E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli Biberaj bashkëpunoi me Bashkim Qefalinë për vrasjen e Artan Allushit më 26 korrik 2009

Pas 20 operacioneve, prej pesë muajsh në kërkim, policia ka mundur të vendosë në pranga një nga autorët e vrasjes së doganës dhe plagosjes së dy të tjerëve. Ylli Biberaj është arrestuar mëngjesin e djeshëm vetëm pas ndërhyrjes së forcave RENEA, në bashkëpunim me skuadrën operacionale të ëolicisë së Tiranës dhe shërbimet e Komisariatit Nr. 5. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Bashkim Qefalinë, i cili e ka pranuar krimin, kanë vrarë me armë zjarri Artan Allushin dhe kanë plagosur Kujtim e Nertil Allushin.
Arrestimi i Biberajt
Por, ndryshe nga historia e Qefalisë, i cili u vetëdorëzua, pasi iu ndërprenë gjithë ndihmat mjekësore për plagën që kishte marrë në kokë, 27-vjeçari Biberaj ka mundur t’i fshihet policisë që prej datës 26 korrik të vitit që sapo lamë. Shpeshherë, shërbimet e policisë kishin marrë informacion për vendndodhjen e tij, por ai kishte mundur të arratisej. Megjithatë, dita e djeshme ka qenë vendimtare për të, pasi është kapur, duke tentuar të largohet drejt Tropojës. Sipas policisë, në orët e para të mëngjesit, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë në bashkëpunim me forcat speciale RENEA, u finalizua operacioni policor i koduar “Komani”, ku u bë e mundur kapja e shumë të kërkuarit Ylli Selim Biberi, 27 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Kamzë Tiranë. I kërkuari ishte në ndjekje prej 5 muajsh dhe falë organizimit të shërbimeve policore u arrit arrestimi i tij në Koman, në tentativë për t’u larguar në qytetin e Tropojës.
Sipas policisë, dy ditë më parë ishte marrë informacion se ai ndodhej në Burrel. Ndërsa mëngjesin e djeshëm është mësuar se ai do të udhëtonte drejt Tropojës, por kishte dyshime se ai ishte i armatosur dhe i rrezikshëm. Kështu është lidhur në telefon me drejtuesin e një furgoni nga Tirana. Atij i ka shpjeguar se nga Burreli do të shkonte deri në Milot me një furgon tjetër dhe aty do të takohej me makinën që vinte nga Tirana për ta dërguar drejt Tropojës. Shërbimet e policisë, në bashkëpunim me RENEA-n, kanë ndjekur furgonin që është nisur nga Tirana me mjete private, deri në Koman. Aty, kur kanë vlerësuar se i kërkuari nuk paraqiste më rrezik, kanë ndërhyrë duke e arrestuar dhe duke e sjellë drejt Tiranës. Sipas dosjes penale, Biberaj kishte ndërhyrë dhe kryer këtë krim për të ndihmuar Qefalinë, i cili kishte pasur një histori katërvjeçare me të dëmtuarit.
Historia 4-vjeçare
Sipas dosjes penale dhe dëshmive të mbledhura, qoftë të Qefalisë, të dëmtuarve, apo edhe Biberajt, historia ka nisur rreth katër vite më parë. Në atë kohë, Qefalia punonte si shofer furgoni për shkollën dhe bënte linjën Zall Herr-Yzberisht. Gjatë punës së përditshme njihet me një vajzë nga fisi Allushi, e cila ishte në shkollë dhe kishte tërheqje për të. Këtë gjë ia kishte shprehur edhe asaj, e pa kaluar shumë kohë familja Allushi u vu në dijeni të rastit. Në këto kushte, ata kërkuan takim me 38-vjeçarin dhe debatuan në lidhje me këtë problem, pasi ai ishte edhe i martuar. Më vonë, kjo histori u harrua për familjen Allushi deri kur në qendër të vëmendjes u rikthye Bashkim Qefalia. Sipas të dhënave policore, rreth 6 muaj para ngjarjes, vajza ishte fejuar me një person dhe kohët e fundit ai dyshonte se ajo e tradhtonte e këto hamendësime ranë sërish mbi Qefalinë. Kjo mendohet se ka sjellë reagimin e familjes Allushi, të cilët kërkonin një përgjigje te 38-vjeçari. Madje, policia thotë se ka vërtetuar se Qefalinë e kanë kërcënuar edhe në telefon për këtë problem.
“Prita” më 26 korrik
Bashkim Qefalia ka punuar prej kohësh si shofer me furgon dhe këtë punë e kryente deri më datën 26 korrik 2009, kur ndodhi konflikti me fisin Allushi dhe gjatë zënkës, u vra një person dhe u plagosën dy të tjerë. Atë ditë Qefalia po udhëtonte nga Kamza në drejtim të “Zogut të Zi”, linjë të cilën e kryente çdo ditë. Te Drejtoria e Doganës, atij i kanë dalë në pritë Kujtim, Nertil dhe Artan Allushi. Ai ka ndaluar makinën e mbushur me pasagjerë për t’u sqaruar me ta dhe ka rënë pre e një dhune me shkopinj bejsbolli. Sipas policisë, aty ka tentuar të largohet dhe ka marrë një goditje në kokë, duke i shkaktuar një plagë të rëndë. Në këtë kohë, ka hyrë në makinë dhe poshtë serdiljes së shoferit ka marrë një pistoletë “TT”, duke qëlluar jo vetëm sa për të trembur agresorët, por shtatë herë, e disa prej plumbave kanë zënë mbi kundërshtarët. Nga kjo ka mbetur i vdekur Artani dhe janë plagosur babë e bir, Kujtim e Nertil Allushi.
Arratisja dhe ndihma
Në atë moment Biberaj e ka ndihmuar të largohet bashkë me Isa Lushën, i cili u arrestua një ditë para arrestimit të Qefalisë. Te tregu pranë rrugës “5 Maji”, ata kanë braktisur makinën dhe kanë marrë një tjetër mjet, duke u larguar drejt Dajtit. Pikërisht në fshatin “Ferraj”, Qefalia kishte disa të afërm të tij, ku ka qëndruar për pak minuta. Ai ka kuruar plagën në kokë dhe është larguar rreth 200 metra larg banesës së tyre, ku ka qëndruar i fshehur në një tunel. Nga ana tjetër, njërit prej shokëve të tij i ka thënë që të kujdeset për gruan dhe fëmijët nga frika e hakmarrjes. Më pas, nga një person tjetër, veç këtyre të dyve që e kanë ndihmuar të arratiset, ka kërkuar ndihmë që t’i blinte ilaçe dhe t’i sillte një infermier, pasi plaga ishte shumë e keqe.
Zbulimi nga policia
Policia, e cila ka vënë në përgjim numrin e telefonit të Qefalisë, ka kuptuar gjithë planin e tij dhe ka vënë në survejim personin që do i blinte ilaçet. Dy ditë pas ngjarjes, ai ka marrë edhe infermierin, duke e nisur drejt fshatit Ferraj, të cilët janë ndaluar nga policia dhe u është kërkuar të bashkëpunojnë. Gjithashtu, policia ka shoqëruar edhe të afërm të tjerë të tij, të cilët kanë nisur të negociojnë për dorëzimin e Qefalisë. Por, 38-vjeçari nuk ka pranuar. Në këto momente, policia ka qenë e gatshme të arrestojë edhe shokun tjetër të tij, i cili po e ndihmonte, por ka kërkuar prej tij që të kontaktojë me Qefalinë dhe t’i tregojë se i kishin shoqëruar të afërmit dhe askush nuk mund ta ndihmonte, pasi ishin në survejim. Policia kishte përgatitur terrenin për ndërhyrje edhe me forca speciale, pasi ishte lokalizuar zona, pavarësisht se jo shumë ekzakte. Kështu, pasi Qefalia ka marrë paralajmërimet e fundit dhe falë punës operacionale të ngritur nga policia, është detyruar të vetëdorëzohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›