishte Fazliç, ai që ndërmjetësoi lidhjen e kontratës mes PD-së dhe kompanisë amerikane “BG&R” për organizimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 3 korrikut, ku shpërblimi për kontributin e tij në fitoren e 3 korrikut nisi pas ardhjes në pushtet të demokratëve. Sipas dokumenteve dhe fakteve të paraqitura mbrëmë në emisionin “Faktori plus”, që u transmetua në televizionin “Vizion Plus”, “brenda javës së parë të pushtetit të ri në vitin 2005, Fazliç krijoi për dy ditë tri kompani. Selia e kompanive fantazmë ishte shtëpia e vjehrrit të Lulzim Bashës, ndërsa administrator i të gjitha kompanive u zgjodh Erion Isufi, vëllai i gruas së Bashës”.
“Crown Acquisitions”Më 19 shtator 2005, Damir Fazliç ka themeluar edhe shoqërinë “SFR Developments”. Në 20 shtator 2005 regjistrohet firma e parë, “Croen Acquisitions”. Sipas faksimileve të vendimit të themelimit të shoqërisë, selia e saj është banesa e Erion Isufit, kunatit të Lulzim Bashës. Ndërkaq, në faqen pasardhëse të vendimit, aty ku është shënuar adresa e administratorit të firmës, Erion Isufit, rezulton se ajo është e njëjta adresë me atë të selisë së shoqërisë. Në po të njëjtën ditë regjistrohet në gjykatë edhe firma “Crown Acquisitions”, me të njëjtin status, me të njëjtën seli dhe me të njëjtin administrator: kunatin e Lulzim Bashës. Statuset e këtyre tri firmave me ortak Damir Fazliç, administrator kunatin e Bashës dhe seli rrugën “Shinasi Dishnica”, pallati 2, fraksion 4, kanë saktësisht të njëjtin objektiv. Ato synonin operimin në tregun e pasurive të paluajtshme, duke zhvilluar projekte ndërtimi, zhvillim urban, shitblerje dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme, dhënien e konsulencës ekonomike, tregtare dhe financiare për ndërmarrjet e ndryshme.
“Crown Acquisitions” u regjistrua edhe në organet tatimore dhe mori numër NIPTI. Por dokumentet vërtetojnë se firma nuk kreu asnjëherë aktivitet tregtar në Shqipëri, deri në vitin 2007. Për këtë shkak ajo ka marrë rregullisht gjoba nga tatimet, megjithëse nuk ka paguar asnjërën prej tyre, çka tregon për sigurinë që kishte drejtuesi i saj se nuk do të prekeshin nga shteti. Në maj 2007, Fazliç e shet “Crown Acquisitions” për një shifër prej 1 milion e 750 mijë eurosh tek “Altaria Research Limited”, një tjetër kompani fantazmë me seli në Qipro dhe me aksionerë anonimë. Por sipas të dhënave, përfaqësuesit e kompanisë qipriote nuk erdhën kurrë personalisht në Shqipëri, për të nënshkruar aktin e blerjes. Ata lëshuan një prokurë të posaçme që autorizonte avokaten Flutura Kola, e njohur si bashkëpunëtore e Argita Berishës, të nënshkruante dokumentet. Kjo prokurë u nënshkrua më 14 maj të vitit 2007, në të njëjtën kohë kur Fazliç kishte marrë vendim ta shiste kompaninë tek qipriotët. Vetë vajza e kryeministrit Berisha kishte deklaruar publikisht gjatë një interviste në një televizion kombëtar, se Flutura Kola është bashkëpronare me 50 për qind të aksioneve në blerjen e zyrave për studion e saj dhe kanë krijuar bashkë studion “Kola & Malltezi”, e cila më pas është ndarë në dy studio të tjera.
Firmat e tjeraFazliç themeloi më 19 shtator firmën “Virtu Acquisitions”. Administrator ishte sërish kunati i Lulzim Bashës. Sipas të dhënave, 55 për qind të aksioneve të kësaj firme janë shitur tek një ish-futbollist i “Partizanit” të Beogradit. Fazliç mban ende 45 për qind të aksioneve dhe firma vazhdon të ketë për administrator kunatin e Lulzim Bashës. Selia është zhvendosur te kullat binjake. Kompania tjetër “DF Trade Limited”, që përkthehet Damir Fazliç Trade Limited, po ashtu i ka shitur boshnjako-gjermanit Abdilgafar Ramadanit 50 për qind të aksioneve dhe ka selinë në të njëjtin vend me kompaninë tjetër. Pasi ka shitur kompaninë “Crown Acquisitions” në Qipro, Fazliç ka hapur një kompani të re me emrin “Alfa” në shtator të vitit 2007. Regjistrimin e kompanisë e ka bërë Johana Qeleshi, po ashtu pjesëtare e studios së Argita Berishës, ndërsa eksperte kontabël është Shpresa Breçani, që njihet si mbesa e kryeministrit Sali Berisha.