E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet gara për hidrocentralin e Ashtës

Është hapur dje gara për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka hapur dje ofertat e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e këtij HEC-i. 

Në këtë tender janë paraqitur oferta e konsorciumit të përbërë nga dy kompani CNR dhe Electrabel, si dhe oferta tjetër e paraqitur nga kompania Verbund. Sipas burimeve nga ministria, këto kompani pjesëmarrëse në tender janë kompani të huaja dhe me një eksperiencë të madhe të fushën e ndërtimit dhe operimit të hidrocentraleve. Sipas projektit, fuqia e instaluar e hidrocentralit pritet të jetë 40-70 megavat dhe koha e ndërtimit 36 muaj. Sipas burimeve nga ministria, përzgjedhja e fituesit do të bazohet në kritere të përcaktuara. Këto kritere bazohen, së pari, në çmimin më të lirë të energjisë elektrike që do ofrohet për tregun dhe sistemin shqiptar si dhe në kritere të tjera teknike, si cilësi teknike e ofertës, fuqia e instaluar, standardet teknike dhe sociale me të cilat do të ndërtohet ky projekt si dhe koha e ndërtimit të HEC-it. Në projektin e hidrocentralit të Ashtës janë marrë parasysh disa kufizime. Së pari, evitimi i modifikimeve të rrjedhës së lumit Drin në pikën e bashkimit me lumin Buna, në mënyrë që të mos ndikohet regjimi hidraulik i liqenit të Shkodrës. Së dyti, kufizimi i gjatësisë së argjinaturave (kanali i largimit) në lumin Drin, në mënyrë që të evitohet rreziku i përmbytjes së qytetit të Shkodrës. Kufizimi i tretë ka të bëjë me mbajtjen e pritës së Spatharit në nivelin e 21-23 metra mbi nivelin e detit.

Kompanitë

• CNR (The Companie National du Rhone) ka një koncesion shtetëror dhe zhvillon e operon në lumin Rhone. Ajo ka nisur prodhimin e saj që prej vitit 2001 dhe në vitin 2005 ka arritur një prodhim prej 12.5 bilionë kWh, duke u bërë kompania e dytë për prodhimin e energjisë në Francë.
• ELECTRABEL është kompania më e madhe në Beneluks. Kapaciteti i gjeneruar nga kompania arrin 30.000 MW. Ajo është pjesë e grupit SUEZ.
• VERBUND është kompani austriake e krijuar që prej vitit 1947. Ajo ka rreth 90 hidrocentrale me një fuqi 6000 MW dhe një prodhim 22.8 bilionë kWh.

Të dhëna në Fierzë

    292.56 metra niveli i ujit në Fierzë
    75 metër kub në sekondë prurjet e ujit
    4 cm rënia ditore e nivelit
    170.28 metra niveli i ujit në Koman
    60 metër kub në sekondë prurjet e ujit
    74.26 metra niveli i ujit në Vaun e Dejës
    7.8 milionë kwh prodhimi
    6.9 milionë kwh importi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›