E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogba e Anelka në shitje?

Erdhën njëri pas tjetrit por mund të largohen bashkërisht. Nicolas Anelka dhe Didier Drogba, dy sulmuesit e skuadrës Shanghai Shenhua, njëkohësisht yjet më të mëdha në futbollin kinez mund të largohen nga klubi si rezultat i një mosmarrëveshjeje mes aksionarëve të klubit. Konflikti mund të zhyt Shanghain në krizë financiare e kjo do të përcillej me lamtumirën e tyre.

U larguan njëri pas tjetrit nga Chelsea por u bashkuan te Shanghai Shenhua në kërkim të sfidave të reja dhe realizmit të planit për zhvillimin e futbollit në Kinë. Por, njësoj bashkërisht rrezikojnë edhe të largohen nga klubi.

Sulmuesit Didier Drogba dhe Nicolas Anelka mund të shiten si rezultat i mosmarrëveshjeve mes aksionarëve të klubit, kanë njoftuar mediet kineze të martën. Anelka iu bashkua klubit në janar të vitit të kaluar pas shkëputjes së kontratës me Chelsean.

Kurse, Drogba erdhi në skuadrën kineze pasi ndihmoi gjigantin londinez të triumfojë në edicionin e kaluar të Ligës së Kampionëve. Por, aventura e tyre në Kinë mund të jetë e shkurtër. Kryetari Zhu Jun, i cili ka 28.5 për qind të aksioneve, do të kryejë vetëm obligimet ditore nëse nuk aprovohet kërkesa e tij për kontroll më të madh, ka bërë të ditur China Daily.

Zhu udhëheq skuadrën nga Super League kineze së bashku me pesë kompani të tjera shtetërore prej kur u bë aksionar më 2007. Marrëveshja ishte nëse ai do të investonte 23.6 milionë dollarë brenda dy viteve, atëherë aksionet e tij do të ngjiten në 70 për qind, shtoi gazeta.

E përditshmja sportive The Oriental Sports Daily raportoi se Zhu ka investuar më tepër se 94 milionë euro në klub në pesë vitet e kaluara kurse kompanitë me pronë shtetërore nuk kanë shpenzuar fare.

Ndarja e aksioneve u ndal më 2009 dhe sërish më herët gjatë këtij viti, tha një burim brenda klubit për Oriental. “Është brengosëse dhe ka ndikim të keq”, theksoi ai. “Problemi është se punët financiare në klub nuk mund të kenë rrjedhë normale. Çështja e aksioneve është bërë problem i madh në Shenhua”, shtoi ai.

Nëse ky problem nuk tejkalohet së shpejti, Zhu i cili ka nënshkruar të gjitha faturat, mund të vendos për mbulimin e vetëm 28.5 për qind të shpenzimeve, me mundësi të ndikimit në pagat e futbollistëve.

Kolumbiani Giovanni Moreno mungoi në duelin kundër Shandong Luneng në fundjavë pas spekulimeve se Shenhua nuk e kishte paguar shumën totale të paraparë për transferimin e tij nga klubi argjentinas, Racing Club.

E ardhmja e Drogbas dhe Anelkas po ashtu mund të jetë në dyshim nëse Shenhua nuk është në gjendje të kryejë obligimet financiare ndaj futbollistëve. Drogba dhe Anelka thuhet se përfitojnë nga 300 mijë dollarë në javë. Shenhua gjendet në pozitën e 10-të në Super Leaguen kineze të përbërë nga 16 skuadra. Ajo ka 27 pikë nga 23 ndeshje. Lideri Guangzhou Evergrande ka 47 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›