E Diel, 1 Nëntor 2026

Pojani, vrasesi ndodhej në Vlorë

14/01/2005  TIRANË -Hetimet për vrasjen e tregtarit Arben Pojani, delegohen në qytetin e Vlorës. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, thanë dje se zbardhja e vrasjes së biznesmenit 34-vjeçar, i cili merrej kryesisht me tregtinë e mishit, i është deleguar së fundi Prokuorisë së qytetit të Vlorës. Burimet nga organi hetimor, thanë se hetimi ka shkuar në Vlorë, pasi disa prova të dosjes çojnë tek emri i Dritan Veselit, si njëri prej të dyshuarve të vrasjes.

Hetimi në Vlorë

Por në kushtet kur ky person është ekzekutuar, në mesin e muajit shtator të vitit 2004, mbetet për të hetuar rreth bashkëpunëtorëve të tij, pasi, sipas provave, vrasja e Pojanit ka qenë një atentat i mirorganizuar. Prej datës 14 shtator të vitit të shkuar, Prokuroria ka dhënë deklarimet e saj, se emri i Dritan Veselit, viktimë e një atentati në mbrëmje vonë në Vlorë, po hetohej në dosjen e vrasjes së Arben Pojanit, si i dyshuar i mundshëm. Ndaj tij, në mënyrë zyrtare, nuk ka filluar çështje penale, por ai mbetet i dyshuari kryesor. Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së tij, edhe nëse zbulohen prova, procedimi penal nuk mund të fillojë. “Ajo që mund të bëjë Prokuroria është identifikimi i bashkëpunëtorëve të Veselit, në vrasjen e Arben Pojanit, nëse kjo provohet ndonjëherë”, thanë burimet e Prokurorisë.

Vrasjet

Ashtu sikurse Arben Pojanit, vite më parë në qytetin e Vlorës, vëllai i ishte vrarë në një atentat misterioz, edhe Dritan Veselit i kishte qëlluar i njëjti fat i keq. Por Arben Pojani do të vritej në Tiranë, në datën 22 gusht, rreth orës 22.00 të mbrëmjes, në afërsi të ndërtesave 9-katëshe, pranë qendrës së Tiranës. Ndërsa Dritan Veseli, i njohur si “Did Çami”, u vra në datën 14 shtator 2004, në bregdetin e qytetit të Vlorës, ndërsa një miku i tij mbeti i plagosur, pasi u ndodh në afërsi të tij, në momentin e breshërive.

Kush ishte

Arben Pojani

Njëri prej tregtarëve më të mëdhenj të mishit në Shqipëri, Arben Pojani (Fodulli), kreu instalimin e frigoriferëve modernë të mishit në qytetet e Fierit dhe Tiranës. Ai drejtonte firmën "Alb Foods" dhe kishte punësuar pranë saj 70 punëtorë, të gjithë me kontrata. Gjatë aktivitetit të tij, ai ka zbatuar teknologjinë e impianteve ftohëse, me emrin e firmës "Frimer". Pak kohë para vrasjes, ka ideuar dhe financiar organizimin në datën 16 shtator 2003, të aktivitetit futbollistik ndërkombëtar "Ndeshja e Zemrës", me yjet e muzikës italiane, në kuadër të aktiviteteve për shenjtërimin e "Nënë Terezës". Ky aktivitet është anuluar vitin e kaluar pas vrasjes së Pojanit, i cili ishte mbështetësi kryesor financiar i ndeshjes.

Pistat e atentatit

Autorët e vrasjes së Arben Pojanit, besohet se mund të kenë patur si shkak hakmarrjen. Hetuesit e lidhin vrasjen në Tiranë me ekzekutimin e vëllait të tregtarit në Vlorë, vite më parë. Konkurrenca është një pistë tjetër, e cila mbështetet më shumë në suksesin gjithnjë në ngjitje të Pojanit, sesa në provat penale. Ndërsa pista e tretë është ajo e problemeve të mundshme personale, që mund të kenë çuar deri te vrasja. Ende asnjëra prej pistave nuk është provuar, ashtu sikurse të gjithë të dyshuarit për vrasjen, nuk janë akuzuar në mënyrë zyrtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›