E kam mik

Berisha kërcënon: Do sjell Fazliç këtu. Di shumë gjëra. Do të hap dosjet
Emri Damir Fazliç ka qenë kryetema e diskutimeve të mbrëmshme parlamentare, ku kryeministri Sali Berisha ka pranuar lidhjet e tij me këtë biznesmen, i cili akuzohet nga opozita për një mori shkeljesh dhe aferash korruptive në të cilat është i përlyer edhe vetë kryeministri i vendit, Berisha. Paralajmërimin e opozitës për një mocion për debat, kreu i qeverisë e ka transformuar, duke e marrë për një mocion mosbesimi ndaj tij. “Ju jap fjalën, se jam i disponueshëm kur të doni, për të bërë një jo një mocion, por mocionin maratonë ndaj kryeministrit. Nëse nuk jua mban, ajo është puna juaj. Unë di shumë gjëra, por nuk i them. Dua që të përgatiteni për transparencën më të madhe të historive të këtij vendi të arkivit së krimit. Unë vetëm kaq dua. Kam mbajtur një heshtje, që mezi kam qëndruar i tillë”, tha Berisha, duke kërcënuar deputetët e opozitës se zotëron disa dosje ndaj tyre, të cilat do t’i përdorë. Më tej, Berisha tha se, në rast se opozita dëshironte, mund të sillte në sallën e parlamentit edhe vetë biznesmenin boshnjak Damir Fazliç. Pavarësisht se kreu i qeverisë tha se është i gatshëm për të folur para deputetëve për lidhjet me Fazliçin dhe gjithçka donin të dinin deputetët e opozitës, pasi ka mbaruar “kërcënimin” e tij, u ngrit dhe doli nga salla e parlamentit.
OpozitaPas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha ka reaguar menjëherë kryetarja e grupit kuvendar socialist Valentina Leskaj, e cila e cilësoi deklaratën e Berishës si një ngjarje të turpshme për parlamentin. “Është një ngjarje e turpshme, ku kryeministri i vendit, i cili akuzohet rëndë për afera të pista korruptive, vjen këtu dhe kërcënon parlamentin dhe deputetët. Na kërcënon me Damir Fazliçin, se do ta ftojë këtu. Është mirë ta ftojë, por ta ftojë në shtëpinë e tij dhe jo në parlament, sepse parlamenti nuk është vendi ku kryeministri mund të sjellë Fazliçët. Parlamenti është një institucion i shenjtë”, tha Leskaj. Ajo shpjegoi se opozita ka kërkuar ndaj kryeministrit Berisha mocion për debat, dhe ai nuk ka pse të trembet nga debati dhe nga e vërteta. Kryetarja Leskaj iu kundërpërgjigj me vendosmëri deklaratës së Berishës për çështjen e dosjeve ndaj deputetëve të opozitës, duke thënë se kjo është një deklaratë që ka tre vite e gjysmë që bëhet nga kryeministri. “Dua t’i them kryeministrit, se ne kemi kërkuar mocion për debat dhe është ai vetë që trembet nga debati. Nuk ka pse të trembet nga të vërtetat. Ne nuk trembemi nga të vërtetat. Ka tre vite e gjysmë që thotë se kam dosje. Ku i ka dosjet?! T’i sjellë këtu, në qoftë se i ka. Kjo do të thotë që mashtron. T’i sjellë këtu dosjet dhe kur të vijë për mocionin për debat, le të vijë me dosje, por do të dëgjojë edhe dosjet tona”, tha Leskaj në deklaratën e saj.