E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tivari, katër orë “peng” në Durrës para vrasjes

16/01/2005  TIRANË –Zbardhet njëri prej konflikteve më të ashpra të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Komuniteti Mysliman, Salih Tivari dhe personave të dyshuar si pjesëmarrës në vrasjen e tij. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, e cila po heton dosjen, thanë se ngjarja ka ndodhur gjatë një mbledhje të zhvilluar në qytetin e Durrësit, disa muaj para vrasjes së Tivarit. Kjo mbledhje, në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë të Komunitetit Mysliman dhe Myftinisë së Durrësit, është zhvilluar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të disa fondacioneve arabe, që kërkonin të investonin para në Shqipëri, nëpërmjet arkës së institucionit fetar, ku ushtronte detyrën e tij Salih Tivari. Një linjë konflikti e filluar kohë më parë është rindezur gjatë fjalës së Tivarit, në mbledhjen që zhvillohej në Durrës. Fjala dhe qëndrimi i tij kanë ngjallur reagimin e dy përfaqësuesve të fondacionit “Al Haramain”.

“Pengu”

Pasi kanë shkëmbyer fjalë jo të zakonta me ish-Sekretarin e Përgjithshëm, 58-vjeçarin Salih Tivari, Artan Kristo dhe një person tjetër me iniciale G.D., kanë dalë nga ambienti ku zhvillohej mbledhja dhe duke shkelur të gjitha rregullat fetare e njerëzore. Ata kanë mbyllur derën e xhamisë për katër orë, duke mos lejuar daljen e Tivarit dhe pjesëmarrësve të tjerë nga mbledhja. Konflikti është zgjidhur me ndërhyrjen e policisë, e cila është lajmëruar nga disa persona të pranishëm në vendin e ngjarjes. Efektivat blu të qytetit bregdetar kanë kryer ndërhyrjen e menjëhershme, duke i mundësuar Tivarit dhe personave të tjerë që merrnin pjesë në mbledhje, daljen nga xhamia dhe largimin e tyre në një situatë normale. Policia ka kërkuar sqarime rreth ngjarjes, ndërsa ka marrë deklarime edhe nga dy personat, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mbyllur derën dhe kanë kërcënuar përgjatë katër orë Tivarin, nëse ai tentonte të dilte.

Hetimi

Kjo ngjarje u shënua zyrtarisht si një incident nga policia e Durrësit, ndërsa askush nuk u kujtua për konfliktin, deri pas vrasjes së Tivarit. Mbledhja në Durrës ishte mbajtur pak muaj para se Salih Tivari të vritej në zyrën e tij, nga dy persona me një pistoletë 72-milimetërshe. Tre të shtënat në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, dy prej të cilave i kanë marrë jetën Tivarit, ua kanë rikujtuar hetuesve incidentin e Durrësit, ndodhur jo shumë muaj më parë. Menjëherë dosja e ngjarjes në qytetin bregdetar është hapur kësaj radhe për llogari të vrasjes së 58-vjeçarit. “Artan Kristo dhe shtetasi me inicialet G.D., kanë qenë të dyshuarit e parë për vrasjen e Tivarit, por ndaj tyre nuk janë gjetur prova”, thanë burimet zyrtare që po hetojnë çështjen. Por, sipas tyre, edhe pse hetuesit kanë këmbëngulur dhe janë siguruar që të dyshuarit nuk do të largoheshin jashtë vendit, asnjë provë nuk është mundur të gjendet për arrestimin e dy personave, që besohej se ishin të implikuar në vrasje apo ngritjen e akuzës zyrtare ngaj tyre. Edhe sot, pak ditë pas dy vjetorit të vrasjes së Salih Tivarit, në mënyrë zyrtare, Prokuroria thotë se këta të dy persona mbeten të dyshuar, por pa prova të mjaftueshme për të kërkuar arrestimin e tyre.

Konfliktet brenda Komunitetit

Pak kohë pas vrasjes së Sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, Salih Tivari, më 21 janar të vitit 2002, ish-kreu i Shërbimit Sekret, pohoi se kishte dëgjuar në zyrën e tij ankesat e 58-vjeçarit, për disa elementë “të dyshimtë”. Fatos Klosi, tha se Tivari i kishte folur për një grup të rinjsh me prirje radikale, të shkolluar jashtë vendit, në shkolla gjysmë ushtarake, të cilët nuk kontrolloheshin nga Komuniteti. Një ankesë kjo, e cila, në fakt, ishte bërë pak kohë para vrasjes, mesa duket kur mosmarrëveshjet kishin arritur kulmin. Konflikte, të cilat ishin shprehur prej kohës kur Tivari kishte refuzuar financimet e dyshimta të shoqatës "Al Haramain", duke krijuar armiq brenda në Komunitet. Kjo shoqatë kërkoi të investonte me para në dorë dhe refuzoi të kalonte para në banka. Tivari i kundërshtoi këto financime, ndërsa Al Haramain kërcënoi me ndërprerjen e tyre. Në dosjen e vrasjes përshkruhen raportet e acaruara të Tivarit me Artan Kriston, përfaqësues i shoqatës "Al Haramain". Acarime këto, që, sipas dosjes, kanë mbërritur deri te një kërcënim tjetër në adresë të Tivarit, i bërë ky në zyrën e tij nga Kristo dhe një zyrtar brenda Komunitetit. Ky zyrtar, sipas materialit të hetimeve, disa herë i kishte kërkuar Tivarit të liberalizonte qëndrimin ndaj shoqatës "Al Haramain". Anëtarë të Komunitetit, mbështetës të "Al Haramain", fillojnë konfliktin me Tivarin dhe reagojnë për qëndrimin e tij. Pak kohë më pas, konfliktet u shfaqën edhe në institucionet e islamit në Berat, Durrës, Librazhd. Ndërsa konflikti më i ashpër ishte ai i Elbasanit, ku myftiu Halit Muharremi akuzoi disa anëtarë të Myftinisë për shkelje të rënda, ndërsa të akuzuarit nga Muharremi, u përpoqën t'ia adresonin myftiut fajin për abuzimet në Myftini. Reagimet e të dy palëve ishin të rënda, ndërsa Halit Muharremi deklaroi se ishte kërcënuar me jetë, pasi kishte kërkuar menaxhimin e mirë të fondeve dhe pronave të Myftinisë. T.S

Pistat e hetimit

Terrorizmi

Konfliktet brenda Komunitetit

Problemet personale

KRONOLOGJIA

13 janar 2002

Vritet në zyrën e tij Sekretari i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman, Salih Tivari. Dy persona, pas një bisede me rojet e selisë, hyjnë brenda dhe qëllojnë mbi Tivarin

21 janar 2002

Ish-shefi i Shërbimit Sekret Shqiptar, Fatos Klosi deklaron se, Salih Tivari i kishte kërkuar ndihmë në zyrën e tij. Sipas Klosit, Tivari ka folur për një grup të rinjsh me prirje radikale, të shkolluar jashtë vendit në shkolla gjysmë ushtarake

Mars 2003

Prokuroria e Tiranës deklaron se ishin zbuluar tri persona të dyshuar, dy prej të cilëve mendohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e Salih Tivarit

30 tetor 2004

Prokuroria deklaron se dy persona janë identifikuar si vrasësit e Salih Tivarit. Por, sipas hetuesve, ndaj të dyshuarve nuk ka prova për ngritjen e akuzës. Një i dyshuar në qeli

4 nëntor 2004

Hetuesit thonë se xhaketa e Tivarit nuk ka shenja plumbash. Kostumi i numrit dy të Komunitetit Mysliman ka përfunduar në Prokurori kohë pas vrasjes. Dyshohet se autorët kanë lënë gjurmët në kopsa. Katër zyrtarë kanë lënë gjurmët “gabimisht” në vendin e ngjarjes

5 nëntor 2004

Grupi hetimor shprehet se dosjes për vrasjen e Tivarit i mungon autopsia. Sipas hetuesve, trupi i pajetë është lëvizur nga spitali nga anëtarët e Komunitetit Mysliman, të cilët kanë dashur të kryejnë ritet fetare

Salih Tivari

Anëtarësuar në Komunitetin Mysliman Shqiptar: 1991

Mosha: 58 vjeç

Arsimi: Juridik

Detyra: Sekretar i Përgjithshëm i KMSH

Profesioni: Avokat

Dokumenti: Dy rrymat e pamiratuara nga Komuniteti

“Selefistët dhe vehabistët na prishin imazhin”

TIRANË – Rrymat ekstremiste islamike janë praktikuar dhe kanë pasardhës në Shqipëri. Tre vjet më parë, në një dokument të firmosur nga vetë kreu i asaj kohe i Komunitetit Mysliman, Hafiz Sabri Koçi, pranohet ekzistenca e rrymave të ndryshme fetare, përveç asaj që propagandohet "zyrtarisht" në xhamitë e vendit tonë. Rrymat e cilësuara si ekstremiste, selefiste dhe vehabiste. Është hera e parë që bëhet publik një dokument zyrtar, ku problemi i sekteve, të cilat propagandojnë rryma të tjera, mund të konsiderohen dhe si të rrezikshme. Financuesit e këtyre rrymave kanë qenë fondacionet bamirëse islamike, mes të cilëve dhe “Al-Haramain”. Në letrën që gazeta "Metropol" bën sot publike, i jepen përgjigje shumë pyetjeve dhe hamendjeve që përfliten prej kohësh.

Letra e Komunitetit

Ajo daton në shkurt të vitit 2001 dhe mban numrin e protokollit 1337. Pas fjalëve hyrëse në letrën e Komunitetit, të sigluar nga H.H.Sabri Koçi, thuhet: "Drejtimi fetar dhe i përligjur në Statutin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në të gjitha organizmat e tij në qendër dhe në rrethe është i mes'hebit (shkollës) Hanefi. Në mënyrë të vazhdueshme janë vërejtur në xhami dhe në ambiente jashtë saj, se ka kurse të tjera të pamiratuara, të vetëquajtura selefiste dhe vehabiste (që predikojnë një 'luftë të hapur' kundër të gjithë atyre që mendojnë e veprojnë ndryshe nga ata), dëmtojnë imazhin e Islamit në Shqipëri". Më tej, letra vazhdon: "Duke u nisur nga kohët e fundit, kanë ndodhur veprime destruktive nga disa elementë të veçantë të Xhamisë së Madhe në Durrës, ku kanë bërë presione dhe shantazhe. U morën të gjitha masat dhe gjendja në Durrës u stabilizua. Shenja të tilla ka dhe në rrethe të tjera të vendit".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›