E Hënë, 2 Nëntor 2026

Roza firmos 200 mijë dollarë për Kavalaris

15/02/2005  Greku i VEFA-s

Zbulohet dokumenti i tërheqjes së parave

“Roza t’i jepni zotit Apostolis Kavalaris, kundrejt një procesverbali të lëshuar prej tij një shumë prej 200 mijë dollarë”. Ky urdhër është lëshuar në shkurt të vitit 1996. Është e porositur nga kreu i firmës pramidale, Vehbi Alimuçaj, është firmosur prej tij. Fatura është gjithashtu e firmsour edhe nga kryefinancierja e Vefas, e njohur si Roza. Personi që ka tërhequr dollarët quhet Apostolis Kavalaris.

Prej vitesh në fakt emri i tij është i regjistruar në dosjet e Mbikëqyjes së firmave rentiere dhe është i publikuar gjithashtu zyrtarisht. Apostolis Kavalaris është i radhitur personi i 21 borxhli ndaj shtetit për shumen 19.000.000 lekë apo 200 mijë dollarë të vërtetuara si të marra në faturën e firmosur nga vetë ai.

Në fakt, për palën shqiptare, ky është procesverbali i vetëm që vërteton se Apstolis Kavalaris apo i njohur ndryshe si Apostolos Vavalis, ka qenë në Shqipëri gjatë vitit 1996 dhe ka patur marrëvshje me drejtuesin e firmës Vefa. Prej asaj kohe “borxhliu” Kavalaris është i kërkuar nga komisioni i fajdeve, pas kërkesave të shumta të bëra ndaj diplomacisë greke në ambasadë. Dyshohet që pozicioni i Apostolis Kavalaris ka qenë në rolin e një sekseri për transferimin e shumave të konsiderueshme në drejtim të Greqisë. Sipas kryetarit të komisionit të transparencës së fajdeve, Farudin Arapi, Apostolis Kavalaris ishte një ndërmjetës, i cili duhej për blejen e disa aseteve në vendin fqinj. Për këtë Vehbi Alimuçaj dhe Kavalaris kanë firmosur disa marrëveshje, për zbardhjen e të cilave pala shqiptare ka kërkuar disa herë ndimën e avokatisë greke. Megjithëse ka në dosje një faturë, e cila saktëson datën dhe shumën prej 200 mijë dollarësh të tërhequra nga firma, ende nuk dihet destinacioni dhe për çfarë është shpenzuar shuma. Gjatë procesit të bërë ndaj Vehbi Alimuçës, vetë komisioni kërkoi të bashkëpunonte për të marrë informacione se për çfarë ishte përdorur shuma e regjistruar, e ndërsa nuk u mor asnjë e dhënë, atëherë së bashku me faturën emri i Apostolis Kalavaris u regjistrua në dosjen e debitorëve, duke u shpallur kështu si një nga njerëzit që kishin tërhequr nga Vefa Holding një pjesë jo të pakët parash. Ndërkohë që për miliona dollarë të tjera, Kavalaris ka siguruar blerjen e aseteve, duke mos lënë gjurmë në kontabilitet.

Pengesat për identifikimin e aseteve në Greqi dhe në vende të tjera

Farudin Arapi tregon se një nga defektet, për të cilat nuk mund të identifikohen asetet e blera në Greqi është edhe mungesa e një marrëveshjeje bashkëpunimi dypalëshe midis vendeve përkatëse. Kjo ka penguar gjithashtu edhe për gjetjen e adresave të debitorëve të huaj dhe riidentifikimin e tyre. Të vetmet të dhëna që komisioni i transparencës së fajdeve ka mundur t’i sigurojë për persona të huaj, që jetojnë në Greqi janë marrë nëpërmjet Dhomës së Avokatisë greke.

A ekziston Apostolis Kavalaris në dokumentacionin e institucionit tuaj?

Kavalaris ka qenë i njohur për Vefan qysh prej vitit 1996, ndërkohë që për ne u identifikua si i tillë prej vitit 1997. Rasti i Apostolis i njohur te ne si Kavalaris dhe i njohur në Greqi si Vavalis, është bërë prezent në një faturë ku ai është debitor ndaj shtetit 200 mijë dollarë.

Çfarë roli luante Apostolis Kavalaris në bashkëpunimi me Vefan?

Kavalaris ka luajtur rolin e një ndërmjetësi, apo të një sekseri, i cili ndihmonte për blerjen e aseteve në vendin fqinjë pa lënë gjurmë në kontabilitet. Për këtë, ne disponojmë edhe dokumente bashkëpunimi me kreun e Vefës, ku bëhet fjalë për blerje të tjera, të cilat janë realizuar me lekë cash.

Sa të huaj mendohet se mund të kenë bashkëpunuar në këtë mënyrë?

Duhet të kemi parasysh se Vefa mendohet të ketë nxjerrë për të blerë asete jashtë vendit në shumën deri në 80 milionë dollarë. Kështu që rrjedhimisht edhe numri nuk është i pakët. Megjithatë, kemi dokumente edhe për një grek tjetër, që quhet Peter Cenollopollas, i cili ofroi blerje asetesh deri në 200 milionë dollarë, me qëllim lirimin e Vehbi Alimuçës.

Blerje të tjera nëpërmjet Kavalaris

Spiuni grek dhe shoqëria fantazme El Torre Develoment

Në dokumentet e gjetura pas arrestimit të bosit të Vefas, Alimuçaj, rezulton blerja e tragetit “Aulona” në vlerën 4,2 milionë dollarë. Blerja bëhet në bashkëpunim me firmën El Torre të përfaqësuar nga Kavalaris, megjithëse nga verifikimet e mëvonshme rezultoi se shoqëria El Torre nuk kishte qenë kurrë e regjistruar nga autoritetet greke dhe nuk ka funskionuar asnjëherë në këtë vend. Përfqësuesit e transparencës së fajdeve dyshojnë kështu se me blerjen e anijes “Aulona” është bërë transferta e parë në Greqi në vleftën 4, 2 milione dollarë. Sipas burimeve nga ky institucion më pas rezultoi se anija ishte tejet e amortizuar dhe çmimi i saj nuk shkonte më tepër se 700 mijë dollarë. Zyrtarisht, edhe sipas Farudin Arapit, ky ishte çmimi i vërtete i Aulonës.

Bashkëpunim për blerjen e një hoteli në Athinë

Emri i hotelit është Poseidon. Vlera e këtij aseti e çmuar nga komisioni i transparencës arrin deri në 2 milionë dollarë. Sipas burimeve nga komisioni edhe për blerjen e këtij hoteli si ndërmjetës ka qenë Kavalaris. Për këtë si dokument vërtetimi është një memorandum bashkëpunimi midis Vehbi Alimuçaj dhe Apostolis Kavalaris. Megjithëkëtë burimet shtojnë se kjo blerje nuk është bërë me kontabilitet, por me lekë cash. Emri i grekut të përfolur, del përsëri në blerjen e një shoqërie aviacioni, çmimi i së cilës mbërrin 1 milion e 300 mijë dollarë. Përsëri blerja ka ndodhur me lekë cash. Mëgjithë dyshimet e institucionit këto janë të vërtetuara në marrëveshjet Alimuça- Kavalaris.

Një tjetër grek në listën e debitorëve

Ai quhet Peter Cenollopollos. Gjatë evidentimit të dekumentacionit të firmës Vefa, emri i tij nuk figuron dhe nuk është i njohur. Në vitin 1998, menjëhere sapo Vehbi Alimuçaj u arrestua, Peter Cenollopos u paraqit në vendin tonë për të liruar ish-bosin. Nëpërmjet një letre të shkruar prej tij, të drejtuar ndaj krerëve të institucioneve, ai kërkon të bëjë një marrëveshje me autoritetet shqiptare për të marrë në shkëmbim të saj lirinë e Alimuçës. Në dokumentin e arkivuar në dosjet Vefa, Peter Cenollopos u propozon autoriteteve që t’u shesë atyre një sërë asetesh që ishin nën pronësinë e Alimuçës. Për këtë ai vendos çmimin 200 milionë dollarë. Por, sipas kryetarit Farudin Arapi, ky kompromis nuk u pranua, dukë kërkuar që të bëheshin diskutime të tjera për të ulur sadopak çmimin e aseteve që personi i emëruar si “Peter” ia afronte shtetit shqiptar t’i blinte me një çmim të arsyeshëm. Dhe kjo kërkohet në shkëmbim të lirimit të “bosit” Alimuça. Sipas burimeve, diskutimet për këtë çështje zgjatën jo pak, e ndërsa autoritetet shqiptare arritën të shkëpusnin nga Peter Cenollopollos çmimin tjetër për asetet, atë të 30 milionë dollarëve, gjatë tentativave për të bërë një tjetër pazar greku u zhduk, duke lënë në anonimitet identitetin e tij të vërtetë. E megjitatë në zyrën e komisionit të transparancës së fajdeve ka dy letra të firmosura nga Cenollopollos, të shkruara në anglisht dhe të drejtuara ndaj Farudin Arapit. Letra mban datën 5 qershor 1998.

Apostolos Vavulis me biznes në Shqipëri

Mediat greke janë ndalur edhe te "bëmat" e Vavulis në vendin tonë. Përpos lidhjeve me kompaninë Vefa, Vavulis, i cili në vitin 1995, kur mendohet se ishte dhe hera e parë që vizitoi Shqipërinë, u paraqit nën emrin Apostolis Kavelaras. Ai u përpoq të ngrinte edhe një rrjet dyqanesh fast-food. Në maskën e një përfaqësuesi të këtij rrjeti, ai mundi të krijonte disa dyqane të tilla, që në Tiranë u njohën me emërtimin "Fast-Food Hambo". Sipas mediave greke, ky biznes nuk pati sukses, por Vavulis nuk e humbi kurajon. Vetëm pak kohë më vonë rikthehet si përfaqësues i një kompanie izraelite, që tregtonte armë paralizuese. Më pas gjurmët e tij humbasin. Por ajo ç'ka duket e sigurtë sipas "Apogjevmatini", është fakti se pas bashkëpunimit tregtar me Vefan, në një shumë prej 800 mijë USD, Vavulis bashkë me dollarët çoi në Greqi edhe informacione për sistemin piramidal që ishte krijuar në vendin tonë, informacione që ai ua dha shefave të shërbimit sekret grek (EIP), por në bazë të këtij informacioni vihet në djeni edhe Ministria e Ekonomisë greke, për atë çka ndodhte në vendin tonë.

Eleftherotipia, CV e Vavulis

Apostolos Vavulis, u arrestua në moshën 27-vjeçare për transport dhe zotërim të lëndëve narkotike, në Volos, në vitin 1988. Të paktë janë ata që mund të imagjinojnë një rrugëtim të përshkruar vetëm në romane, me prapaskenë policinë, kishën, shërbimet sekrete dhe veprimtari tregtare, një veprimtari që vazhdon prej 17 vitesh.

* Shpallet zyrtarisht informator i policisë greke në çështjet e lëndëve narkotike dhe jo vetëm.

* Hartues teksti mësimor në përdorim të shkollave të policisë.

* Përfaqësues zyrtar i kompanisë që tregtonte sisteme sigurie për Ministrinë e Rendit.

* Jepte karta identiteti dhe pasaporta false, duke shfrytëzuar lidhjet dhe njohjet e tij në polici.

* Shfaqet si person që ka patur lidhje dhe shkëmbime tregtare me sistemin piramidal në Shqipëri.

* Martesa e tij me një grua me origjinë hebreje dhe përfaqësimi i kompanive që mbështesnin interesat izraelite, ishte një pasaportë tjetër, e cila do ta bënte të pakapshëm për sistemin policor grek.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›