E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullimi i "të fortit" të qarkullimit

Iku edhe Krenar Ahmeti. Brenda një periudhe të shkurtër djaloshi që ka mbaruar një shkollë ushtarake në Turqi, ku më së shumti është mësuar dhe edukuar si pjesëmarrës i forcave speciale, u bë i famshëm në të gjithë vendin. Kohët e fundit, sa herë që të hapje televizorin shihje Krenarin që jo pa krenari rrëfente punët e rregulluara të qarkullimit rrugor në kryeqytet. Nuk ishin pa gjë edhe fjalët se ishte i paprekshëm në polici, ngaqë i kishte lidhur fijet brenda familjes kryeministrore. Nuk çau kokë kur një prokurore, së bashku me bashkëshortin avokat e çoi në gjyq për dhunë fizike të ushtruar nga ai vetë personalisht, pikërisht përballë dritares së zyrës së Kryeministrit. Vetë ministri i Brendshëm u detyrua t‘i shkruante një letër togave të zeza, ku u kërkonte në mënyrën më të paprecedentë që të mos merreshin me kryepolicin e tij, se ishte çun i përgatitur dhe punonte "fort". Goxha fije të fortë paska pasur, apo jo? Pastaj rrahu një shofer furgoni të mbushur plotpërplot me dasmorë. Disa ditë përpara se ta hiqnin nga puna iu fut me makinën e tij një dyqani, duke bërë përshesh çfarë kishte aty brenda. Qindra janë denoncimet e qytetarëve për policët e qarkullimit që vënë gjoba e bllokojnë makina kot më kot, po Krenarin as në mendje si shkonte njeriu ta hiqte. Dhe ja, një natë ndodhi mrekullia. Ai preku aty ku s‘duhet madje as ta mendojë njeri se mund të hysh "në hak". Gërvishti një nga makinat që shoqërojnë vetë ATË, Sali Serishën. Dhe jo vetëm kaq, por as denjoi t‘u kërkonte falje rojeve kryeministrore. Iku nga vendngjarja, por këtë radhë nuk e falën. Ose më saktë e "falën" duke e çuar shef rendi në Elbasan. Mesazhi është i thjeshtë: Je "i fortë" ti si Koseni? Shko dhe shtro halabakët tashmë të famshëm të qytetit metalurg.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›