E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgatitet zyra e pëgjimeve telefonike, Prokurori-SHISH

14/01/2005  TIRANË - Një zyrë speciale për përgjimet telefonike, do të fillojë punën gjatë këtyre ditëve në Tiranë. Zyra e re, e cila do të regjistrojë të gjitha komunikimet telefonike të personave të dyshuar për veprimtari kriminale, do të ketë në përbërjen e saj punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Prokurorisë. Kjo zyrë është krijuar dhe do të funksionojë me vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka për qëllim goditjen, zbulimin dhe parandalimin e veprave penale, që kanë të bëjnë me krimet me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak në maksimum se pesë vjet, si dhe krimet që lidhen me armët dhe lëndët plasëse, me substancat narkotike dhe me kontrabandën.

Funksionimi

Mënyra e funksionimit të kësaj zyre ka përcaktuar kompetenca më të gjera për organin e Prokurorisë, se sa për Shërbimin Informativ. Strukturat e Shërbimit Sekret do të kenë mundësinë të kryejnë regjistrime të bisedave telefonike me anë të kësaj zyre, vetëm duke vënë në dijeni Prokurorinë dhe, pasi, kjo e fundit siguron një vendim gjykate. Ndërsa organi i akuzës do të fillojë nga ana e saj përgjimin telefonik, për të gjithë personat e dyshuar për veprimtari kriminale, duke kërkuar nga gjykata, njohjen e këtyre regjistrimeve si provë penale në caktimin e masës së dënimit, ndaj personave të survejuar. Zyra do të realizojë përgjimet me anën e pajisjeve të instaluara në vende të caktuara, të autorizuara e të kontrollura nga prokurori i rrethit. Komunikimet e përgjuara regjistrohen dhe për veprimet e

kryera, punonjësit e zyrës duhet të mbajnë procesverbal.

Përgjimet

Të gjitha procesverbalet dhe regjistrimet e përgjimeve do të ruhen në prokurorinë që ka urdhëruar përgjimin derisa vendimi të marrë formë të prerë. Përjashtim për këtë rast, bëjnë të gjitha informacionet e përgjimeve të cilat nuk lejohet me ligj, të vihen në përdorim. Në çdo rast të asgjësimit të informacioneve apo dosjeve të krijuara gjatë përgjimeve, çdo veprim do të kryhet duke vënë në dijeni të plotë Gjykatën. Asgjësimi i informacioneve, procesverbaleve apo transkriptimeve, do të bëhet nën kontrollin e gjyqtarit dhe për këtë veprim do të mbahet procesverbal i posaçëm. Zyra e Përgjimeve Telefonike do të ketë juridiksion në të gjithë territorin e vendit. Punonjësit e zyrës duhet të marrin urdhër nga Gjykata, e cila lejon hetuesit apo punonjësit e zyrës të kryejnë transkriptimin e plotë të regjistrimeve, që cilësohen të nevojshme për hetimin. Transkriptimet futen në fashikullin e gjykimit.

KODI I PROCEDURËS PENALE

PËRGJIMI I BISEDIMEVE OSE KOMUNIKIMEVE

Neni 221

Kufijtë e lejimit

1. Përgjimi i bisedimeve, komunikimeve telefonike dhe i formave të tjera të telekomunikacionit lejohet vetëm kur procedohet për:

a- krime me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak në maksimum se pesë vjet.

b- krimet që lidhen me armët dhe lëndët plasëse, me substancat narkotike dhe me kontrabandën;

c- veprat penale të fyerjes dhe kanosjes me anën e telefonit

2. Përgjimi, i përcaktuar në pikën 1 më sipër, është i vlefshëm për të gjithë komunikuesit.

Neni 222

Vendimi për lejimin e përgjimit

1. Me kërkesën e prokurorit ose të të dëmtuarit akuzues, gjykata autorizon përgjimin me vendim të motivuar për rastet e lejuara me ligj, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës. Kundër vendimit të gjykatës që refuzon kërkesën mund të bëhet ankim i veçantë.

2. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t'i vijë një dëm i rëndë hetimeve, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar dhe njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se njëzet e katër orë. Gjykata brenda dyzet e tetë orëve nga vendimi i prokurorit bën vleftësimin me vendim të arsyetuar. Kur vleftësimi nuk bëhet në afatin e caktuar, përgjimi nuk mund të vazhdojë dhe rezultatet e tij nuk mund të përdoren.

3. Vendimi për përgjimin tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, e cila nuk mund t'i kalojë pesëmbëdhjetë ditët. Ky afat, me kërkesë të prokurorit, mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme, për një periudhë prej 20 ditësh kur procedohet për krime dhe 40 ditësh kur procedohet për krime të rënda.

4. Për kryerjen e përgjimit, prokurori vepron vetë ose me anën e një oficeri të policisë gjyqësore.

5. Në regjistrin që mbahet në prokurori shënohen aktet që urdhërojnë, autorizojnë, vleftësojnë ose zgjasin përgjimet, si dhe fillimin, mbarimin e veprimeve të çdo përgjimi.

Projektligji: Videombikëqyrje

në vende publike dhe private

Në Shqipëri, së shpejti pritet të zhvillohen videombikëqyrjet e hapura të personave që dyshohen për veprimtari kriminale. Një vendim i Këshillit të Ministrave, ka miratuar dje projektligjin “Për përdorimin e mjeteve të videombikëqyrjes së hapur, në vende publike dhe private, në funksion të sigurisë publike dhe të provës në procesin penal”. Përdorimi i videombikëqyrjes, si nga realiteti shqiptar dhe nga statistikat ndërkombëtare, po gjen zbatim gjithnjë e më të madh për efektet e sigurisë dhe përdorimit si provë në ndjekjen penale, përcaktohet:

1.Kushtet dhe procedurat për lejimin dhe përdorimin e mjeteve të videombikëqyrjes së hapur, në funksion të sigurisë publike dhe private dhe të përdorimit si provë në procesin penal.

2.Organet përgjegjëse të ngarkuara për vlerësimin, lejimin dhe kontrollin e zbatimit.

3.Të drejtën e qytetarit për t’u informuar për sistemet e videombikëqyrjes dhe mundësitë e trajtimit të imazheve të tij në një ambient të videombikëqyrur.

4.Të drejtën e çdo personi, që në rastet e shkeljes së të drejtave të tij, t'i drejtohet gjykatës për t'i kërkuar rivendosjen e së drejtës së shkelur dhe shpërblimin e dëmit.

5.Rregullat e përgjithshme për zhvillimin e videombikëqyrjes, duke përfshirë në to procedura me kompetenca lejuese dhe kontrolluese.

6.Elementet teknike të marrjes dhe trajtimit të pamjeve filmike.

7.Lehtësitë ligjore për përdoruesit e imazheve, të cilët mund të jenë vetëm organet e ndjekjes penale.

8.Kundravajtjet administrative dhe sanksionet për çdo rast.

Pergjegjësi penale personave juridikë

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen djeshme projektligjin “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”

Marrëdhëniet juridike që parashikon të rregullojë projektligji janë komplekse dhe përbëjnë një risi në të drejtën penale dhe traditën juridike shqiptare. Për herë të parë normohet ligjërisht dhe përgjegjësia penale e personave juridikë.

Parashikohet

Bazat e përgjegjësisë penale të personave juridikë, duke përcaktuar shprehimisht përgjegjësitë, masat dhe llojet e dënimeve. Sipas këtyre përcaktimeve, personi juridik është përgjegjës për veprat penale të kryera nga organet dhe përfaqësitë e tij, gjatë shkeljes së detyrimeve ligjore dhe statutore, pavarësisht nga fakti, nëse personi juridik ka përfituar ose do të kishte përfituar të ardhura të paligjshme për vete ose për të tretë.

Përgjegjësinë e personit juridik, edhe në rastet kur personi që ka kryer veprën penale nuk mund të identifikohet, të merret i pandehur, apo ekzistojnë kushtet e parashikuara për mosfillimin e procedimit penal.

Ndjekje penale

administratës publike

Qeveria ka miratuar projektligjin për llojet e dënimeve kryesore dhe plotësuese për veprat penale të kryera nga personat juridikë, ku si dënime kryesore janë parashikuar gjoba dhe mbarimi i detyruar i personit publik. Trajtimin e personave juridikë të proceduara dhe gjykuar penalisht, duke bërë shënimet e nevojshme në regjistrat dhe dokumentet e gjendjes civile, si dhe në regjistrat përkatës të personave juridikë. Si dënime plotësuese parashikohet të jenë edhe: Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të saj. Mbyllja e një ose më shumë veprimtarive a strukturave të personit juridik. Vendosja e personit juridik në mbikëqyrje të detyruar. Skualifikimi nga e drejta për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve, koncensioneve apo subvencioneve. Ndalimi për të kërkuar publikisht fonde dhe burime financiare. Heqja e të drejtës së ushtrimit të një a më shumë veprimtarive ose operacioneve dhe detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor. Ky projektligj është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe, në veçanti, me legjislacionin e BE-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›