E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluturon makina, vdesin katër të rinj

Katër të vdekur ka qenë bilanci tragjik i një aksidenti automobilistik të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në Gjirokastër. Një automjet BMË X5 ka fluturuar në ajër pas një përplasjeje vdekjeprurëse me bordurën ndarëse të rrugës në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Katër të rinjtë që udhëtonin me të, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme duke shënuar kështu aksidentin më të rëndë automobilistik të ndodhur në zonën jugore gjatë 12 viteve të fundit. Ngjarja, sipas burimeve policore ka ndodhur pak minuta pas mesnate në afërsi të Urës së Kardhiqit, përbri fshatit Humelicë, rreth 6 kilometra në veri të qytetit të Gjirokastrës kur në automjetin tip BMË me targa italiane AN 289 CX udhëtonin katër të rinj, përkatësisht Julijan Vaka, 27 vjeç, Vladimir Shpata, 28 vjeç, Armando Myrdykllari, 29 vjeç dhe Altin Rryta, 29 vjeç, tre të parët nga Përmeti ndërsa Rryta nga Tirana. Destinacioni i të rinjve ishte Përmeti, por duket se shpejtësia e madhe dhe terreni i lagësht kanë qenë faktori kryesor që ata të mos mbërrinin kurrë. Grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje fill pas aksidentit, ka nxjerrë shkaqet e tragjedisë, e cila është vlerësuar si më e rënda e ndodhur ndonjëherë në këtë zonë. Sipas tyre, automjeti ka humbur kontrollin fillimisht dhe është përplasur me një ishull trafiku që ndan rrugën kryesore me xhepin e saj ose siç thuhet ndryshe sheshpushimi. Më pas automjeti me të katër personat brenda tij është përplasur me një bordurë të kanalit përbri autostradës. Kjo përplasje ka qenë fatale, pasi në këtë moment makina u shpërbë tërësisht duke fluturuar në ajër rreth 100 metra dhe përfunduar në fushë duke kryer disa rrokullisje. Mendohet se pas rrokullisjeve të pakontrolluara, automjeti ka marrë flakë si pasojë e çarjes së sarbatorit dhe daljes në sipërfaqe të tij, të karburantit. Të katërt viktimat, kanë dalë nga automjeti pas përplasjes fillestare të tij si pasojë e presionit duke mos qenë askush prej tyre në momentet e rënies së zjarrit dhe kjo u vërtetua edhe nga kontrolli i imtësishëm që kanë kryer zjarrfikësit gjatë shuarjes së flakëve në automjet. Një prej viktimave, Vladimir Shpata, ka qenë i vetmi që është gjetur me shenja jete nga ndihma e shpejtë, por gjatë transportimit në spital ai ndërroi jetë. Grupi hetimor ka konstatuar se shkaku i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe lagështia në rrugë si pasojë e motit shumë të keq me shtrëngatë shiu. Drejtuesi i automjetit mendohet se ka humbur kontrollin dhe për pasojë makina ka dalë nga rruga. Policia nga ana e vet ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe materialet i janë përcjellë organit të akuzës për veprime të mëtejshme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›