Drogë e armë nga Shqipëria, 44 të arrestuar në Itali

Shkatërrohet në Taranto të Italisë një grup kriminal i cili merrej me trafik armësh dhe droge nga Shqipëria. Lajmi bëhet I ditur nga mediat italiane të cilat theksojnë se janë arrestuar 44 persona, mes të cilëve edhe shqiptarë. Sipas mediave arrestimet janë ekzekutuar pas urdhrave të nxjerrë nga Prokuroria dhe antimafia.
Në aksion kanë marrë pjesë rreth 150 karabinierë dhe sipas prokurorisë grupi kriminal importonte nga Shqipëria armë dhe drogë të cilat i shpërndante më pas në Puglia, Basilicata dhe Calabria.
Policia nuk ka bërë me dije identitetin e të arrestuarve, por mësohet se mes tyre 10 janë femra. Sipas mediave italiane njëra prej tyre është dhe drejtuesja e organizatës, Maria Scialpi e cila së bashku me vëllezërit Cosimo, drejtonte trafikun e drogës dhe të armëve.
Gjatë operacionit janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, depozita bankare dhe të holla me vlerë në total prej rreth një milion euro. Këto masa janë marrë për personat të cilët ishin banorë të qytetit të Barit. Sipas hetimeve, droga e ardhur nga Shqipëria, shkarkohej në fillim në Bari e më pas transportohej drejt Tarantos Brindizit, Leçes, Materas dhe Kozencës.