S’ka vetura luksoze

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, u ka ndaluar yjeve të rinj të skuadrës porositjen e veturave luksoze sportive nga sponsori i ri Chevrolet. Gjiganti nga Old Trafford së fundmi nënshkroi marrëveshje multi-milionëshe me gjigantin amerikan të veturave, emri i të cilit do të shfaqet në fanellat e skuadrës duke filluar nga sezoni 2014-15.
Në shenjë vullneti të mirë, Chevrolet menjëherë u ofroi yjeve të ekipit të parë të Unitedit një përzgjedhje të veturave luksoze e që shumica e futbollistëve kryesorë përzgjodhën modelin e famshëm Corvette.
Megjithatë, e përditshmja angleze Daily Mail ka njoftuar se Ferguson ka intervenuar menjëherë duke theksuar se asnjë lojtar nën moshën 23 vjeç – pa marr parasysh statusin e tij në skuadër – nuk do të lejohet të porosisë një model sportiv.
Kjo nënkupton se sulmuesi i ri Danny Welbeck (21 vjeç), mbrojtësit Phil Jones (20), Chris Smalling (22), Rafael (22), por edhe kosovari Federic Veseli – i transferuar në klub më herët gjatë afatit kalimtar të janarit nga rivali i qytetit Manchester City – do t’i kenë të ndaluara modelet luksoze.
Vendimi është ‘klasikë’ e Fergusonit – menaxher i cili kontrollon pothuajse çdo gjë në klubin në të cilin gjendet nga viti i largët 1986 – duke siguruar që futbollistët e rinj të mos mbathin diçka më të madhe se këmbët e tyre.
Ferguson gjithmonë ka qenë i mprehtë në çështje si kjo. Sa për të përmendur një shembull, dy vite më parë ishte bërë e ditur se strategu skocez u kishte thënë futbollistëve në akademinë e të rinjve se nuk guxojnë të mbathin këpucë sportive me ngjyra të ndryshme.
Të martën një zëdhënës i Manchester Unitedit konfirmoi: “Si pjesë e marrëveshjes për sponsorim nga sezoni 2014-15, Chevrolet do t’u ofrojë futbollistëve nga një veturë. Përzgjedhja e modelit do të varet nga koha e tyre në klub dhe përvoja në vozitje”.