E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, LSI: Komision hetimor

Nënkryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi akuzoi segmente brenda Parlamentit shqiptar, që pengojnë hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës për tragjedinë e Gërdecit. 

Aristir Lumezi

Xhufi kërkoi sërish ngritjen e një komisioni hetimor për këtë tragjedi ashtu siç po bën aktualisht edhe Kongresi amerikan. “Ekziston një vullnet politik brenda Kuvendit, i cili, kërkon të mbysë ulërimën e Gërdecit. Ekziston një vullnet politik, i cili nuk mund të përcaktohet majtas-djathtas, është një vullnet i korruptuar politik përtej të majtës dhe të djathtës. Ky vullnet politik, për fat të keq, ka pushtuar edhe këtë Parlament dhe ne e kemi thënë në mënyrë të vazhdueshme, që gjërat interesante tashmë do të ndodhin jashtë këtij parlamenti, për fat të keq”, theksoi Xhufi. Ndërsa socialistët e konsideruan të habitshme një propozim të tillë të LSI-së, kërkesë kjo që është depozituar një muaj më parë dhe është bërë publike nga drejtuesit e saj. Nënkryetari i LSI-së Xhufi kërkoi që edhe Kuvendi i Shqipërisë të marrë të njëjtën iniciativë si dhe Kongresi amerikan. “Problemi që unë do të doja të ngrija me forcë, duke bërë dhe një krahasim midis këtij Kuvendit tonë dhe Kongresit amerikan, është që, ndërsa Kongresi amerikan po heton me shumë angazhim dhe me seriozitet një aferë, që në origjinë ishte e rregullt dhe ligjore, ajo e shitjes së fishekëve e një dimensioni të caktuar, Kuvendi i Shqipërisë, për fat të keq, ka refuzuar kërkesën e një grupi parlamentarësh, e një grupi deputetësh, të cilët kanë kërkuar ngritjen e një grupi hetimor për skandalin dhe për mynxyrën e Gërdecit”, tha Xhufi.
Socialistët
Partia Socialiste e konsideroi të vonuar kërkesën e LSI-së për ngritjen e një komisioni hetimor për tragjedinë e Gërdecit. Edhe pse Lëvizja Socialiste për Integrim i është rikthyer kërkesës së mëparshme për ngritjen e një komisioni të tillë, nisur nga faktet e reja që po dalin çdo ditë në pah mbi këtë tragjedi, kryetarja e grupit kuvendor socialist, Valentina Leskaj vuri në dukje se “kjo kërkesë ishte e habitshme dhe e vonuar”.  Madje, po në këtë linjë, Leskaj bëri me dije dhe një tjetër fakt, ku sipas saj, deri tani nuk është dorëzuar ndonjë kërkesë në Kuvend, në të cilën LSI të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec. Megjithatë, në momentin që një kërkesë e tillë do të bëhet zyrtare, socialistët do ta marrin në shqyrtim. Kjo për vetë faktin se Partia Socialiste ka kërkuar në vijimësi zbardhjen e plotë të tragjedisë së Gërdecit dhe trafikut të armëve, dhe për këtë arsye, sipas Leskajt, PS do të marrë në konsideratë kërkesën e LSI. Madje, grupi parlamentar socialist, sipas saj, nuk ka hequr dorë nga kërkesa e tij për zbardhjen e kësaj tragjedie, duke mos u ndalur në publikimin e fakteve të shumta sa i takon kësaj tragjedie. Nga ana e saj, maxhoranca ka heshtur lidhur me këtë propozim të hedhur nga LSI, por më herët ajo e pati kundërshtuar një ide të tillë, me pretendimin se çështja tashmë është në duart e Prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›