Joga është sekreti i Gigs
15/02/2005 Anësori i Mançester Junajtid, Rajan Gigs, ka zbuluar sekretin e suksesit në profesionin e tij si futbollist profesionist. Bëhet fjalë për një nga teknikat e relaksimit dhe meditimit oriental që quhet joga, shumë e këshillueshme për efektet e saj ndaj stresit. Uellsiani, i cili nuk ka qenë i gatshëm për t’u aktivizuar në radhët e skuadrës përfaqësuese, në takimin me Hungarinë, si pasojë e një dëmtimi të pësuar, mendon se ky sezon i jashtëzakonshëm me djajtë e kuq është ndikuar së tepërmi, nga teknikat qetësuese të jogas. “Unë ndihem aq mirë fizikisht sa rrallë ndonjëherë, ka thënë Gigs. Unë, në përgjithësi e përdor një teknikë të tillë relaksimi për të përballuar problemet e mia profesionale dhe jetësore. Kam qenë në gjendje të përballoj një tërheqje muskulare prej vitesh me radhë. Sa më shumë teknika meditimi më kanë bërë që të vishem me një eksperiencë të madhe, e cila ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e problemeve fizike, pavarësisht nga mosha. Tashmë gjej kohën për të pushuar gjithmonë, kur ndjej se kam nevojë për t’iu larguar streseve të ditës. Mendoj se edhe trajneri ynë ka shfaqur një respekt të madh karshi meje. Diçka tjetër e rëndësishme në këtë pikë, është se unë e kam përdorur jogan prej gati dy vjetësh. Ajo më ka dhënë një ndihmë shumë të madhe, lidhur me tërheqjen muskulare dhe problemet fizike në shpinë. Janë shumë të paktë, ata lojtarë të pjekur në moshë për futboll, të cilët e praktikojnë një gjë të tillë dhe sidomos me mësues ekspertë për ushtrimin e jogas. Gjithçka është shumë e thjeshtë dhe ka të bëjë me disa ushtrime trupore, me të cilat unë gjej një pozicion të përshtatshëm për të forcuar kockat e shpinës, si dhe muskujt që mund të kem tërhequr. Deri tani ajo ka patur një efekt të jashtëzakonshëm dhe nuk mendoj kurrsesi se kjo është thjesht një rastësi. Nuk është aspak e vërtetë se unë e kam praktikuar një teknikë të tillë, veç për kënaqësi. Tashmë ajo për mua është kthyer në një nevojë”.