Drogat, 65 për qind preferojnë kanabisin
Gjithsej 40 mijë persona janë përdorues të rregullt të drogës në Shqipëri. Rreth 65 për qind e tyre preferojnë masivisht kanabisin, 20-25 për qind parapëlqejnë heroinën, ndërsa vetëm 10 për qind janë përdorues të kokainës. Duke marrë shkas nga këto shifra shqetësuese që paraqiten aktualisht në vendin tonë, me rastin e Ditës Botërore të Luftës kundër Drogës, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme zhvilluan dje një takim për këtë temë. "Mendo për shëndetin, jo për drogën". Ky është slogani i lançuar për vitin në vazhdim nga Zyra Kundër Drogave dhe Krimit të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj “fushate” është domethënëse sidomos për orientimin, si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në atë kombëtar e lokal, për t’i kushtuar më shumë vëmendje aspekteve të shëndetit publik. Nga ana tjetër, ajo parashikon përpjekjet e përgjithshme sociale për kontrollin e drogës në mbarë botën. “është koha për t’u rikthyer tek një motiv pozitiv, ku vlerat e shëndetit në tërësinë e tij janë cilësi që e përbuzin, e shpërfillin dhe e çojnë larg drogën”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ai përmendi edhe krijimin e shërbimeve të këshillimit lidhur me problemet e drogës dhe dhënien e metadonit në disa qytete si Elbasan, Tiranë, Durrës, Vlorë e Korçë. "Politika për ta shtrirë këtë shërbim në të gjithë territorin është një përballje e sistemit shëndetësor me problemet medikale, por dhe me ndërthurjen sociale në të, për ta përballuar në mënyrë profesionale këtë problem në përgjithësi", theksoi Vasili. Sipas tij, një tjetër hap i rëndësishëm është edhe adaptimi i rregulloreve të reja për shërbimin shëndetësor të shkollave në vend. E megjithatë ministri i Shëndetësisë nuk mund të mos përmendte edhe paketën e re të shërbimeve shëndetësore, këshillimin për drogat, si dhe programin e shkollave të shëndetshme të ndërmarrë nga Instituti i Shëndetit Publik, një vit më parë. “Të gjitha në kompleks përmbajnë elemente për një mobilizim kapilar të këtij problemi tejet shqetësues për shoqërinë tonë. Shprehim gatishmërinë për t’u përballur me seriozitet dhe përgjegjshmëri me këtë fenomen”, shtoi Vasili.
#