Itali, vëllai gjen shqiptarin e vdekur në aksident rrugor
ITALI – Një 29-vjeçar shqiptar ka humbur jetën dje në Civitela të shtetit fqinj. Ngjarja ku ka mbetur i vdekur në vend Alban Culaj, ka ndodhur në segmentin “Bidentina” pranë Nespolit. Mendohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën ai po drejtonte automjetin. Duke iu referuar mediave të vendit fqinj, ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, teksa Culaj ishte duke ikur në punë me automjetin e tij tip “BMW 320”. Mendohet se ai ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur me një mur rrethues të një banese pranë rrugës. E para makinë që ka qëndruar në vendin e aksidentit ka qenë një automjet me disa punëtorë të tjerë shqiptarë, mes të cilëve edhe vëllai i Culajt. Ata nuk kanë mundur t’i vijnë në ndihmë 29-vjeçarit, pasi përplasja e fortë i kishte shkaktuar atij vdekje të menjëhershme. Sipas një rindërtimi të parë të skenës së aksidentit prej autoriteteve policore italiane, duket se automjeti BMW ka qenë duke lëvizur me shpejtësi shumë të madhe. Në një kthesë të rrugës automjetit i kanë dalë gomat e krahut të djathtë në brezin e barit jashtë rrugës. I riu ka manovruar në anën e kundërt për të futur sërish në korsi automjetin, pa përdorur frenat. Në këtë moment 29-vjeçari është përplasur me një mur pranë rrugës. Përplasja e automjetit me murin ka qenë në anën e pasagjerit. Por shpejtësia e madhe dhe përplasja e fortë ka shkaktuar dëmtime të rënda në organet jetësore të Culajt, i cili nuk ka arritur t’i mbijetojë aksidentit. ar.ba