Hapa përpara

Arabia Saudite paralajmëron njohjen e Kosovës
Pas një periudhe hezitimi, bota arabe po ndryshon qëndrim, duke vendosur të përkrahë shtetin e vogël ballkanik të Kosovës, në përpjekjet e tij për t’u njohur ndërkombëtarisht. Pikërisht dje Arabia Saudite paralajmëroi njohjen e Kosovës, si dhe ndikimin e saj që edhe vendet e tjera myslimane të ndjekin këtë qëndrim. Sipas agjencisë “Kosovalive”, përfaqësuesi i përhershëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite në OKB, Abdullatef Sallam, gjatë takimit me shefin e diplomacisë kosovare, Skënder Hysenin, premtoi se ky vend me shumë ndikim në botën arabe, shumë shpejt do të marrë vendimin për njohjen e shtetit të Kosovës. Ministri i Jashtëm kosovar u shpreh se një vendim i tillë do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë shtetin e sapolindur të krijojë stabilitet politik dhe ekonomik. Hyseni po vazhdon aktivitetin e tij lobues në Nju Jork, në kuadër të të cilit përfshihej takimi me përfaqësuesin e Arabisë Saudite në OKB. Sipas një deklarate për shtyp nga zyra e ministrit të Jashtëm kosovar, Hyseni, e njohu Sallam me arritjet e Kosovës në kohën e realitetit të saj të ri të pasluftës, me theks të posaçëm tek zhvillimet dhe progresin pas shpalljes së pavarësisë. Ai e falënderoi përfaqësuesin saudit për ndihmën e madhe që ka dhënë Mbretëria për Kosovën gjatë viteve të pasluftës. Ministri po ashtu kërkoi që Arabia Saudite të votojë kundër projekt-rezolutës serbe për Kosovën, me të cilën do t’i kërkohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë një vlerësim për legalitetin e shpalljes së pavarësisë nga ana e Kosovës. Ndërkaq, Sallam tha se populli saudit, mbreti i tyre dhe qeveria janë pranë popullit të Kosovës dhe kanë qenë pranë tij edhe në ditën e shpalljes së pavarësisë. “Mbretëria e Arabisë Saudite do të marrë shpejt vendimin për njohjen e Kosovës”, përfundoi ai. Hyseni u takua edhe me ambasadorin e Republikës së Bashkuar të Tanzanisë në OKB, Augustin Mahiga, nga i cili kërkoi gjithashtu njohjen për Kosovën nga Tanzania dhe votën kundër projektrezolutës serbe. Hyseni kërkoi ndihmë nga ky vend udhëheqës i radhës së Unionit Afrikan, për të sensibilizuar vendet anëtare që të mos e përkrahin nismën serbe dhe që të njohin pavarësinë e Kosovës sa më parë që të jetë e mundur.
Parlamenti malazez miraton rezolutënPas 7 orësh debat, parlamenti malazez miratoi në orët e vona të së premtes rezolutën për përshpejtimin e integrimeve evropiane të Malit të Zi në strukturat evropiane dhe euroatlantike, e propozuar nga koalicioni qeverisës. Rezoluta në fjalë, e cila mori votën e 45 deputetëve të partive të koalicionit, mes të cilëve edhe deputetë shqiptarë e boshnjakë, do të shërbejë si bazë për përcaktimin e këtij vendi fqinj ndaj pavarësisë së Kosovës. Në rezolutë thuhet se Mali i Zi është i gatshëm të konfirmojë realitetin politik, të cilin anëtarët e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s e vlerësojnë si të rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe ndjekë politikën që është në kursin e përcaktimeve të saj evropiane dhe euroatlantike. “Kjo (rezoluta) do të jetë bazë për përcaktimin e Malit të Zi ndaj çështjes së Kosovës”, thuhet në dokumentin e miratuar. Lidhur me Kosovën, kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç, theksoi se Mali i Zi do të ndjekë politikën realiste dhe atë që e ndjek edhe Brukseli. Sipas tij, njohja nga Podgorica do të vijë shumë shpejt. Sipas tij, nuk ka nevojë të pritet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse Kosova është çështje politike dhe jo juridike. Ai ka thënë se nuk brengoset për mendimin e Beogradit pas këtij akti të Malit të Zi, sepse Beogradi e ka humbur Kosovën me politikën e gabueshme. Deputetët e Listës Serbe paralajmëruan se, në rast të njohjes, ata do të ftojnë qytetarët për protesta, të cilat mund të përfundojnë me ndërrimin e pushtetit.