E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë në autobusin e linjës Tiranë-Athinë

Tentativa për të kaluar drejt Greqisë 12 kg marijuanë nëpërmjet autobusit të linjës Tiranë-Athinë ka rezultuar e dështuar. Vëllai i menaxherit të firmës së transportit të udhëtarëve është arrestuar nga policia kufitare e Gjirokastrës, si dhe ajo e rendit si posedues i marijuanës. Kosta Gjini, 40 vjeç, është diktuar pas një intervistimi nga ana e specialistëve të policisë rajonale, intervistim të cilit iu nënshtruan të gjithë pasagjerët e autobusit që udhëtonin drejt Athinës. Duke përfituar nga administrimi i lëvizjeve të autobusit, si dhe morisë së bagazheve, i arrestuari kishte integruar lëndën narkotike në një çantë që nuk binte në sy.

Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës së të dielës, kur në Kakavijë u duk autobusi i linjës ndërkombëtare Tiranë-Athinë tip "Neoplan" me targa TR 2836 L me drejtues Ardian Bibaj. Autobusi i përket një shoqërie ndërkombëtare të udhëtimeve me qendër në Tiranë. Policia kufitare dhe ajo e rendit të Gjirokastrës ishin vënë në dijeni për ekzistencën e lëndës narkotike në zonën e bagazheve, ndaj dhe siguria e saj në lëvizje dhe kërkesa te drejtuesit e transportit të udhëtarëve, ishte e drejtpërdrejtë.

Pasi janë hequr të gjitha bagazhet e udhëtarëve, në një çantë është gjetur sasia prej 12 kilogramësh marijuanë. Brenda çantës kishte 12 pako që peshonin 1 kg secila të krijuara në formë cilindrike dhe të mbështjella me letër ngjitëse ngjyrë kafe. Autobusi, së bashku me 34 pasagjerët në bord, është shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku specialistët e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, pas disa orësh bënë të mundur identifikimin e poseduesit të çantës dhe lëndës narkotike. Kosta Gjini, i vëllai i menaxherit të kompanisë së transportit është sipas policisë autori i transportit të 12 kilogramëve marijuanë në drejtim të Greqisë, me destinacionin final Athinën.

Pasi kanë dhënë deklarimet e tyre të nevojshme, pasagjerët dhe drejtuesi i autobusit janë lënë të lirë për të vijuar rrugën drejt shtetit grek. Sipas një burimi mjaft të sigurt, Policia e Gjirokastrës kishte dijeni për ekzistencën e drogës në autobus dhe kjo falë një sinjalizimi në orët e para të së dielës. Kjo e ka justifikuar edhe shtimin e policëve në Kakavijë dhe sigurimin e vendkalimit të autobusit jashtë radhe.

Policia e Gjirokastrës, nga ana e saj, ka kryer të gjitha veprimet procedurale, duke bërë sekuestrimin e lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale, si dhe arrestimin në flagrancë të poseduesit të saj Kosta Gjini, për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Materialet i janë përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprime të mëtejshme. Rasti i djeshëm është i pari që shënohet për këtë vit, që tentohej të kalohej drejt Greqisë përmes transportit të automjeteve në stacionin kufitar të Kakavijës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›