Kriza politike në Shqipëri, debat në Parlamentin Europian
Kriza politike në Shqipëri është debatuar për mëse një orë në Komitetin e Jashtëm në Parlamentin Europian, gjatë prezantimit të projektrezolutës së përpiluar nga raportuesi Nikolas Kantis, i cili u kritikua si nga e djathta, ashtu dhe nga e majta europiane. “Mendoj se ky problem ilustron fenomene të trashëguara në sistem e duhet të këtë demokratizim”, - është shprehur Kantis. Ndërkohë, kryetari i Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduart Kukan, u shpreh se “zgjidhja për situatën duhet të gjendet në kuadër të institucioneve demokratike dhe të gjitha partitë duhet të pranojnë rezultatin”. Eurodeputetja Doris Pak kërkon që opozitës duhet t’i thuhet se “protestat në rrugë nuk janë mënyra e duhur e sjelljes së vendeve demokratike”. Kantis më tej shtoi: “Unë nuk mendoj se ne jemi këtu për t’i vënë gishtin e për t’u treguar njerëzve si ta zgjidhin krizën. Kjo nuk do të pranohej në qarqet e politikanëve të përfshirë në këtë problem. Nëse japim një qëndrim pro njërit apo tjetrit, kjo do të shfrytëzohej si avantazh”. Gjatë debatit u dëgjua edhe Libor Ruçek, zëvendëspresident i PE-së, PSSDE-së, i cili u shpreh se në një demokraci parlamentare, Kuvendi është zemra e sistemit, ndaj, ju pëlqen apo jo rezultati, të gjithë duhet ta pranojnë atë. Ndërkohë, Takis Hadjigeorgiou, eurodeputet, tha se “ata që e njohin sadopak këtë vend, si Jugun dhe Veriun, mund të kuptojnë se ndonjëherë qëndrime nga demokracitë perëndimore drejtojnë njerëzit në mënyrë të gabuar. Ndonjëherë këto deklarata përdoren, apo abuzohet më to për qëllime përfitimi”. Nga ana e saj, Doris Pak theksoi se “raporti duhet të nisë ndryshe; në fillim thua të mirat e pastaj duhet të thuash përmirëso këtë apo atë”. Eurodeputetja Judith Sargentini u shpreh se europianët nuk kanë pse të tregohen shumë përkëdhelës me fjalë, por le t’u tregohet se situata politike me opozitën, që nuk do ende të marrë pjesë në Kuvend, është serioze. Edhe Ruçek theksoi se në Shqipëri ka krizë politike, por nuk mund të thuhet krizë institucionale, sepse Parlamenti po funksionon, pavarësisht bojkotit të opozitës. Pas gjithë këtyre deklarimeve, Kantis ndërhyri duke u shprehur se dy partitë e mëdha në Shqipëri janë përgjegjëse për qorrsokakun politik e për sistemin politik. “Këto dy parti kanë alternuar pushtetin, por siç e thashë, kam takuar shoqëri civile dhe parti të tjera politike dhe duket se ka probleme me sistemin zgjedhor e ky konkluzion nuk vjen vetëm nga çfarë thonë dy partitë kryesore atje”, - tha Kantis. Pavarësisht kritikave nga dy grupimet e mëdha të Parlamentit, raporti i eurodeputetit grek u vlerësua si shumë i mirë e realist nga Komisioni Europian. “Një nga kriteret themelore politike të Kopenhagenit është, siç e dini, funksionimi efikas i institucioneve demokratike dhe nuk është ky rasti për Shqipërinë, ku prej 9 muajsh Parlamenti nuk funksionon. Është mëse e qartë që ne do ta marrim parasysh këtë fakt gjatë shqyrtimit të kandidaturës së Shqipërisë”, - u shpreh Pier Mirel, drejtor për Zgjerimin me Ballkanin në KE. Raporti i eurodeputetit grek Kantis pritet të pësojë ndryshime deri në datën 5 maj.
1 Maj 2010