E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazliç, i pastër me tatimet

Të gjithë bizneset e Fazliç rezultojnë pa shkelje në zyrën e Tatim-Taksave në Tiranë. Burime pranë këtij institucioni vënë në dukje se pasqyrat financiare të hartuara nga ekspertët kontabël përkatës rezultojnë pa shkelje dhe të deklaruara konform rregullave. Sipas të njëjtave burime, bilancet e hartuara janë dorëzuar brenda afatit të përcaktuar me ligj, ndërkohë që nga ekspertizat paraprake kanë qenë tërësisht të rregullta. Ndërkohë, rezulton se aktivitetet financiare të Damir Fazliç në Tiranë nuk janë ndëshkuar ndonjëherë që prej vitit 2005, pasi sipas ekspertëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, mundësia e gjobitjes nuk ka ekzistuar si pasojë e rregullsisë së pasqyrimit financiar.

Aktivizimi i Fazliç

I njohur si një nga biznesmenët më të suksesshëm të Ballkanit, Damir Fazliç ushtron aktivitet në Shqipëri nëpërmjet biznesit të pasurive të paluajtshme dhe sektorit të ndërtimit. Gjithashtu, duket se biznesmeni ka qenë mjaft aktiv edhe gjatë rinegocimit të marrëveshjes për shitjen e Albtelekomit tek pala turke, marrëveshje e cilësuar si një nga më të suksesshmet e qeverisë “Berisha”. Pas pezullimit të bisedimeve midis qeverisë shqiptare të mëparshme me palën e turke të “Çalik Group”, duket se ka hyrë në mes biznesmeni Fazliç, i cili i ka premtuar Berishës për rikthim të bisedimeve, duke u bërë vetë aktor kryesor në ndërmjetësime. Duket se roli i tij ka qenë thelbësor në shitjen e gjigantit shqiptar të telefonisë, pasi pas jo më shumë se tre muaj negocime, “Albtelekom sh.a” u privatizua nga turqit, me të cilët Fazliç kishte ndërmarrë negocime.

Kompanitë

Rreth tre vite më parë, Damir Fazliç regjistroi dy firma të ndryshme, atë  “Virtu Acquisitons” dhe “SRF Development”. Pas vetëm dy ditësh, Fazliç regjistroi sërish edhe një firmë të tretë, të cilën e quajti “Crown Acquisitions”. Në fakt, të tria firmat e sipërpërmendura janë regjistruar në tatim-taksa nën administrimin e Erion Isufit. Nga analizimi i dokumenteve vihet re që firmat ndryshojnë vetëm nga emri. Aktiviteti i firmave është operimi në tregun e pasurive të paluajtshme duke zhvilluar projekte ndërtimi dhe të zhvillimit urban, shitblerje dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme, dhënien e konsulencës ekonomike tregtare dhe financiare për ndërmarrjet, por edhe tregtimin, import-eksportin dhe magazinimin e mallrave të ndryshëm. Po kështu, të tria firmat kanë të njëjtën adresë si selinë e tyre qendrore, adresë që administratori Isufi ka lënë si vendbanimin e tij.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›