Drogat e lehta dhe sherret, policia viziton tetë shkolla
Drogat e buta dhe konfliktet në shkolla janë çështjet kryesore që sot po shqetësojnë policinë e kryeqytetit, pasi numri i të rinjve të përfshirë në to ka ardhur në rritje. Për këtë arsye, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Tiranës, filloi zbatimin e një programi sensibilizues për edukimin e nxënësve, lidhur me rreziqet që vijnë nga droga dhe substanca të tjera të rrezikshme. Ky program po realizohet dhe vetëm gjatë dy ditëve janë vizituar pesë shkolla, ku specialistë të policisë kanë diskutuar me nxënës të ndryshëm, sidomos për drogat e lehta, që kanë të bëjnë me kanabisin, alkoolin dhe duhanin. Gjatë pesë ditëve, policia e Tiranës ka planifikuar të zhvillojë takime në tetë shkolla të kryeqytetit, ku që në takimet e para, nxënësit kanë qenë të interesuar jo vetëm për drogat, por edhe për ndihmën që u ofron policia, në momente konfliktesh. Ata kanë hapur një sërë diskutimesh për presione që u bëhen nga nxënës më të rritur dhe që qëndrojnë në grupe. Në vijim të masave përgjatë këtyre ditëve, Policia e Tiranës ka planifikuar masa shtesë për parandalimin e ngjarjeve dhe rritjen e masave të sigurisë në shkollat e mesme dhe 9–vjeçare, si dhe në vendet e akomodimit të nxënësve. Për mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë plan, përveç strukturave të rendit dhe qarkullimit rrugor, janë ngarkuar me detyra specifike edhe struktura kundër krimit të organizuar dhe atyre kundër krimeve ndaj personit, me qëllim ndjekjen në vazhdimësi të problemeve të kriminalitetit, krimeve ndaj personit, kundër drogës dhe kundër trafiqeve të paligjshme.
#