E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga, në gjyq grupi i Ben Çamit

 

Ben Çami dhe pesë bashkëpunëtorë të tij rikthehen në gjykatë me akuzat për trafikimin e 38 kileve heroinë. Ende pa u mbushur një vit nga lirimi nga qelia, i riu durrsak është rikthyer sërish, tashmë i akuzuar si drejtues i një tjetër grupi me gjashtë anëtarë. Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, i riu nga Durrësi, emri i vërtetë i të cilit është Lutfi Shabani dhe që njihet me nofkën “Ben Çami”, akuzohet se është përfshirë në tre episode të trafikimit të lëndëve narkotike drejt Italisë. Në bazë të akteve të dërguara nga Prokuroria e Milanos, disa shqiptarë kanë trafikuar në drejtim të Italisë sasi të ndryshme narkotikësh në vitet 2003-’04, ku një pjesë e saj është kapur. Nga përgjimet telefonike ka rezultuar se Shabani, i cili njihet edhe me emrin Arben Shalaj, është implikuar në trafikun drejt Italisë, të paktën në dy raste. Më 11 maj 2004 janë dërguar në Itali 15 kg heroinë nga Shabani nëpërmjet korrierit Nevruz Shabanaj, i cili e kishte fshehur drogën në bagazhin e mjetit “Fiat Croma” me targë sllovene KR-K7581, ndërsa do i dorëzohej Elton Nikocaj, alias Alban Nuraj. 6 ditë më vonë, Shabani ka nisur një sasi prej 19 kg heroinë me korrierët Feti Ramadani dhe Bashkim Hiseni, të cilët e kishin fshehur në veturën “Opel Corsa” me targa sllovene LJ J0-57U, ndërsa do ia dorëzonin Ilirjan Cipos. Shabani u prangos pasditen e 24 korrikut 2008 në orën 17:45, në rrugën Golem-Kavajë në oborrin e një hoteli, ndërsa kishte fshehur 15.5 kg heroinë në mjetin “BMW” me targë DR 3545 E. Hetimet kanë nxjerrë se Shabani e ka kryer këtë vepër në bashkëpunim me shqiptaro-maqedonasin Isein Nasufi, të cilit i është gjetur një gjurmë gishti në njërën nga ambalazhet e narkotikut. Ndërkohë më 6 shtator të vitit të kaluar në lagjen 13, në zonën e plazhit të Durrësit, u sekuestruan 4.2 kg heroinë në një mjet “Golf 4”, me targë OH 444-IG, që drejtohej nga Isein Nasufi. Bashkë me të u kapën edhe Dritan Gjura dhe Madrit Istrefi, të cilët, sipas hetimit, jo vetëm që kanë shoqëruar të pandehurin Nasufi, por rezultojnë se kanë dijeni dhe janë pjesëmarrës aktivë në kryerjen e kësaj vepre penale. Hetimet kanë nxjerrë se bashkëpunëtor i tyre ka qenë edhe shqiptaro-amerikani Françesk Shkambi, të cilit i janë gjetur gjashtë gjurmë gishtash në ambalazhin e drogës. Pas urdhër-arrestit në ngarkim të Shkambit, policia arrestoi edhe të pandehurin Arif Kurti, i cili ka rezultuar nga hetimi se është jo vetëm lidhje shoqërore e shqiptaro-amerikanit, por ishte në dijeni të të gjithë veprimtarisë dhe aktivitetit në trafikun e narkotikëve. Tashmë dosja penale në ngarkim të tyre është depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku pas nënshtrimit të procedurave të shortit elektronik në këtë institucion, pritet t’i dorëzohet një kolegji penal pesë-anëtarësh për t’u shqyrtuar. Ende nuk dihet qëndrimi i të pandehurve pas përfundimit të hetimeve, por në momentin e arrestimit të gjithë kanë mbajtur qëndrime mohuese, madje kanë pretenduar se lëndët narkotike ua kishin futur nëpër makina dhe këta nuk kishin dijeni.                    re.kr

Të akuzuarit

- Lutfi Shabani (Ben Çami, Arben Shalaj)
- Isein Nasufi
- Dritan Gjura
- Madrit Istrefi
- Françesk Shkambi
- Arif Kurti
Akuzat
- “Trafik narkotikësh, në bashkëpunim më shumë se një herë”
- “Prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›