E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshon tatimi mbi të ardhurat, sa do të taksohet çdo lloj përfitimi



Ervin KOÇI - Qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, duke i bërë atij disa shtesa dhe ndryshime që në thelb i detyrojnë qytetarët shqiptarë të paguajnë më tepër për të ardhurat e çdo burimi fitimi. Këto ndryshime, kanë për synim që të regjistrojnë çdo lloj të ardhure nga paga ose fitime të tjera për cilin do individ mbi moshën 18 vjeç, që nga një punë ose aktivitet siguron të ardhura të ndryshme mujore. Sipas këtij ligji, të gjithë tatimpaguesit shqiptarë ose jo, por që krijojnë të ardhura në Shqipëri, janë të detyruar të plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave. Deklarata e të ardhurave do të ketë si kod fiskal numrin e pasaportës. Në deklaratë, qytetarët janë të detyruar të evidentojnë të gjitha të ardhurat nga çdo lloj burimi që vjen jo vetëm nga paga. Në deklaratën e të ardhurave vjetore, qeveria njeh edhe disa shpenzime të zbritshme. Si shpenzime qeveria njeh vetëm shpenzimet për kontributin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, interesat e kredive për arsim, si dhe shpenzimet për mjekim për pjesën e pambuluar nga sigurimet shëndetësore, por deri në masën 4.1 për qind të të ardhurave bruto të qytetarit. Sipas vendimit të fundit të qeverisë mbi diferencën mes të ardhurave bruto dhe këtyre shpenzimeve të njohura, aplikohet taksa 10 për qind. Nëse diferenca del pozitive, qytetari duhet të paguajë një detyrim shtesë, nëse diferenca del negative tatimet janë të detyruara t’i kthejnë qytetarit pjesën e detyrimit të parapaguar. Tatimi prek edhe fitimet e siguruara p.sh. nga të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, të ardhurat nga lojërat e fatit, të ardhurat nga trashëgimia, etj. Detyrimi i parë për deklarimin e të ardhurave vjetore, nga subjektet e parashikuara në këtë ligj, lind në vitin 2012, në të cilin, brenda datës 30 prill dorëzohet deklarimi vjetor i të ardhurave, për vitin 2011.

Deklarata vjetore e të ardhurave
Tatimpaguesit individë apo të vetpunësuarit, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe jorezidentët, që realizojnë të ardhura në territorin e Republikës së Shqipërisë, dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë Administratës Tatimore Qendrore, jo më vonë se data 30 prill, e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi. Nga detyrimi për të plotësuar deklaratën vjetore të të ardhurave përjashtohen: 1) tatimpaguesit që janë të vetëpunësuar e që kanë një qarkullim vjetor, deri në 2.000.000 (dy milionë) lekë; 2) tatimpaguesit individë, të cilët gjatë një viti realizojnë të ardhura vjetore, deri në shumën 200.000 (dyqind mijë) lekë. Përveç tatimpaguesve, të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, deklarata vjetore e të ardhurave mund të plotësohet edhe nga persona të tjerë, që vendosin të bëjnë deklaratën, megjithëse nuk kanë detyrimin ligjor për këtë, si dhe nga personat e parashikuar në pikën 2, të këtij neni, që duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme, e parashikuar në këtë ligj. Çdo deklaratë vjetore e të ardhurave, plotësohet me numrin e letërnjoftimit të individit, i cili shërben si kodi fiskal i individit.

Të dhënat e deklaratës
Të dhënat që duhet të përmbajë deklarata vjetore e të ardhurave janë: 1) Deklarata vjetore e të ardhurave plotësohet nga tatimpaguesi që mbart detyrimin për të deklaruar, në përputhje me nenin 13, të këtij ligji, dhe përmban të dhëna për të ardhurat bruto, për shpenzimet e zbritshme të kryera, si dhe për tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore. 2) Deklaruesi, në rast se konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të deklaratës, ka të drejtë që, brenda 3 (tri) muajve nga data e dorëzimit të deklaratës, të bëjë korrigjimet e nevojshme. 3) Për të përfituar nga shpenzimet e zbritshme për fëmijët e mitur dhe për personat në kujdestari, të parashikuara në shkronjat “b” e “c”, të pikës 1, të nenit 13/3, të këtij ligji, pjesa e deklaratës, që i përket këtyre shpenzimeve, plotësohet vetëm nga kryefamiljari. 4) Mënyra e plotësimit nga kryefamiljari e deklaratës për pjesën e shpenzimeve të zbritshme, për rastet e parashikuara në pikat 2 e 3, të këtij neni, rregullohet me udhëzim të ministrit të Financave.

Të dhënat për të ardhurat bruto
Tatimpaguesi në deklaratën vjetore të të ardhurave jep të dhëna për të ardhurat bruto, në të cilat përfshihen: a) të ardhura bruto nga paga apo të ardhura të tjera nga marrëdhëniet e punësimit; b) të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit; c) të ardhurat bruto nga qiraja apo shitja e sendeve të luajtshme apo të paluajtshme, në pronësi të deklaruesit; ç) të ardhurat bruto nga interesa bankare; d) të ardhura bruto të krijuara nga investimet në tituj, në pasuri të luajtshme apo të paluajtshme; dh) shuma bruto të fituara nga lotari apo nga lojëra të tjera të fatit; e) të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike; ë) të ardhurat bruto nga skema të sigurimit suplementar; f) të ardhurat bruto nga trashëgimia dhe dhurimi; g) të ardhura bruto të tjera, për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim. Të ardhurat e përcaktuara në nenin 8/1, të këtij ligji, nuk përfshihen në të ardhura bruto, për efekt të plotësimit të deklaratës të së ardhurave. Në të ardhurat bruto të tatimpaguesit që është i vetëpunësuar, përfshihen të gjitha të ardhurat që ai realizon gjatë zhvillimit të veprimtarisë së tij ekonomike.

Shpenzimet e zbritshme
Për efekt të llogaritjes të së ardhurës së tatueshme të tatimpaguesit, që plotëson deklaratën vjetore të të ardhurave, janë shpenzime të zbrishme shpenzimet e mëposhtme: a) Shpenzimet për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, kur kontributi është deklaruar si i paguar në burim, por rezulton të jetë i papaguar; b) Shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët e për personat në kujdestari; c) Shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët e për personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, në masën deri në 4.1 për qind të të ardhurave bruto, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave. Individët jorezidentë, si dhe deklaruesit që kanë të ardhura vjetore prej të paktën 800.000 (tetëqind mijë) lekësh, nuk përfitojnë nga e drejta e llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme, të parashikuara në pikën 1, të këtij neni.

Shkalla tatimore
Shkalla tatimore e aplikueshme mbi të ardhurat e tatueshme të tatimpaguesit, që plotëson deklaratën vjetore të të ardhurave, është 10 për qind. Tatimpaguesi, që bën deklaratën vjetore të të ardhurave, për çdo të ardhur dhe shpenzim, të referuar në këtë deklaratë, mban kopje origjinale të dokumentit që provon të ardhurën apo shpenzimin e zbritshëm ose fotokopje të njësuar nga institucioni lëshues i dokumentit. Në rastin kur deklarata dorëzohet dorazi apo me postë, fotokopje e këtyre dokumenteve i bashkëlidhen deklaratës vjetore të të ardhurave. Origjinali i tyre, në çdo rast, ruhet në përputhje me legjislacionin fiskal dhe i vihet në dispozicion administratës tatimore, kur kërkohet nga kjo administratë.

Tatimi për t’u paguar
Diferenca midis totalit të të ardhurave bruto dhe shpenzimeve të zbritshme përbën të ardhurën e tatueshme, e cila tatohet me normën 10 për qind. Shumës së këtij tatimi i zbriten tatimet e paguara, gjatë periudhës tatimore. Nëse diferenca është pozitive, deklaruesi, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së deklaratës vjetore të të ardhurave, bën pagesën e tatimit. Nëse diferenca është negative, administrata tatimore ia kthen deklaruesit shumën e taksave të paguara më tepër ose, me pëlqim të deklaruesit, kjo shumë mund të përllogaritet si pagesë e kryer për vitin tatimor vijues. Deklarata dorëzohet në drejtorinë tatimore rajonale më të afërt me vendbanimin e tatimpaguesit, dorazi, me postë apo në rrugë elektronike. Deklarata hartohet, sipas formularit të miratuar me urdhër të ministrit të Financave.

BOX///////////////////////////////
Mosplotësimi në kohë apo plotësimi i pasaktë

Kur administrata tatimore konstaton raste të mosplotësimit në kohë të deklaratës vjetore të të ardhurave, zbatohen sanksionet administrative, të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore, për dorëzim. Në rast kur tatimpaguesi në deklaratën vjetore të të ardhurave jep informacion të gabuar apo të rremë e të pakorrigjuar nga ai vetë, brenda afatit të parashikuar nga ky ligj për korrigjimin, zbatohen dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe të Kodit Penal.

Shkurt///////////////////////////////////
Paga minimale, qeveria e bën 19 mijë lekë në muaj

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 2 e 5, të ligjit nr.8487, datë 13.5.1999, “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Paga bazë minimale, mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, do të jetë 19.000 (nëntëmbëdhjetë mijë) lekë. 2. Paga bazë minimale, mujore, jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. 3. Paga bazë minimale orare të jetë 109 (njëqind e nëntë) lekë. 4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë. 5. Vendimi nr.522, datë 13.5.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2010.

15 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›