Shitblerja e fëmijëve dhe Berisha
Anila Hoxha pak ditë më parë u mor me një problem që kërciti… Fëmijët e familjeve që janë në gjak të mbledhur në një qendër në qytetin e Poliçanit, jetojnë në kushte mizerabël dhe s‘kanë "as bukë të hanë". Kronikë që të detyron të kthehesh ca vite mbrapa. Ka qenë fillimshkurti i vitit 2007, kur pamë në TV gazetaren e "Fiks Fare", Palomën, se si ndiqte me vrap nga prapa Kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Fillimisht mes nesh plasi e qeshura. Kush nuk i ka para ato pamje duhet ta ndërtojë me imagjinatë skenën ku Palomën "e vockël", ashtu me mikrofon në dorë duke dihatur përpiqej mes "burrave-badigardë" shtatlartë, t‘i rrëmbente një prononcim për skandalin e shitblerjes së foshnjave "gjigantit" Sali Berisha. Por vetëm pak sekonda më pas të gjithëve na pushtoi heshtja… pastaj zemërimi e revolta dhe në fund, gjithçka e zëvendësoi ndjenja e turpit. Kryeministri as nuk e ktheu kokën për të parë se nga i vinte ajo pyetje "kot fare", që nuk kishte të bënte me zgjedhjet: Çfarë mendoni zoti Kryeministër për trafikun e fëmijëve të zbuluar së fundi…? Sikur po e pyesnin për një stuhi rëre në planetin Mars e jo për shitje foshnjash shqiptare me çmim më të ulët se të një kukulle bebesh të markës "Barbi". Truprojat pas kësaj morën guxim dhe gati sa nuk e hoqën zvarrë gazetaren… Njëzetekatër orë më pas, kryetari i Shoqatës së Romëve deklaroi "thjesht", se vetëm prej komunitetit të tij ekzistojnë të zhdukur 2000 mijë fëmijë. Kishte shkuar në polici e prokurori, por askush "nuk ia vari". Çfarë të thuash… Nëse skandali i shitblerjeve të fëmijëve në mes të Tiranës do të kishte "plasur" në çdo vend tjetër të botës, qoftë ai edhe afrikan, shteti do të ishte ngritur në këmbë menjëherë pas përfundimit të emisionit investigativ. Gjëja më minimale që duhet të kishte ndodhur do të ishte dalja në një konferencë për shtyp e Kryeministrit të vendit në krah të ministrit të Brendshëm dhe atij të Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale. Pasi të kishin falënderuar gazetarët që zbuluan një nga rrjetet më makabre të trafikut të fëmijëve në Evropë, duhet të kishin deklaruar publikisht urdhrin e krijimit urgjent të dy grupeve të posaçme pune. Së pari, Ministria e Brendshme duhet të kishte ngritur një ekip të posaçëm, të kryesuar nga një prej titullarëve të këtij institucioni. Jo thjesht për të hetuar rastet e kapura, por për të zbuluar rrënjët, kohën e vendshtrirjen e trafikut. Janë shumë pyetje që duan përgjigje nga ky hetim i munguar deri tani. Sa është numri i fëmijëve me ngjyrë, ose jo që janë "zhdukur pa gjurmë" nga vendi ynë gjatë këtyre 16 viteve? Sa denoncime nga prindërit, apo shoqata të ndryshme janë bërë në polici gjatë këtij harku kohor? A ekzistojnë dosjet rast pas rasti dhe çfarë është bërë me ato? Ato të mbyllurat do të rihapen? Kush janë njerëzit në polici e prokurori që mbajnë përgjegjësi për të paktën neglizhimin e këtij krimi të organizuar makabër? Çfarë fshihet pas shumë skandaleve të ngjashme nëpër shtëpi të ndryshme fëmijësh, apo maternitete. Ku përfundojnë fëmijët dhe kush është fati aktual i jetës së tyre? Shiten për birësim, apo "thjesht" për trafik organesh… Sa është bashkëpunuar me policitë e vendeve të tjera dhe me INTERPOL? Njëkohësisht, edhe ministri i Çështjeve Sociale duhej të kishte urdhëruar ngritjen e një ekipi të posaçëm të drejtuar, pse jo edhe nga vetë ai, për të njëjtin skandal. Sa të kontrolluar janë fëmijët e rrugës? Po ata nëpër qendra të ndryshme trajnimesh, të cilat shpesh "mbijnë" dhe zhduken në mënyra fantazmgonike? Gjithashtu jo të rralla në këto 16 vjet kanë qenë zbulimet e skandaleve të trafikimit të fëmijëve nga jetimoret, të cilat "luajnë" me birësime të jashtëligjshme. Në fund të fundit, çfarë strategjie na ofrojnë këto dy ministri me gjithë shefin e tyre të madh për të goditur dhe zhdukur "biznesin" më makabër e të turpshëm për një komb që mburret për virtytet më të larta njerëzore?! Dhe së fundi, pas gjithë kësaj që u zbulua (është e sigurt se është vetëm maja e ajsbergut), a nuk duhet që qeveria, apo kushdo tjetër të propozojë në Kuvend një projektligj, sipas të cilit të rishikohet Kodi Penal për veprën kriminale jo vetëm të trafikimit, por edhe të shitjes së fëmijëve nga kushdo qoftë e bërë ajo: prind i viktimës, apo jo. Pra, të parashikohen dënime deri në nivelin e vrasjes me paramendim. Shumica e atyre foshnjave përfundojnë jashtë vendit nëpër klinika-thertore, për t‘iu marrë organet dhe shitur më pas. Po kush do t‘i bëjë të gjitha këto? Tani mendohet vetëm për zgjedhjet dhe konfirmim të pushtetit të njëshit. Më pas shohim… Ndoshta Kryeministri dhe ministrat e tij do të kenë gojë të prononcohen dhe të punojnë për këtë trafikun "e vockël" të shitblerjes së foshjave. Është urgjente… përndryshe harrojeni Evropën.