E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHKB prangos një polic, nën hetim një tjetër

Kakavijë Akuzohen se kanë rrahur një 17-vjeçar dhe i kanë marrë 500 eurot që kishte me vete

Pranga një punonjësi të policisë kufitare të Kakavijës, ndërkohë që një tjetër do të hetohet nga SHKB-ja në gjendje të lirë. Dy uniformat blu akuzohen se kanë abuzuar me detyrën dhe kanë ushtruar dhunë mbi një adoleshent, duke i marrë dhe një shumë prej 500 eurosh. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se specialistët e Sektorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë arrestuar mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:20, një punonjës të Policisë Kufitare në Kakavijë. Të njëjtat burime saktësojnë se është arrestuar në flagrancë inspektori Kreshnik Birbili, 27 vjeç, lindur në fshatin Valare të Komunës së Lunxhërisë në Gjirokastër, me detyrë operator në Stacionin e Policisë Kufitare Kakavijë. Të njëjtat burime saktësojnë se është dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë edhe nënkomisar Mariglen Hadaj, 28 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në Pikën kufitare të Kakavijës. Mësohet se ndalimi i inspektorit Birbili dhe procedimi ndaj Hadajt është bërë pas marrjes së ankesës nga një 17-vjeçar me inicialet XH.D., nga Berati. I riu, në datën 19 qershor të këtij viti ka hyrë nga territori grek për në Shqipëri nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës. Adoleshenti ka denoncuar se sapo ka hyrë në Shqipëri, gjatë intervistimit nga punonjësit e policisë Birbili dhe Hadaj, është keqtrajtuar fizikisht dhe më pas në këmbim të lënies së lirë i është marrë një shumë prej 500 eurosh të cilën e kishte me vete. “Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake dhe arrestimit në flagrancë të punonjësit të policisë, SHKB i referoi materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve të kësaj çështjeje, për veprat penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’, ‘Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Kryerjes së veprimeve arbitrare’, vepra penale këto të parashikuara nga nenet: 248, 259 dhe 250 të Kodit Penal”, thuhet në komunikatën zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë që dje Ministria e Brendshme ka deklaruar se pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm është vendosur linja telefonike falas 08009090, që është në dispozicion të qytetarëve gjatë gjithë kohës, për të marrë ankesat e shtetasve ndaj uniformave blu.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›