Pronat, lavatriçja që pastron paratë në Shqipëri
Laureta Rryçi
Blerja e pronave vazhdon të jetë “lavatriçja“ kryesore në vend për pastrimin e parave. Të paktën kështu tregojnë të dhënat e raportit më të fundit të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2009 janë referuar në organet e zbatimit të ligjit 194 raste të dyshimta për pastrim parash dhe financim të terrorizmit. Numri i referimeve është pothuajse tri herë më i madh në krahasim me vitin 2008 dhe 27 herë më shumë se në vitin 2007. Mbi 8% të rasteve të referuara e zënë rastet ku vepra penale të origjinës janë ato të korrupsionit aktiv. Gjatë vitit 2009 janë dërguar në organin e Prokurorisë për investigime dhe ndjekje të mëtejshme 59 raste, gjë që përbën një rritje të dyfishtë krahasuar me vitin 2008 dhe e pakrahasueshme me vitet e mëparshme. Njësia e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, ka informuar që për 30 raste të referuara nga DPPPP, për 18 prej tyre ka pasur të dhëna dhe indicie për veprën penale të parashikuar nga neni 287 “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, i Kodit Penal. Në Policinë e Shtetit janë referuar 135 raste, ose gati tri herë më shumë krahasuar me vitin paraardhës.
Inspektimet
Monitorimi i masave parandaluese që duhet të ndërmarrin institucionet financiare e jofinanciare, subjekte të ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, mbetet një nga detyrimet themelore të DPPPP-së. Ky detyrim realizohet nga Drejtoria e Inspektimit dhe Legjislacionit,
e cila ka një rol primar për planifikimin dhe kryerjen e inspektimeve në vend të subjekteve të ligjit. Numri total i inspektimeve të kryera në subjektet e ligjit nga DPPPP në vitin 2009 është 146. Ky numër përbën një rritje të ndjeshme krahasuar me 123 inspektimet e kryera në vitin e mëparshëm. Gjatë vitit 2009, specialistët e kësaj Drejtorie kanë vazhduar të intensifikojnë ritmin e inspektimeve në vend të subjekteve. Njëkohësisht theksi është vënë në përdorimin e mekanizmave të tillë si, raporti i vetëkontrollit, paraqitja e subjekteve në DPPPP për rastet kur është konstatuar se ka mangësi në mënyrën e raportimit. Krahasuar me vitin e mëparshëm, numri i inspektimeve gjatë 2009-s ka shënuar një rritje prej 19%. Një
gjë e tillë është realizuar më të njëjtin numër specialistësh, gjë që dëshmon sërish rritjen e efektivitetit të kapaciteteve njerëzore në këtë Drejtori. Kontrollet e inspektimet në vend kanë qenë; të plota dhe/ose tematike, bazuar në vlerësimin paraprak të bërë në planin vjetor të punës së DPPPP-së, si dhe në përdorimin sa më efektiv të burimeve të kufizuara njerëzore. Inspektimet e natyrës së plotë janë kryer në subjektet, të cilat inspektoheshin për herë të parë, ose për vetë natyrën e veprimtarisë së tyre. Shoqëritë e ndërtimit dhe agjencitë e shitblerjes së pasurive të paluajtshme kanë zënë pjesën kryesore të inspektimeve të kryera gjatë vitit 2009, respektivisht 43.5% dhe 20.5% të totalit të inspektimeve.
Gjobat
Gjatë vitit 2009 janë vendosur një numër i konsiderueshëm masash administrative ndaj atyre subjekteve, për të cilat inspektorët e Drejtorisë së Inspektimit dhe Legjislacionit kanë konstatuar shkelje të ligjit gjatë inspektimeve në vend. Numri total i masave të dhëna nga Autoriteti Përgjegjës gjatë vitit 2009 është 37 masa administrative për shkeljet e konstatuara nga subjektet e ligjit, kundrejt 35 të dhëna për vitin 2008. Shuma totale e gjobave të dhëna për vitin 2009 është 69 296 500 lekë, ose rreth tri herë më shumë se një vit më parë. Gjoba minimale
është 250 000 lekë, gjoba maksimale është 8 000 000 lekë dhe ajo mesatare është 1 872 878 lekë.
Raportimet
Edhe gjatë vitit 2009 subjektet vazhdojnë të raportojnë jo aq sa duhet rastet e dyshimta. Sipas specialistëve të Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, vazhdon të mbetet problem shqetësues cilësia dhe përmbajtja e raportimeve të dyshimta.
“Vihet re një shpërndarje e shpërpjesëtuar, me një rritje të theksuar në fund të vitit, si dhe e përqindjes së tipologjive, ku mbi 90% e tyre janë: transferta me jashtë si, shlyerje
detyrimi personal dhe përdorimi i llogarive personale për qëllime
biznesi, rezulton qartë se dërgimi i raporteve të veprimtarisë së dyshimtë nga bankat është parë kryesisht si objektiv statistikor për tu arritur, se sa si detyrë permanente gjatë gjithë kohës dhe për të gjithë komponentët e veprimtarisë bankare”, - thuhet në raport. Numri i noterëve që kanë raportuar gjatë vitit 2009 ka arritur në 204, kundrejt 120 prej tyre gjatë vitit paraardhës. Pjesën kryesore në totalin e raportimeve vazhdojnë ta zënë: Tirana, Durrësi, Fieri, Lezha dhe Shkodra. Nga 194 raste të referuara për vitin 2009, në organet e zbatimit të ligjit (Polici e Shtetit, Prokurori, Njësi e Përbashkët e Hetimit), 64 prej tyre kanë si indicie raportimet e transaksioneve të vlerave nga subjektet Noterë.
Shembulli 1
Rast i bazuar në raportin e transaksionit të vlerave
Rasti u iniciua mbi bazën e një raportimi të një transaksioni që lidhej me një blerje pasurie të paluajtshme me një shumë të konsiderueshme nga shtetasi X, pagesa totale e kontratës ishte kryer me para në dorë dhe që për të cilin burimi i të ardhurave nuk ishte i deklaruar. Nga verifikimet e kryera nga Njësia e Inteligjencës Financiare rezultoi që shtetasi dhe bashkëshortja e tij nuk kanë asnjë veprimtari biznesi të regjistruar në emrin e tyre dhe nuk kanë bërë deklarimin e valutës apo sendeve me vlerë në pikat doganore, si dhe nuk kanë fare llogari bankare. Bazuar në të dhënat se shtetasi X jetonte në vendin Y të BE-së, i kërkuam njësisë homologe të Inteligjencës Financiare të dhëna për këtë shtetas, nga ku rezultoi që ai ishte i përfshirë në veprimtarinë e një grupi të organizuar kriminal, që kishte kryer disa vepra penale në vendin Y. FIU shqiptar mori menjëherë masat për bllokimin e pasurive të identifikuara gjatë fazës së hetimit administrativ, si dhe bëri referimin në agjencitë e zbatimit të ligjit. Bashkëpunimi me këto agjenci vazhdon në lidhje me personat e tjerë të përfshirë në grupin e organizuar kriminal dhe pasuritë e tyre. Inicimi i praktikës bazuar në disa tregues si vlera e lartë e pagesës me para në dorë dhe fakte të tjera që tregonin burimin e paligjshëm të të ardhurave, si dhe bashkëpunimi më njësinë homologe të Inteligjencës Financiare përbëjnë pikat e forta të këtij hetimi financiar. Procesi i pastrimit të parave ndodhet në fazën e vendosjes dhe shtresëzimit të fondeve dhe pasurive të përftuara në rrugë kriminale.
Shembulli 2
Rast i bazuar në raportin e transaksionit të dyshimtë
Rasti u iniciua mbi bazën e një raportimi të një transaksioni të dyshimtë nga një subjekt i ligjit. Dy shtetas kanë depozituar një shumë të konsiderueshme në një nga bankat që operojnë në Shqipëri, duke cituar punën në emigracion si burim të të ardhurave. Nga informacioni i marrë nga organet tatimore, rezultoi që shtetasit nuk janë pronarë të asnjë veprimtarie biznesi në vend. Nga kërkimet e mëtejshme të bëra, rezultoi se një person me lidhje familjare me shtetasit e mësipërm ishte arrestuar në një vend fqinj për trafikim të lëndëve narkotike.
Në hetimin financiar në vijim, Njësia e Inteligjencës Financiare mblodhi të dhëna shtesë për transaksionet financiare të kryera në llogaritë bankare të shtetasve, si dhe arriti të marrë të dhëna edhe për pasuri të paluajtshme të regjistruara në emrin e tyre.
Bazuar në të dhënat konkrete për përfshirje në kryerjen e veprave penale, të cilat kanë gjeneruar të ardhura të jashtëligjshme, të cilat më pas janë përdorur për të mbështetur veprimtari biznesi, Njësia e Inteligjencës Financiare ndërmori hapa të menjëhershëm për të bllokuar fondet e depozituara në llogaritë bankare, si dhe bëri referimin e çështjes në organet e zbatimit të ligjit.
Inicimi i praktikës u bë si pasojë e disa treguesve të pazakontë dhe të pajustifikuar nga pikëpamja ekonomike, si vlera të larta të shumave të depozituara në llogaritë bankare dhe mungesa e të dhënave konkrete për përfshirjen e shtetasve në veprimtari biznesi të ligjshme. Në sajë të përpjekjeve intensive të Njësisë së Inteligjencës Financiare u bë e mundur që të merreshin të dhëna shtesë nga burime të tjera, të cilat provonin së të ardhurat ishin gjeneruar nëpërmjet përfshirjes në veprimtari të jashtëligjshme të lidhjeve familjare të tyre.
1 Maj 2010