Drogba : Makelele, shpëtimi ynë

19/01/2005 Sulmuesi i Çelsit Didier Drogba është i mendimit se trajneri Hoze Murinjo ka ardhur në pankinën e kësaj skuadre vetëm si pasojë e transferimit në “Stemford Brixh” të Klod Makelele. Ndonëse Drogba ka treguar deri tani një formë shumë të mirë fizike si dhe mjaft gola të shënuar me skuadrën e tij të re, ai prapë se prapë lavdëron praninë e mesfushorit francez si çelsin e suksesit të bluve në pothuajse gjithë kompeticionet, ku ka marrë pjesë. “Makelele më ka dhënë një frymëzim të jashtëzakonshëm në lojën time me Çelsin, ka thënë Droga. Në sytë e mi ai do të mbetet arkitekti i organizimit të lojës në këtë skuadër. Mbi të gjitha ai zotëron shumë eksperiencë ndërkombëtare dhe pa dyshim një karizmë të veçantë. Mendoj se në kampin e Çelsit është mjaft i respektuar nga të gjithë. Po ashtu kam vënë re se i pëlqejnë më shumë realizimi i gjërave të thjeshta. Klod zotëron një klas fantastik në lojën e tij dhe kjo sigurisht e ka bërë një mesfushor kaq të rëndësishëm për Çelsin. Madje mund t’iu them se nëse Makelele nuk do të ishte i pranishëm në këtë skuadër, atëherë edhe trajneri Hoze Murinjo nuk do të kishte pëlqyer të ulej në pankinën e Çelsit. Është tepër i rëndësishëm për sistemin e lojës që ne zhvillojmë dhe prandaj ai do të mbetet i pazëvendësueshëm. Skuadra jonë organizohet në një mënyrë krejt të ndryshme kur Klod nuk gjendet në formacion”. Nga ana tjetër Drogba ka ngulur këmbë se skuadra e tij nuk do të heqi dorë prej diferencës 10 pikëshe nga vendi i dytë që mbahet nga Arsenali. “Nuk është aspak e lehtë që ne të mposhtemi, por tashmë kemi filluar të jetojmë me idenë se një ditë do ta humbim një ndeshje, ka shtuar Drogba. Në këto momente gjendemi shumë mirë në krye të renditjes, por sigurisht duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Megjithatë nëse ne do të hiqnim dorë prej 10 pikëve që kemi fituar, kjo do të thoshte se kriza jonë ka nisur”.