E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë nga Lazarati, bllokohen 80 kg

Drogë nga Lazarati për në bregdetin e Semanit. Rreth 80 kg marijuanë u zbulua në bordin e një autoveture të marrë me qira nga një kuzhinier 61-vjeçar kavajas. 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Burime policore kanë bërë të ditur për gazetën "Panorama", se ka qenë ora 02:00 e mëngjesit të së premtes kur droga u gjet brenda makinës tip "Voklsvagen" me targë TR 8868 L, drejtuar nga Qani Dobjani. Informacionet e ardhura nga terreni në drejtim të policisë, konfirmuan plotësisht dyshimin e ngritur tri orë më parë, se në automjetin e drejtuar nga Dobjani gjendej një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike. Rreth mesnatës drejtuesit e Policisë së Gjirokastrës ngritën një postbllok policor në zonën lidhëse mes qytetit, pjesës lindore të Drinos dhe aksit veri-jug. Policët rrugorë i kanë bërë shenjë për të ndaluar drejtuesit të mjetit, i cili iu bind plotësisht urdhrit. Sipas policëve prezent në këtë aksion, Dobjani nuk ka shfaqur shenja pasigurie dhe ka qenë tërësisht bashkëpunues gjatë dorëzimit të patentës, dokumenteve të makinës si dhe kontrollit. Pasi është kontrolluar pjesa e pasme e automjetit në zonën poshtë sedijes, janë parë kutitë e para me drogë, të cilat kanë qenë të mbështjella me letër ngjitëse transparente. Në këtë moment Dobjani ka thirrur: "Nuk janë të miat, ju betohem!", por policët nuk kanë reaguar, por kanë vazhduar punën kontrolluese në pjesën e bagazhit. Bagazhi ka qenë i tejmbushur me 30 pako, brenda të cilave u konstatua marijuanë e presuar. Pakot me drogë, të cilat rezultuan të ishin plot 80 kg marijuanë, nuk ishin fshehur në pjesë të brendshme të makinës. Dyshimet e policisë janë hedhur mbi faktin se "dikush" mund t'i ketë dhënë garanci Dobjanit se nuk do të kishte probleme gjatë udhëtimit. Ndërkohë reagimi i 61-vjeçarit Dobjani ka qenë tejet i pakontrolluar, duke mohuar të kishte dijeni për mallin narkotik që po e transportonte. "Jam tërësisht i pafajshëm, mos më merrni në qafë, ju lutem për Zot nuk dija gjë", ka qenë fjalia që përsëritej pambarimisht prej Dobjanit. Por, pas marrjes në pyetje nga grupi hetimor është arritur që të "zbërthehet" zotëruesi i mallit, duke u konsideruar plotësisht përgjegjës për transportimin e saj drejt veriut të Gjirokastrës. Burime të sigurta kanë pohuar për gazetën "Panorama", se malli narkotik ishte siguruar në Lazarat dhe prej andej po transportohej në drejtim të Fierit. Mbyllja e të gjitha shtigjeve të kufirit me Greqinë nga ana e policive të kufirit dhe të Qarkut të Gjirokastrës, ka nxjerrë si alternativë për kalimin jashtë kufijve shtetërorë zonën e Semanit në Fier. Automjeti i drejtuar nga 61-vjeçari kavajas ishte marrë nga vetë Dobjani me qira në kompaninë "Volksvagen" në Tiranë, duke u përdorur në një "vizitë" drejt jugut të vendit, siç është shprehur vetë ai tek disa miq të tij. Për disa punonjës policie ky automjet dyshohet të ketë kaluar edhe herë të tjera në aksin nacional nga Gjirokastra në drejtim të veriut, duke shtuar më tepër dyshimet e ekzistencës së një linje të rregullt transporti të bimëve narkotike nga jugu i vendit drejt destinacioneve të ndryshme jashtë Gjirokastrës dhe Tepelenës. Aksioni i djeshëm shënon rastin e dhjetë të suksesshëm të Policisë së Gjirokastër, që nga fillimi i vitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›