E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Kriza filloi 3 muajt e fundit

 

Fabiola Çela

Banka e Shqipërisë bën publike shifrën zyrtare të tkurrjes së parave që vijnë nga emigrantët. Gjatë vitit 2008, të ardhurat nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit ishin 150 milionë euro më pak se gjatë vitit 2008. Por kjo është e keqja më e vogël. Kriza për Shqipërinë sipas raportit, është thelluar ndjeshëm gjatë tre muajve të fundit të vitit të kaluar. Parashikimet për 2009 janë jo fort optimiste. “Bilanci i përgjithshëm i pagesave për vitin 2008 regjistroi një rritje të mjeteve të rezervës valutore me 192 milionë euro. Viti u mbyll me një deficit të llogarisë korrente prej 1.291 miliardë eurosh, duke arritur në rreth -14.9% të GDP-së. Në krahasim me vitin 2007, deficiti regjistroi një rritje prej rreth 460 milionë eurosh, nga 831 milionë euro. Deficiti i tregtisë së mallrave u thellua me 310 milionë euro gjatë vitit 2008, duke arritur nga 2.104 miliardë euro në 2.415 miliardë euro. Flukset hyrëse të kapitalit regjistruan vlerën 1.556 miliardë uro duke financuar plotësisht deficitin korrent”.
Raporti
Sipas Bankës së Shqipërisë gjatë vitit 2008 janë lëvizur rreth 9 miliardë euro. “Transaksionet korrente gjatë vitit 2008 ishin 12 për qind më të larta se një vit më parë”. Sidoqoftë lëvizja e parave nuk na ka bërë të pasur. “Llogaria korrente për vitin 2008 regjistroi një deficit prej 1.291 miliardë eurosh, krahasuar me 831 milionë euro në vitin e kaluar. Deficiti u rit me 4.5 për qind”. Rreth 63 për qind e shpenzimeve korrente kanë shkuar për financimin e importeve të mallrave, ndërkohë që hyrjet valutore janë siguruar nga eksportet e shërbimeve dhe të mallrave 62 për qind, dhe nga transfertat korrente të njëanshme 26 për qind. “Tremujori i katërt ka regjistruar nivelin më të lartë të deficitit korrent përgjatë vitit, me -454 milionë euro.”
Turizmi
Nga turizmi, pra udhëtimet, kemi fituar. “Bilanci neto i shërbimeve të udhëtimit shënoi një suficit prej rreth 140 milionë eurosh”. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 1,19 miliardë euro ose 20 për qind më tepër se sa në vitin 2007. Rritja e të ardhurave gjatë vitit 2008 ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së numrit të vizitorëve të huaj dhe të emigrantëve. “Rezidentët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit rreth 1.050 miliardë euro ose 14% më shumë se një vit më parë. Në këtë rritje ka ndikuar shtimi me 20 për qind i numrit të udhëtarëve dhe një rritje e lehtë e shpenzimeve mesatare ditore”.
Emigrantët
Llogaria e të ardhurave u mbyll me një bilanc pozitiv prej 309 milionë eurosh, rreth 40 për qind më e lartë se ajo e vitit 2007. Dy burimet kryesore të së ardhurave kanë qenë puna e punëtorëve sezonalë dhe kufitarë, dhe të ardhurat nga investimet në formën e investimeve të portofolit. Shqipëria gjatë vitit 2008 ka paguar 28 milionë euro për të shlyer interesat mbi borxhin e saj të jashtëm. “Transfertat korrente neto u vlerësuan në rreth 830 milionë euro, nga të cilat rreth 800 milionë euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 16 për qind nga vlera prej 950 milionë eurosh e një viti më parë, duke zbritur nga 12 për qind, në 9.2 për qind të GDP-së.”
Investimet dhe Borxhi
Viti 2008 është karakterizuar nga lëvizje të mëdha në llogarinë financiare, të cilat rezultuan në një prurje neto prej 1.556 miliardë eurosh. Nga këto, rreth 78 milionë euro kanë hyrë në vend në formën e granteve për investime kapitale, ndërsa 1.478 miliardë euro në formën e flukseve financiare neto. “Llogaria financiare regjistroi rritje të konsiderueshme të detyrimeve financiare të Shqipërisë ndaj botës dhe rënie të mjeteve të rezidentëve jashtë. Në llogarinë financiare, lëvizjet më të mëdha janë regjistruar në zërat e investimeve të huaja direkte, huamarrjes shtetërore dhe mjeteve të rezidentëve jashtë.” Hyrjet në formën e investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare  ishin një faktor dominues në rritjen e detyrimeve financiare të vendit. Sipas statistikave investimet e huaja direkte kapën shifrën e 682 milionë euro. Këtë vit këto investime kanë hyrë kryesisht si investime në sektorin financiar dhe si kapital nga privatizimi. “Lëvrimet e kredive afatgjata dhe atyre të buta nga jashtë, gjatë këtij viti vlerësohen në 456 milionë euro, nga të cilat 74 për qind kanë shkuar për sektorin publik. Ndërkohë, huamarrja private është rritur ndjeshëm ndaj një viti më parë, në 119 milionë euro nga 10 milionë euro. Rritja e këtyre detyrimeve ka çuar në rritjen e detyrimeve për pagesat e ardhshme të borxhit të jashtëm. Shërbimi i borxhit të jashtëm për vitin 2008 ka ulur detyrimet e rezidentëve me rreth 62 milionë euro”.

Ibrahimi: 2009 do të jetë një vit i vështirë

Ky vit do të jetë i vështirë për ekonominë shqiptare,dhe kj si pasojë e krizës globale. Gjatë forumit të Crans Montanës, zëvendësguvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë, Fatos Ibrahimi, është shprehur se rritja ekonomike në 2009-ën do të jetë pozitive, por pothuajse sa gjysma e asaj që ishte në vitin 2008. “Stimuli fiskal i planifikuar do të jetë më vështirë të arrihet, për shkak të vështirësive potencialisht më të mëdha, në realizimin e të ardhurave dhe në sigurimin e burimeve të tjera për financimin e shpenzimeve”, është shprehur ai. Ndërkohë për sa i përket nivelit të inflacionit mund të shkojë përkohësisht nën cakun e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, por pritet që për pjesën më të madhe të vitit të jetë brenda intervalit. “Politika monetare do të synoj të ruhen nxitjet e duhura për mbajtjen e aktiveve të shprehura në monedhën vendase dhe që pritjet e inflacionit të ankorohen brenda objektivit të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë” është shprehur Ibrahimi. Sipas tij rentabiliteti i sektorit bankar pritet të jetë më i ulët gjatë këtij viti, për shkak të volumit më të ulët të veprimtarive fitimprurëse, pra ofertë/kërkesë më të ulët për kredi, të kostos të financimit mjaft më të lartë dhe të rritjes të fondeve rezervë për mbulimin e huave të këqija. Por, kjo nuk pritet të ketë ndonjë efekt thelbësor mbi treguesit e likuiditetit dhe të mjaftueshmërisë të kapitalit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›