Kapet 4 kg heroinë, pranga emigrantit
Policia kufitare sekuestron 4 kg heroinë në doganën e Kapshticës, ndërkohë që në pranga ka rënë një i ri korçar, i cili ka tentuar ta kalojë drogën drejt Greqisë. Bllokimi i lëndës narkotike ka ndodhur në vendkalimin kufitar, pasditen e së martës. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se gjatë kontrollit të policisë, në autoveturën tip “Audi” me targa greke NHA 1953, të drejtuar nga 22-vjeçari Arsen Lumani është zbuluar 4 kg drogë, e tipit heroinë. Policia nuk sqaroi nëse ka pasur sinjalizime për këtë rast të trafikut të drogës, por tha se e zbuloi dhe sekuestroi sasinë e drogës dhe prangosi 22-vjeçarin, i cili jetonte si emigrant në Greqi. Policia e zbuloi drogën e paketuar në katër qese të fshehur në sediljet e pasme të makinës në pronësi të 22-vjeçarit. Ky është rasti i dytë në një periudhë të shkurtër që në doganën e Kapshticës kapen droga të forta, që synohet të kalohen në Greqi kryesisht me destinacion qytetin e Selaniku.
#