Dyshohet se ka marrë ryshfet në një çështje civile për pronësi në qytetin e Vlorës
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vendosur t’i heqë imunitetin gjyqtarit të Vlorës, Thoma Nika, për t’u hapur rrugë hetimeve të prokurorisë në adresë të tij për abuzime me detyrën. Vendimi është marrë dje në një mbledhje jashtë radhe të KLD-së të drejtuar nga nënkryetari Kreshnik Spahiu. Kërkesa mban firmën e kryeprokurores Ina Rama, pasi nga hetimet e Task-Forcës së Fierit ka rezultuar se gjyqtari në fjalë dyshohet se ka marrë ryshfet për një çështje civile për pronësi. Sipas të dhënave hetimore, gjyqtari Nika ka drejtuar një çështje civile për ndarje pronësie dhe në momentin që do të merrte një vendim është influencuar nga një shumë e majme të hollash. Prokuroria e Përgjithshme thotë se ka prova se gjyqtari dyshohet në këtë aferë korruptive dhe për këtë arsye i kërkoi KLD-së heqjen e imunitetit. “KLD-ja miratoi kërkesën e organit shqiptar të akuzës, duke dhënë autorizimin për fillim të procedimit penal ndaj gjyqtarit së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Ky vendim i Këshillit i marrë me unanimitet të anëtarëve të pranishëm, i katërti brenda një harku kohor prej një viti, i hap rrugën kryerjes së hetimeve nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, e cila i ka atribuuar gjyqtarit në regjistrin e veprave penale, atë të parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”. Sipas përcaktimit në ligj, dhënia e autorizimit nga këshilli solli edhe pezullimin e menjëhershëm nga detyra të gjyqtarit, deri në përfundim të procedimit ndaj tij”, thuhet në njoftimin për shtyp të KLD-së. Sipas saj, ai është në hetim për abuzime të rënda me detyrën.
Ndërkohë, gjyqtari ka dhënë së fundi një vendim për lirimin nga burgu të ish-drejtorit të Hipotekës së Vlorës i arrestuar për korrupsion me regjistrimin e një trualli në qendër të Vlorës. Gjyqtari Thoma Nika liroi në sallën e gjyqit ish-kreun e Hipotekës, Eduart Banushi, ndërsa prokuroria reagoi ashpër duke e konsideruar vendimin të padrejtë. Kjo nuk është hera e parë që KLD merr një masë disiplinore ndaj gjyqtarit në fjalë. Në vitin 2006 ai është shkarkuar nga detyra, pasi gjatë një kontrolli të Inspektoratit të KLD-së i janë gjetur disa shkelje për dosjet e trafiqeve, që janë kthyer nga gjykatat e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Shkarkimin, Nika e ankimoi në Gjykatën e Lartë e cila i dha të drejtë, duke e riemëruar sërish në detyrë.
Ndërkohë, në axhendën e mbledhjes së djeshme plenare të këshillit, kanë qenë pjesë e diskutimeve dinamike edhe organizimi i punës mbi analizat vjetore të të gjitha gjykatave, trajnimi vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës, si edhe delegimet e gjyqtarëve sipas procedurës së parashikuar me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.