E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kisha e Shna Ndout, prifti-Berishës: Ka abuzime

Turi i inaugurimeve të Kryeministrit Berisha ka vijuar ditën e djeshme në qytetin e Laçit. 

Kreu i qeverisë, gjatë orëve të paradites ka inauguruar përfundimin e një sërë rrugësh, përfshi këtu dhe rrugën e Kishës së Shna Ndout në rrethin e Laçit, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 127 milionë lekë. Por pas ardhjes së Kryeministrit në kishë, rreth 30 minuta pas orarit të parashikuar, ministri i Provincës Françeskane shqiptare, Gazmend Tinaj, i ka shprehur Kryeministrit pakënaqësitë e komunitetit lidhur me investimin në këtë rrugë. "Ju keni inauguruar rrugën që lidh qytetin e Laçit me Kishën e Shna Ndout, një investim që nuk ka përfunduar plotësisht sipas idesë që ishte parashikuar. Ka mungesa në projektin e miratuar me atë të realizuar. Akoma deri tani nuk është paguar projektuesi i kësaj rruge. Nuk janë dëmshpërblyer pronarët që kalon kjo rrugë, mungon parkingu për automjetet. Dhe duke folur me duar të pastra, mund të them se të gjitha këto që kanë ndodhur, kanë ndodhur se kemi një pushtet lokal të korruptuar. Sikur të mos ekzistonte ky korrupsion, do ishte kryer një kryevepër e shkëlqyer, për të gjithë pelegrinët që vinë në këtë kishë", është shprehur Tinaj. Kreu i qeverisë ka ngelur i befasuar nga shqetësimi i banorëve të kësaj zone, me gjithë përpjekjet e deputetit të zonës, Pal Dajçi, për t'i dhënë shpjegime lidhur me këtë situatë. Berisha ka vlerësuar inaugurimin e rrugës duke thënë: "Rruga që inauguruam lehtëson lëvizjet e pelegrinëve dhe ndjek rrugën që ka ndjekur Shna Ndou në udhëtimin e tij të vështirë në viset ilirike".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›