E Diel, 1 Nëntor 2026

Fratini e Zbogar kërkojnë liberalizimin e vizave për Shqipërinë

Dy ministrat e Jashtëm, letër Moratinos, që mban Presidencën e BE-së

Eljona Ballhysa
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini dhe ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zbogar, i kanë dërguar një letër ministrit të Jashtëm të Spanjës, Angel Miguel Moratino, vendi i të cilit mban dhe Presidencën e Bashkimit Europian. Në këtë letër Fratini e Zbogar kërkojnë marrjen e vendimit për heqjen e vizave në qershor të këtij viti për Shqipërinë e Bosnjën dhe përcaktimin e një axhende të qartë nga Presidenca spanjolle për liberalizimin e vizave për këto dy vende të Ballkanit. Letra e Fratinit dhe Zbogarit u është dërguar dhe autoriteteve më të larta të Bashkimit Europian, përfaqësueses së lartë për Politikën e Jashtme në BE, Katerin Ashton, komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle dhe komisioneres për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom.
Letra është firmosur nga 10 ministra të tjerë të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian, duke shënuar në këtë mënyrë dhe një rritje të mbështetjes se vendeve të BE-së për procesin e heqjes së vizave.
Letra
Në krye të letrës Fratini e Zbogar kanë shkruar: “Rruga e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së ka regjistruar shumë hapa vitet e fundit. Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë çuar përpara procesin e reformave në mënyrë që të përmbushin kriteret e vendosura nga BE-ja dhe kanë arritur disa rezultate të rëndësishme”. Më tej, në letër, dy ministrat e Jashtëm e kanë cilësuar të suksesshëm procesin e liberalizimit të vizave për shtetet e tjera të Ballkanit si Maqedonia, Serbia e Mali i Zi dhe për këtë qëllim ata kërkojnë që i njëjti vendim të merret edhe për Shqipërinë dhe Bosnjën. “Si rezultat i dialogut për liberalizimin e vizave, të ndërmarrë nga Komisioni Europian që në vitin 2008, popujt i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe të Serbisë ndodhen më afër BE-së. Liberalizimi i vizave ka bërë të mundur që Bashkimi Europian të jetë konkret, duke kontribuuar në një imazh pozitiv dhe njohjen midis rajoneve. Ky proces solli gjithashtu dhe arritjen e disa sukseseve të këtyre kombeve, pasi shtetet e rajonit kanë mundësi që të realizojnë disa reforma të nevojshme. Suksesi i këtyre shteteve ka qenë një shtysë e fuqishme edhe për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke i inkurajuara ato fuqishëm që të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të përmbushur kushtet e mbetura në Udhërrëfyesin e përcaktuar nga BE-ja. Tani është e rëndësishme që ta kompletojmë këtë proces, duke qenë të vetëdijshëm se kushtet e përcaktuara në Udhërrëfyesin e KE-së duhen përmbushur”, - shkruhet në letrën dërguar Moratinos.
“Ne duam të risjellim në vëmendje Deklaratën e Përbashkët të miratuar nga Këshilli i Europës dhe Parlamenti Europian në nëntor të vitit 2009, e cila në mënyrë të qartë na detyron ne që ‘të shqyrtojmë propozimet për amendimin e Rregullores së KE-së Nr. 539/2001, duke i konsideruar Shqipërinë dhe Bosnjën si çështje urgjence’. Duke pasur në mendje procedurat e bashkëvendosjes, ne kërkojmë të jemi të sigurt për kohën e punës së strukturave përgatitore të Këshillit, në mënyrë që të bëjmë të mundur që Komisioni Europian të përcaktojë propozimin nga fundi i majit 2010. Si rezultat, debati politik për amendimin e Rregullores së mësipërme do të vazhdojë të zhvillohet në Këshill në qershor, në mënyrë që Parlamenti Europian të përfundojë punën e tij në fillim të vjeshtës. Në këtë kornizë ne mbështesim fuqishëm dhe inkurajojmë Presidencën spanjolle që të njoftojë një axhendë të qartë për vendimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën në qershor, në Ministerialin e Sarajevës”, - shkruhet në letrën që ministri i Jashtëm italian dhe ai slloven i kanë dërguar ministrit të Jashtëm të Spanjës, që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian.

1 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›