E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat në bregdet, tapitë verifikohen për 3 vjet

Procesi i verifikimit të titujve të pronësisë është një proces që do të zgjasë tre vjet gjithsej. 

BLEDAR HOTI

Këtë afat të rishikimit të titujve të pronësisë e kanë vendosur Komisionet e Veprimtarisë Prodhuese dhe ai i Ligjeve gjatë shqyrtimit të p/ligjit "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore". Në afat kohor 36-mujor, qeveria nëpërmjet mekanizmave të saj do të verifikojë 4700 ha, që rezultojnë se janë ndarë në kundërshtim me ligjin 7501 "Për tokën". Kjo ndarje e padrejtë është realizuar kryesisht në zonat bregdetare, të njohura ndryshe edhe si me përparësi për zhvillimin e turizmit. Relacioni i përbashkët i dy komisioneve të përbashkëta u paraqit në seancën e fundit plenare, por mungesa e opozitës detyroi që p/ligji të mos votohet. Gjithashtu pritet që dy komisionet të zhvillojnë dhe një mbledhje përfundimtare për të bindur opozitën që të votojë nismën e qeverisë, e cila është depozituar në Kuvend mbi pesë muaj.
Neni 9
Gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, neni më i debatueshëm ka qenë nënta. Në këtë dispozitë parashikohet që të gjithë personat që kanë marrë tokën në kundërshtim me ligjin, i jepet mundësia për ta blerë atë. "Ligjërimi i titullit të pronësisë bëhet kundrejt detyrimit për të paguar masën e plotë të vlerës, të llogaritur me çmimet sipas hartës së vlerës së tokës të AKKP-së, bazuar në metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme, miratuar me vendim të Kuvendit. Në këtë rast, KV-ja merr vendim për pajisjen e tij me dokumentacion të ri ligjor", thuhet në pikën 3 të nenit 9. Nëse refuzohet, atëherë sanksioni më i madh është sekuestrimi i pronës, kthim në gjendjen e mëparshme, si dhe dhënies e saj për fondin fizik të pronës për Agjencinë e Pronave. Amendamenti përfundimtar i nenit 9 mban firmat e dy deputetëve të Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja i PD-së dhe Arjan Madhi i PR-së. Gjithashtu në këtë nen është sanksionuar se, "për ofrimin e mbajtjes së titullit të pronësisë mbi tokën dhe ligjërimin e tij, për një sipërfaqe toke deri në 10% mbi normën e tokës për frymë të fshatit. Përjashtohen sipërfaqet e tokave bujqësore të përcaktuara në shkronjën 'a' të pikës 1 të këtij neni". Dy deputetët kanë sanksionuar edhe rastet kur nuk pranohet e drejta e blerjes së tokës. Ndërsa sanksionet se "nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe i krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 01.08.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastrale në zërin "Tokë bujqësore" si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore, pas kësaj date".

kur nuk jepen tapite

Neni 9
Kur gjatë verifikimit të dokumentacionit konstatohet se titulli i pronësisë mbi tokën bujqësore është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 dhe 4 të kreut të parë të këtij ligji, dhe mbajtësi i titullit të pronësisë e posedon dhe e shfrytëzon tokën bujqësore, faktikisht, KV-ja merr vendim:
a) për pavlefshmëri të titullit të pronësisë, kur "akti i marrjes së tokës në pronësi është lëshuar" mbi:
i) tokat bujqësore të ish-NB-ve, të cilat përjashtohen për kalim në pronësi nga dispozitat e ligjit nr. 8503 "Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore";
ii) tokat bujqësore të ish-kooperative bujqësore, që shtrihen në zonën e zhvillimit me përparësi turizmin, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe sipërfaqe të tjera të tokës bujqësore, që me vendime të organeve kompetente kanë kaluar në zërin kadastral "tokë urbane" (truall) dhe përfshihen brenda vijave kufizuese të qendrave të banuara, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji;
iii) çdo sipërfaqe të përcaktuar në pikën 2, të nenit 2 të këtij ligji;
iv) çdo sipërfaqe toke për të cilën Agjencia e Pronave dhe zyrat rajonale të saj u kanë konfirmuar njohjen e pronësisë dhe të drejtën e kompensimit fizik subjekteve të shpronësuara;
v) çdo sipërfaqe toke në të cilën preken interesa të ligjshme të personave të tretë dhe/ose ekzistojnë konflikte mbi të.
b) për ofrimin e mbajtjes së titullit të pronësisë mbi tokën dhe ligjërimin e tij, për një sipërfaqe toke deri në 10% mbi normën e tokës për frymë të fshatit. Përjashtohen sipërfaqet e tokave bujqësore të përcaktuara në shkronjën "a" të pikës 1, të këtij neni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›