E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga, arrin në 40 mijë vetë numri i përdoruesve të rregullt

Numri i përdoruesve të drogës po rritet çdo ditë. Alarmi është ngritur dje nga Ministria e Shëndetësisë. 

Ky dikaster ka publikuar në Ditën Ndërkombëtarë kundër Drogës edhe statistikat e fundit për përdoruesit e drogës në vendin tonë. Në bazë të të dhënave, rezulton se numri i tyre ka arritur në 40 mijë persona (rreth 1% e popullatës), duke na renditur në vendet me numër të ndjeshëm të kontinentit. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, bëri apel për rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit publik dhe gjithë shoqërisë për këtë fenomen me pasoja shkatërruese. “ Jemi koshientë se pavarësisht nga përpjekjet e bëra, ato nuk kanë qenë të mjaftueshme për t’i “ndalur hovin” këtij fenomeni çekuilibrues”, tha Ndoka. Në vendin tonë substancat psikoaktive që përdoren më shumë janë kanabis në masën 65 % e totalit të përdoruesve. Përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë, janë 20-25% (një pjesë e konsiderueshme e të cilave administrohet intravenoz), ndërsa rreth 10% janë përdorues të kokainës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se, nga konstatimet e fundit është vërejtur një rritje e preferencave për substanca sintetike të tipit të amfetaminës. “Tregues që e bën më tepër shqetësues këtë fenomen, është rritja e preferencës për injektimin e drogës me shiringë, sinjal ky që paralajmëron për rritjen e probabilitetit për përhapjen e sëmundjeve të tilla të transmetueshme si HIV/AIDS, hepatitet B e C”, sqaroi ministria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›