Droga, trafikanti tradhton Bashkëpunëtorët, tetë arrestime
14/01/2005 TIRANË -Pas pesë ditësh me “gojë të mbyllur”, të arrestuarit për trafikimin e 312 kileve hashash në Vlorë, kanë filluar të japin deklarimet e para për hetuesit. Dje, Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e tre personave të tjerë, me akuzën se kanë marrë pjesë në përpjekjen për të trafikuar në Itali 312 kile hashash, me anën e një mauneje. Tre arrestimet e djeshme e çojnë në tetë numrin e personave që janë vënë në pranga, pas kapjes së ngarkesës me drogë, të dielën e javës së shkuar. Gjatë ditëve të shkuara të kësaj jave, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka urdhëruar pesë arrestime. Edmond Papa, 36 vjeç, shofer i maunes në të cilën u kap droga, Ilia Simoni bashkëpronar i një fabrike të prodhimit të qeseve plastike me italianin Roberto Altobeli, 33 vjeç, janë arrestuar të parët. Më pas kanë shkuar në qeli edhe Ernis Ismaili, 21 vjeç dhe Artan Sadiku, 30 vjeç, u arrestuan tri ditë më parë. Njëri nga pesë të arrestuarit ka thyer heshtjen gati njëjavore. Teksa merrej në pyetje nga hetuesit, ai ka nxjerrë emrat e dy personave të implikuar në trafikimin e 312 kileve hashash, e cila u kap në portin e Vlorës, teksa po nisej me tragetin që shkonte në Brindizi. Menjëherë pas dëshmisë së këtij personi, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arrestuar dy personat e parë dje. Ata kanë lidhje me pronarin shqiptar të fabrikës së qeseve, në pronësi të së cilës rezulton të jetë maunia me targa BT 863 PB, ku u kap droga. Dëshmitari “i penduar”, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në trafik, ka hedhur poshtë akuzën ndaj tij, duke thënë se dy persona të tjerë, i kishin kryer veprimet për të cilat akuzohej ai. Ndërsa personi i tretë që është vënë dje në pranga, është tradhtuar nga gjurmët e gishtave të tij, të cilat janë gjetur në qeset plastike ku ishte paketuar droga, që do të trafikohej në Itali. Maunia e firmës “ROAL” u kap në portin e Vlorës ditën e dielë. Gjatë kontrollit teknik, pasi ajo kishte kaluar traun e policisë, ekspertët vunë re drogën në tavanin e mjetit. T.S.