E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spahiu: Të shkarkohen gjyqtarët e Apelit, që i dhanë pafajësi Delijorgjit

 

TIRANE – KLD-ja kërkoi dje shkarkimin e gjyqtarëve të Apelit Ushtarak, që i dhanë pafajësinë Mihal Delijorgjit në dhjetor të vitit 2007.Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, pohoi se këshilli ka propozuar shkarkimin e tre gjyqtarëve Shaqir Gradica, Ylli Mnika dhe Naim Pejo. Burime nga KLD-ja sqarojnë se, inspektorati ka kontrolluar dosjen e Delijorgjit në Gjykatën e Apelit të Durrësit, ndërsa janë verifikuar shkelje të kryera nga gjyqtarë që kanë gjykuar atë. Tre gjyqtarët e Apelit Ushtarak u komanduan në Apelin e Durrësit, pasi togat e zeza të këtij institucioni ishin konsumuar me çështjen “Delijorgji”. Tre gjyqtarët që gjykuan dosjen e biznesmenit të hekurit vendosën t’i pushonin akuzat e “kontrabandës me mallra të tjera” dhe “falsifikim formularësh”, duke i dhënë këtij të drejtën në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, vetëm katër ditë para Vitit të Ri të rilidhte një kontratë për demontimin e predhave në Gërdec, pranë Vorës, çka shkaktoi më 15 mars një tragjedi të përmasave të jashtëzakonshme për Shqipërinë, ku të paktën 26 vetë humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën, një pjesë e mirë e të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Delijorgji, ortaku i vetëm i kompanisë së skrapit “Përparimi”, u arrestua në prill të vitit 2004 nën akuzën e “evazionit fiskal”, ndërsa më 5 maj të atij viti ai u lirua kundrejt garancisë pasurore një milion USD. Në seancën e gjykimit të 15 korrikut 2005, Gjykata e Durrësit rrëzoi kërkesën e avokatit mbrojtës për zëvendësimin e masës së sigurisë nga “garanci pasurore” në “detyrim paraqitjeje”. Por atë që nuk e lejoi Gjykata e Faktit, e bëri Apeli. Më 2 shtator 2005, Delijorgjit iu hoq masa e sigurisë, duke zhbllokuar në këtë mënyrë shumën një milion USD që shënoi të parën garanci pasurore në atë vlerë të bllokuar ndonjëherë në Shqipëri. Më vonë Gjykata e Durrësit e dënoi me 100 milionë lekë të vjetra gjobë, ndërsa pranoi padinë civile të Doganave për dëmshpërblimin në shumën 122.668.851 lekë të reja, por Apeli ia pushoi të dyja akuzat çka u bë shkak për rrëzimin edhe të padisë civile.     fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›