Telefoni tradhton “klandestinët”, burg pa afat dy 18-vjeçarëve
SARANDE - Do të qëndrojnë në burg pa afat dy të rinjtë e arrestuar si trafikantë klandestinësh. Për Aristidh Gllucajn dhe Oltion Varfin nga Vlora, të cilët akuzuan për dhunë policinë e Sarandës, u gjetën prova të reja që i privojnë ata nga liria. Ndonëse fillimisht u gjykua se ata do të qëndronin 30 ditë në burg, vendimi i djeshëm i Gjykatës së Sarandës ndryshoi rrjedhën e hetimit. Nga ana e prokurorisë është provuar se, në telefonin e Oltion Varfit ishte gjetur i shënuar me emrin “Vlora” një numër telefoni grek me të cilin ai kishte komunikuar në datën 4 nëntor në orën 17.19 minuta. Pas verifikimit të telefonatës dhe zbardhjes së elementëve të tjerë të hetimit është vërtetohet se dy të rinjtë kanë komunikuar pak orë para se të arrestoheshin me persona të tjerë matanë kufirin. Sipas prokurorisë, deri tani këto prova janë të mjaftueshme për t’i akuzuar për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Në këto kushte, gjykata, e ndodhur para provave të siguruara nga prokuroria vendosi lënien në burg pa afat të Varfit dhe Gllucajt. Ata u ndaluan në autobusin e linjës Sarandë-Qafë Botë më 5 nëntor të këtij viti bashkë me 5 persona të tjerë dhe menjëherë policia i ndaloi si favorizues të trafikut. Arrestimi i dy djemve u shndërrua në një skandal, pasi avokati i tyre denoncoi dhunën e ushtruar në ambientet e komisariatit dhe me arrestimin e një oficeri policie. sh.d