Përplasen me dy makina, plagoset me gur 30-vjeçari
Dy 30-vjeçarë janë protagonistët e një sherri që ka ndodhur paraditen e djeshme në Tiranë, ku njëri ka mbetur i plagosur, ndërsa tjetri ka përfunduar në polici. Konflikti mes tyre ka lindur pas fërkimit të makinave në një parakalim të gabuar dhe menjëherë ka nisur një debat, që ka qenë i vështirë për t’u shuar. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se për këtë konflikt janë njoftuar paraditen e djeshme se po ndodhte pranë kryqëzimit të rrugës “Myslym Shyri” me Unazën, pranë shkollës “Sabaudin Grabrani”. Me t’u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë nga Komisariati Nr. 2, që kanë konstatuar gërvishtjen e dy makinave, si dhe kanë parë të gjakosur njërin prej drejtuesve të tyre. Sipas të dhënave të mbledhura në vendin e ngjarjes, policia tha se makinat ishin fërkuar gjatë një parakalimi dhe dy drejtuesit kishin ndaluar në mes të rrugës, duke u zënë fillimisht me fjalë dhe duke bllokuar rrugën, që ka sjellë trafik në qarkullim. Më pas, njëri prej tyre ka marrë një gur dhe ka goditur xhamin e mjetit tjetër, brenda të cilit ndodhej drejtuesi, që ka marrë plagë në kokë. I dëmtuari është nisur për në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që agresori është shoqëruar në polici dhe mund të procedohet penalisht në gjendje të lirë për plagosje të lehtë.
#