Zemra po merr jetë njerëzish
Nga viti në vit vërehet një tendencë në rritje e numrit të vdekshmërive në popullatën shqiptare. Shkak për këtë, sipas ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, janë sëmundjet e zemrës dhe hipertensioni. Duke marrë shkas nga ky fenomen shqetësues që po prek së fundmi shoqërinë tonë, Vasili propozon edukimin dhe informimin e mjekëve të përgjithshëm, të familjes dhe të specialistëve të shërbimit ambulator, mbi rrezikshmërinë e këtyre sëmundjeve. Vasili mendon se një nga mënyrat më të mira për të parandaluar përhapjen e këtij rreziku, është informimi i mjekëve mbi pasojat negative që shkaktojnë këto sëmundje, por edhe trajtimi specifik që i duhet kushtuar kurimit të tyre.
Sipas ministrit këto lloj sëmundjesh duhen trajtuar si pandemi, pasi janë shkaktare kryesore për numrin e lartë të vdekjeve në vend. "Bëhet fjalë për një nga shkaqet kryesore të vdekjeve, në mënyrë të veçantë në fushën e patologjive kardiovaskulare. Së dyti, është shtimi i rasteve që vuajnë nga të tilla sëmundje, ajo që na bën të mendojmë se faktori kryesor që ndikon në marrjen e jetëve të shqiptarëve vazhdon të jetë hipertensioni dhe sëmundjet e zemrës”, tha ministri i Shëndetësisë. Për këtë arsye, Vasili shprehet se masat që duhen marrë për trajtimin e kësaj pandemie të vërtetë në fushën e sëmundjeve kronike duhet të jenë imediate.
Kursi i edukimit në hipertensionin arterial, risku kardiovaskular dhe insuficienca kardiake udhëhiqet nga profesorë të specializuar në fushën e këtyre sëmundjeve dhe njeh pjesëmarrjen e mjekëve të familjes nga i gjithë kryeqyteti. Synohet që nëpërmjet këtij kursi, mjekët të njihen me metodat e reja në trajtimin e të sëmurëve si dhe në rishikimin e medikamenteve.
Sëmundja e zemrës dhe simptomatNjë nga sëmundjet më të shpeshta të zemrës është sëmundja koronare e saj. Ajo zakonisht shkaktohet nga arteroskleroza, që është një grumbullim i substancave yndyrore brenda mureve të arterieve të zemrës. Në këtë sëmundje arteriet, që ushqejnë zemrën me oksigjen dhe lëndë ushqyese, bëhen më të ngushta prej arterosklerozës. Kjo kufizon furnizimin me gjak dhe oksigjen të zemrës, sidomos në sforcim, ndërkohë që duhet të punojë më shumë.
Ka raste kur infarkti shfaqet me dhembje të lehta, që të krijojnë përshtypjen e ndonjë çrregullimi në tretje, apo dhembje stomaku. Por ndodh edhe kur ai shfaqet pa asnjë dhembje. Simptoma të tjera të atakut të zemrës përfshijnë: vështirësinë në frymëmarrje, djersitje, nauza dhe të vjella, të cilat nuk qetësohen edhe kur ulesh për të pushuar.
#