Infrastruktura, qeveria merr 3.2 miliardë euro kredi për rrugë dhe energji
Qeveria do të marrë 3.2 miliardë euro kredi të reja për ndërtimin e veprave publike. Këtë e ka deklaruar dje kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë, sipas të cilit fondet do të shërbejnë tërësisht për investime në infrastrukturë. Banka Europiane për Investim dhe Banka Islamike e Zhvillimit do të financojnë tërësisht autostradën Tiranë-Elbasan. BERZH është angazhuar se do të financojë projektin Qafë Plloçë-Librazhd. Gjithashtu BERZH-i së bashku me Bankën Islamike dhe Fondin “Opek” do të financojnë rrugët rurale. Për rrugët rurale mund të japë kredi të buta edhe qeveria japoneze. Banka Gjermane e Zhvillimit (KfW) ka marrë përsipër linjën e interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë dhe sipas kryeministrit, po konsideron me përparësi linjën e interkonjeksionit me Shkupin. Po ashtu, e njëjta bankë ka angazhuar fonde për një turbinë të re në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Banka e Detit të Zi merr përsipër financimin e Rrugës së Arbrit. Fondet e Gjirit marrin përsipër financimin e boshtit të jugut. Kurse qeveria austriake jep një kredi të butë për modernizimin me teknologjinë e fundit të 6 spitaleve. Sipas kryeministrit, këto kredi në shumën e 3.2 miliardë eurove, tregojnë besimin e institucioneve financiare ndërkombëtare te ekonomia shqiptare. “Kredia vjen nga kredo, besoj. Është marrë fjala besim për veprimtarinë bankare. Kreditoj, do të thotë para së gjithash, besoj. Në qoftë se diku ka krizë besimi, ekziston besim i plotë ndaj ekonomisë dhe qeverisë shqiptare”,- u shpreh Berisha. Sipas kryeministrit, një faktor shtesë që u vlerësua nga partnerët financiarë të qeverisë, ishte edhe ristrukturimi i fundit i buxhetit.
15 Korrik 2010