Elbasan, ndihmoi vrasësin të largohet, prangoset 26-vjeçari

Një i ri është arrestuar nga policia e Elbasanit pasi akuzohet se ka ndihmuar autorin e vrasjes së 23-vjeçarit Donald Lamçe të largohet nga vendngjarja.
Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar 26-vjeçari Gentian Lleshanaku i cili dyshohet se ka ndihmuar kushëririn e tij i cili është autori i vrasjes së Lamçes të largohet nga vendngjarja duke fshehur edhe armën e krimit. Sipas policisë janë sekuestruar edhe automatiku me të cilën është kryer vrasja, 37 fishekë dhe 13 celularë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së djelës në fshatin Bujqës të Elbasanit ku 20-vjeçari Donald Lamçja u qëllua për vdekje me automatik në afërsi të shkollës së fshatit.
Sipas policisë viktima në momentin e vrasjes ishte në një lokal me disa shokë të tij kur është thirrur nga autori të dilte jashtë lokalit. Pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin, autori ka nxjerrë automatikun dhe ka qëlluar mbi 20-vjeçarin dhe më pas është larguar menjëherë nga vendngjarja.
Ndërkohë ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes, ndërsa policia ka identifikuar autorin e vrasjes dhe po vijon kërkimet për kapjen e tij.