Droga lazaratase ishte nisur për në Sarandë. Korrierët pikasin policinë dhe arrijnë të largohen
Operacioni i koduar “Ndjekja” organizuar nga Policia e Gjirokastrës, është finalizuar me kapjen e 650 kilogramëve marijuanë që vinte nga fshati Lazarat dhe kishte për drejtim Sarandën. Ndërkaq, korrierët kanë mundur të kthehen në fshat dhe t’i shpëtojnë prangosjes së policisë. Burime zyrtare nga blutë e Gjirokastrës kanë bërë të ditur se operacioni është organizuar mesnatën e së mërkurës, duke u gdhirë e enjtja.
Fillimisht postblloqet e policisë janë ngritur rreth orës 23.30 të së mërkurës në aksin rrugor Gjirokastër-Jorgucat, poshtë fshatit Lazarat dhe në disa pika të tjera për të cilat dyshohej se mund të lëviznin trafikantët. Korrierët kanë pikasur lëvizjet e kontrollet e policisë dhe kanë ndërruar drejtimin e lëvizjes. Rreth orës 03.00 të së enjtes, një kamion i madh, ku ishte ngarkuar një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, ka dalë nga një rrugë dytësore midis fshatrave Lazarat dhe Derviçan për të lëvizur më pas drejt Sarandës.
Ndërkaq, informacionin e lëvizjes së ndryshuar e ka marrë edhe policia dhe në dalje të fshatit Goranxi ka ngritur një tjetër postbllok kontrolli. Operacioni ka përvijuar më tej me “krehjen” me patrulla të kodrës mbi fshatin Derviçan dhe fshatin Goranxi. Kur kanë mbërritur në anën veriore të fshatit Goranxi, trafikantët kanë braktisur lëndën narkotike, duke e shkarkuar të gjithë sasinë afër një ndërtese në ndërtim e sipër dhe janë larguar me shpejtësi duke u rikthyer në Lazarat, duke përfituar nga errësira dhe moti i keq me erë e stuhi shiu.
Sipas policisë vendase, gjatë lëvizjeve për “krehjen” e të gjithë zonës është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i lëndës narkotike, e cila ishte e futur në 28 çanta shpine të mëdha. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se emrat e autorëve dihen, por nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Operacioni vazhdon ende për të bërë të mundur kapjen e autorëve dhe e gjithë zona midis fshatrave Lazarat, Derviçan dhe Goranxi edhe gjatë gjithë ditës së djeshme ka vazhduar të jetë e rrethuar me forca të shumta policie të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.