E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet, ministritë që nuk realizojnë dot planin

Paratë e buxhetit të shtetit nuk shpenzohen në mënyrën e duhur. Ministria e Transporteve është sërish shumë prapa me realizimin e investimeve. 

Fabiola Çela

Edhe Ministria e Arsimit dhe Shëndetësisë janë shumë prapa me realizimin vjetor të investimeve. Ndërkaq gjatë katër muajve të parë të vitit, të ardhurat tatimore dhe doganore janë rritur. Por një tejkalim i tillë ka ardhur si pasojë e parashikimeve jo realistë të qeverisë për 4-mujorin e parë. Përsa i përket administratës doganore tejkalimi ka ardhur si rrjedhojë e kursit të këmbimit, si dhe në zgjerimin e aplikimit të çmimeve të referencës për mallrat. Drejtues të fondacionit "Soros" kanë prezantuar dje raportin e dytë të projektit "Monitorimi i buxhetit 2008", ku kanë nxjerrë në pah të gjitha mangësitë e realizmit të buxhetit të shtetit. "Ne jemi larg standardeve të kërkuara për një menaxhim të mirë të shpenzimeve publike. Përvoja dhe standardet më të mira vlerësojnë jo thjesht mbledhjen e të ardhurave, por mënyrën e shpenzimit të tyre", thuhet në këtë raport. Kostoja e lartë e rrugës Rrëshen-Kalimash, mungesa e vlerësimeve të sakta të vlerës totale të projektit, situata aspak e favorshme financiare e KESH-it, si dhe kostot suplementare për të përballuar situatën e post-Gërdecit, mbeten rreziqe fiskale për buxhetin e shtetit. Në këtë rast ekspertët e ekonomisë i kanë rekomanduar Ministrisë së Financave të mendojë seriozisht, për  të mbajtur fondet të mjaftueshme kontigjencë.
Investimet
Edhe këtë vit qeveria është shumë prapa me realizimin në kohë të investimeve publike. Sipas raportit të fondacionit "Soros" vetëm Ministria e Transportit dhe Punëve Publike ka paraqitur 17 shkresa për ndryshime fondesh, të cilat përmbajnë mbi 340 rialokime në objekte të ndryshme. Sipas raportit, këto ndryshime janë kërkuar pasi planifikimi i programit të investimeve veçanërisht për këtë ministri nuk ka qenë i mbështetur dhe realist. "Programi i investimeve nuk është mbështetur në projekte të dezinjuara mirë. Për këtë dëshmojnë deviacionet dhe rialokimet e fondeve krahasuar me projektin fillestar për të cilën është shprehur Kuvendi", citohet në raport. Ndërkaq rialokimet e programit të investimeve, që në 4-mujorin e parë të vitit kryesisht drejtohen në favor të segmentit rrugor Kalimash- Rrëshen, por në "dëm " të projekteve të tjera të rëndësishme si Qafë Plloçë-Korçë, rruga Transballkanike etj. "Rialokimet e fundit në favor të segmentit rrugor Kukës-Durrës rikonfirmojnë gjetjen e raportit që ende nuk ka një vlerë të plotë të kësaj vepre dhe se vazhdohet të punohet mbi baza të një "planifikimi afatshkurtër, javor dhe mujor dhe jo me projekt të plotë e afatgjatë", theksohet në raport.
Të ardhurat
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Thesarit, në total të ardhurat buxhetore, janë realizuar në masën 103.5% ose në vlerë absolute, rezulton me një tejkalim për rreth 2.7 miliardë lekë. Sipas raportit, i gjithë ky tejkalim ka ardhur si pasojë e tatimit të fitimit dhe tatimit mbi të ardhurat personale. "Tejkalimi i këtyre dy lloj tatimesh respektivisht 150% dhe 170 %, është rezultat i parashikimeve jo realiste për 4-mujorin e parë", shtohet në raport. Efekti i taksës së sheshtë dhe shtrirja e bazës së tatueshme edhe për ato shtresa që deri dje nuk paguanin këtë lloj tatimi dhe vendosja e pagës referuese për efekt kontributesh dhe tatimi kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave. Ndërsa përsa i përket administratës doganore tejkalimi i taksës doganore dhe TVSH-ja, është sa i lidhur me rritjen e vëllimit të importeve, ashtu edhe me ndikimin në rritje që ka pasur kursi i këmbimit të euro/all, por edhe me zgjerimin e aplikimit të çmimeve të referencës në llogaritjen e transaksionit doganor. Në raport theksohet se, përsa i përket ecurisë së zhdoganimeve për mallrat e forta vihet re se janë përkeqësuar treguesit për importin e cigareve, ashtu si dhe trendi i importit të karburanteve nuk pasqyron rezultate në luftën kundër kontrabandës.

Rreziqet fiskale për buxhetin

    Ritmet e ulëta të rritjes së prodhimit bujqësor, ku jeton më shumë se gjysma e popullsisë së vendit dhe ku ndodhet edhe pjesa dërmuese e të varfërve.
    Problem i mprehtë mbetet situata në sektorin e energjisë elektrike, ndërkohë që KESH duket se nuk po ja del dot t'i përgjigjet asaj. Mangësia kryesore lidhet me energjinë e papaguar.
    Nuk janë realizuar të ardhurat nga ndihmat dhe grantet. Si 4- mujor ato janë realizuar vetëm 26.7 %, ndërsa në krahasim me planin vjetor vetëm 5.2 %.
    Nuk janë realizuar të ardhurat nga pushteti lokal. Për këto 4-muaj ato janë realizuar 83 %.
    Realizimi i ulët i pagesës së papunësisë 82 %, si dhe mosvënia në funksionim e skemës së trajtimit të të përndjekurve politikë dhe e kompensimit të energjisë elektrike për familjet në nevojë. Fondi i parashikuar për financimin e këtyre dy skemave është totalisht i papërdorur si 4-mujor, respektivisht 500 dhe 350 milionë lekë.
    I përdorur është edhe fondi për "Mbështetjen e shoqërisë civile", i planifikuar në këtë buxhet prej 150 milionë lekë.
    Fondet e padetajuara apo edhe të ngrira janë rreth 2.7 miliardë lekë vetëm për Ministrinë e Transportit, 450 milionë lekë për Ministrinë e Arsimit, rreth 190 milionë lekë për Ministrinë e Shëndetësisë etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›