Drogba: Nuk jam i penduar
15/02/2005 Didier Drogba ka bërë të ditur se, pavarësisht nga e kaluara e tij me Olimpikun e Marsejës, ai asnjëherë nuk ka ndjerë pendim, pasi ka hedhur poshtë shansin e tij për përfaqësimin e fanelës franceze. Sulmuesi i Çelsit ka qenë i gjendur gjithmonë nën presion, për t’u bërë një futbollist i përfaqësueses franceze. E megjithatë, Drogba asnjëherë nuk e ka lënë mënjanë përkushtimin e tij ndaj vendlindjes, Bregut të Fildishtë. Ai ka theksuar se, nuk ka ndjerë kurrfarë pendese për zgjedhjen e tij, sepse vendimi që ka marrë është më se i drejtë. “Jo, unë nuk kam patur asnjëherë ndjenja pendimi, lidhur me mosaktivizimin tim në radhët e përfaqësueses franceze, ka thënë Drogba. Kam mbërritur në Francë, në moshën pesëvjeçare dhe kam qenë gjithmonë një tifoz i madh për skuadrën e Mishel Platinis, në kohën e triumfit të Botërorit 1986. Megjithatë, unë ndihem tepër krenar për aktivizimin tim në radhët e skuadrës përfaqësuese të Bregut të Fildishtë. Mbi të gjitha ndihem krenar edhe për vendlindjen time në Abidjan. Zgjedhja për skuadrën e Bregut të Fildishtë ka ardhur tek unë, si diçka krejt e natyrshme”. Për më tepër, Drogba ka hedhur poshtë edhe idenë e partneritetit në sulmin e përfaqësueses franceze me Tieri Henri, nëse një ditë do të kishte pranuar këtë zgjedhje. “Unë nuk jam i sigurtë lidhur me një ide të tillë, sepse ndër të tjera do të hasja një konkurrencë të madhe me sulmues të talentuar, si për shembull David Trezege”-ka shtuar Drogba. Sulmuesi i Çelsit është duke u përpjekur që t’i japë një ndihmë më shumë vendit të tij, për të marrë pjesë për herë të parë në kompeticionin e Botërorit 2006. Sigurisht është shprehur se, nuk ndihet aspak xheloz për suksesin që ka arritur Franca në këto vitet e fundit me Kupën e Botës 1998, si dhe Evropianin 2000. “Për momentin, objektivi ynë kryesor është të marrim pjesë në Botërorin 2006, që do të zhvillohet në Gjermani, ka shtuar Drogba. Nuk duhet harruar kurrsesi një fakt i tillë që skuadra jonë përfaqësuese nuk ka marrë pjesë në fazën finale të një kompeticioni ndërkombëtar”.